Falimentimi i mundshëm i Star Airways është paralajmëruar që para se kjo kompani e re private shqiptare e fluturimeve të merrte licencën. Sapo u mësua që pas shoqërisë shqiptare Star Airways, fshihej në fakt një emër i njohur i shoqërive ajrore të falimentuara, italiani Vincenzo Soddu.
Njëmijë pasagjerë në Rinas e qindra të tjerë në Romë, Pisa e Treviso që prej katër ditësh nuk ia kanë ndarë sytë qiellit me shpresën që të shihnin avionin e tyre Star Airways (lexo ItAli), tashmë nuk kanë më asnjë shpresë. Që prej 3 shtatorit asnjë avion i shoqërisë shqiptare me partnerë italianë nuk është ngritur në qiell. E, si pasojë, as ka zbritur.
Pa shpresë nga qielli, në kaosin e ditëve dhe netëve në aeroport, pa asnjë informacion nga kompania ajrore, pasagjerët e zemëruar u janë drejtuar mediave. Drejtuesit e aviacionit civil shqiptar kanë dalë para shtypit duke deklaruar se “kompanisë ItAli do t’i hiqet licenca e operimit në Shqipëri si përgjegjësja kryesore e kaosit të krijuar”.
I zhdukur pa lënë gjurmë prej ditësh, me sitin internet që ende pranonte prenotime por me telefonat shurdhuar, Star Airways është bërë i gjallë pas katër ditësh heshtjeje, veç pas komunikatës së Aviacionit Civil duke shpallur formalisht pezullimin e fluturimeve. “Siç e keni mësuar nga shtypi, autoritetet shqiptare kanë pezulluar operacionet e ItAli-t duke u hequr të drejtën e fluturimeve. Operacionet e transportit të pasagjerëve pezullohen si pasojë”. Praktikisht: si pasojë e pezullimit, pezullojmë fluturimet që kishim pezulluar pa asnjë shpjegim që para pasojës. E me këtë u kanë lënë fajet në derë aviacionit civil shqiptar e biletat e pavlefshme në dorë mese 1000 pasagjerëve të cilët kanë gjetur rrugë të tjera për t’u kthyer në Itali. Kush me traget (edhe aty i ka pritur ankthi i orëve pa fund të vonesave) e kush ka mundur të prenotojë me linjat e tjera (Belleair e Alitalia nuk kanë më vende për Rome, psh, deri më 12 shtator.)
Star Airways premton se pas 9 shatorit do t’i verë në vend punët e do të fillojë sërish fluturimet. Por edhe në ndodhtë, pas situatës së krijuar, pakkush do të guxojë të niset sërish me një avion Star Airways. Apo ItAli. Janë dy faqe të së njëjtës monedhë. Dhe lënia në tokë e qindra pasagjerëve është shenja e parë e fillimit të një praktike që kujton të tjera aventura ajrore që përfundojnë gjithnjë me falimentim. I cili lë pas bileta të shitura e të parimbursuara e borxhe pa fund në taksa e në kredi. Me ligjet e sotme italiane mbi falimentimin sipërmarrësve nuk u hyn gjemb në këmbë. Derisa të fashitet skandali e të hapin një tjetër kompani fluturimi që ndjek të njëjtën praktikë.
Nuk janë spekulime, pasi falimentimi i mundshëm i Star Airways është paralajmëruar që para se kjo kompani e re private shqiptare e fluturimeve të merrte licencën. Sapo u mësua që pas Star Airways, (shoqëri shqiptare nën pronësinë e një sipërmarrësi kavajas me emrin Gjergj Krali) fshihej në fakt një emër i njohur i shoqërive ajrore të falimentuara, Vincenzo Soddu.
Soddu. ish pilot solist i Frecce Ttricolori, flota akrobatike e Aeronautica Militare Italiana, e ka lënë avionin si pilot, për t’i hyrë biznesit si sipërmarrës shoqërish ajrore: është ndër themeluesit e Alpi Eagles, së cilës i hiqet licenca nga Enac, enti i aviacionit civil italian. Në vitin 1997 bëhet aksionist administrator i përgjithshëm i Volare. Pas shumë vonesash, mospagime taksash e parregullsi në bilanc shoqëria merr pikiatën drejt falimentimit dhe Soddu arrestohet. Pikërisht ndërsa Volare përplaset përfundimisht duke lënë pas miliona borxhe, lind një tjetër shqoëri që do të plandoset edhe ajo me zhurmë, MyAir.
Soddu deklaron se nuk ka të bëjë aspak me MyAir por gazeta të ndryshme gjejnë lidhjet e tërthorta mes tij dhe të birit të tij në MyAir. Edhe MyAir shkon drejt falimentimit: mbetet në tokë përfundimisht më 21 korrik 2009 duke lënë me gisht në gojë mijëra pasagjerë që kishin prenotuar pushimet e në kaos gjysmën e aeroporteve italiane. Me 21 korrik, Enti i aviacionit civil italian Enac i pezullon licencën MyAir (i njëjti veprim që kryen dje Aviacioni civil shqiptar ndaj ItAli). MyAir falimenton. Duke lënë pas një borxh prej 150 milionë eurosh. Dhe këtu hyn në lojë Star Airways.
E nxjerrë në ankand, oferta me e veçantë që mbërrin në Gjykatën e Vicenzas për të blerë shoqërinë e falimentuar MyËay vjen nga një shoqëri shqiptare, Star Airways. Me një fidejuksion bankar prej 22 milionë eurosh, shoqëria shqiptare kërkon të blejë MyAir-n. Por Gjykatësi e hedh poshtë kërkesën duke e konsideruar të pamjaftueshme shifrën përballë borxhit të krijuar. Star Airways atëherë kërkon vetëm të marrë me qera operacionet dhe mjete. Duke ofruar 9 milionë euro. Por edhe këtë gjykatësi e hedh poshtë.
Ç’është kjo Star Airways, dalë nga hiçi, e formuar veç në qershor 2008, që ka emrin e një kompanie ajrore, dhe licencën në marrje e sipër, por asnjë mjet, asnjë personel, e asnjë kontratë me aeroportet? Shtypi italian fillon të hetojë dhe gjen pa vështirësi që pas saj fshihet i njëjti emër, Vincenzo Soddu. Një artikull i Corriere della Sera i 3 shkurtit të kaluar gjen me lehtësi se pas shoqërisë që kishte dashur të blinte MyAir-in e Soddut fshihet vetë Soddu i cili asokohe gjendej në Shqipëri, e që, njëkohësisht “ka qenë në Venecia në shoqërinë e njëfarë Valer Hoxha”. (Ky i fundit, për shqiptarët, nuk është i panjohur siç është për gazetarin e Corrieres: është një nga njerëzit kyç të Albatros-it, shoqëria ajroje e nipërve të ish presidentit Moisiu, e falimentuar pas kërkesës nga ana e aviacionit civil për pagimin e taksave në Tiranë, dhe në qendër të një skandali të korrupsionit të drejtorit të atëhershëm të aviacionit civil. Por kjo është tjetër histori).
Star Airways është “një shoqëri e grupi Krali”. Kështu paraqiten, edhe pse “Grupi” nënkupton një sërë biznesesh. Pronari i kompanisë Gjergj Krali (emër thuajse i panjohur për publikun e gjerë, përveç një parantezë si dëshmitar në gjyqin për kontrabandë ndaj Mihal Delijorgjit pasi një anije e Kralit ka kryer operacionet e transportit. Por nuk ka gisht në kontrabandën për të cilën akuzohet njeriu i Gërdecit). Krali është në thelb një spedicioner transportesh detare, e ka nisur biznesin më 1997 me një fabrikë dyshekësh, e më pas ka blerë një nga një tri anije mallrash, Eldore I, II dhe III. Transport detar, derisa në maj 2008, pa asnjë përvojë në sektor, pa personel e pa mjete, themelon shoqërinë ajrore. Megjithë vështirësitë e një tregu si ai i transportit ajror të pasagjerëve, arrin të marrë, më 15 qershor 2009 edhe të paarritshmen AOC- Air Operation Certificate. Ia njeh edhe ENAC italian. Tash i duhen veç avionët dhe personeli.
Avionët dhe gjithçka i siguron ItAvi. Një shoqëri charter. Sapo avionët e parë të Star Airways nisin fluturimet, shumëkush vërejti se nuk kishte asgjë prej Star Airways në aeroport. Pasagjerët e kanë të vështirë të gjejnë edhe sportelin pasi në aeroport shënohet ItAvi. Në një udhëtim (paralajmërues) të kryer nga kush shkruan,- disa javë më parë nga Roma drejt Tiranës, avioni MD-80 kishte Star Airways të shkruar në bisht jashtë, ItAvi në tërë tabelat e brendshme dhe uniformat e personelit, dhe ngjyrat e ndenjëseve ende jeshile të Alitalia-s së cilës ItAvi duhej t’ia kishte blerë dikur atë avion. StarAirways shqiptar ofron licenca ajrore dhe certifikatat, ItAvi operativitetin dhe avionët. Të dyja bashkë një sipërmarrje të dyshimtë prapa së cilës ngrihet hija e njërit prej specialistëve të falimentimeve të shoqërive ajrore. Që nisin, të gjitha, me lënien në tokë pa shpjegime të qindra pasagjerëve.
r.s.
Shqiptari i Italisë
Lexo edhe: Star Airways pezullon zyrtarisht fluturimet