Në brendësi të organizmave të përfaqësimit të imigrantëve në Itali, shpesh, shumë shpesh, gjen personazhe që kultivojnë kërkimin e ethshëm të një posti politik, jo për t’i shërbyer sa më mirë “kauzës së përbashkët”, por për të fituar pushtet, popullaritet dhe prestigj. Këta janë zanatçinjtë e imigracionit, “gjethja e fikut” e demokracisë të klasës politike italiane që i propozon
nga Giuseppe Chimisso
Gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit, rrënimi i shoqërisë italiane është theksuar në mënyrë të ndjeshme. Rrënim shoqëror dhe kulturor me të cilin janë ngërthyer, si një krimb i dëmshëm dhe tragjik, një krizë ekonomike e rrezikshme me përfundime ende të paqarta dhe të pasigurta.
Një shoqëri në dekadencë si e jona, nuk mund të bëjë tjetër veçse të prodhojë dhe të pasqyrohet në një klasë politike të mjerë, qoftë në qeveri, qoftë në opozitë, si kjo që prej shumë kohësh na sundon.
Klasë politike që gjithnjë e më shumë është pre e shantazheve dhe luftës së brendshme, e tronditur nga skandalet që i vënë minat edhe asaj pak besueshmërie të mbetur, ku gossip-i është në rend të ditës në sekretaritë e partive të kthyera – e jo që dje – në komitete të mirëfillta biznesi. Politika e helmimit po arrin nivele të patolerueshme barbarie dhe është e vështirë të imagjinosh që kjo shkujdesje, ky llum erëkeq të mund të kthehet në aftësi dritëshumë qeverisjeje të res publica.
Është kjo klasë politike që i njeh vetes të drejtën që të pushtojë dhe të molepsë fusha të shoqërisë civile, që mund t’i zinin rrugën, për të kërkuar një lloj bashkëpunimi që arrin të marrë mjaft lehtë e me dy para. Rasti konkret që duam të shqyrtojmë këtu është ai i imigracionit.
E dimë që mendimi i klasës politike “të djathtë”, i karakterizuar nga elemente përjashtimi dhe ksenofobie, fatkeqësisht, ka depërtuar në shtresa të gjera të shoqërisë. Për pjesën dërrmuese të të njëjtës klasë politike “të majtë”, që kur ka hequr dorë nga parimet që e kanë dalluar në shekuj, ky term është kthyer në një toponim të thjeshtë.
Klasa politike, në tentativën për të hegjemonizuar botën shumëngjyrëshe të imigracionit, rreh rrugët e mundshme dhe pas eksperiencave sa të deklamuara, aq edhe të dështuara, të Këshilltarëve të Shtuar, provon sërish e përpiqet të ngrejë organizma më të gjerë. Siç janë Konsultat për Imigracionin në provinca të ndryshme, apo organizma të ngjashëm që përfaqësojnë “palestra” ku kjo klasë politike do të kalitë politikanët e rinj, sipas shëmbëlltyrës së vet, për t’ua imponuar komuniteteve të cilave u përkasin dhe të gjithë punonjësve jo-italianë.
Këta organizma përfaqësojnë “gjethen e fikut” të demokracisë së klasës politike që i propozon, organizma jo-operativë, në kuptimin që nuk kanë pikë vlere në gjërat me vlerë, që mblidhen disa herë në vit, kanë të drejtën e fjalës por, natyrisht, jo atë të votës.
Anëtarët e këtyre organizmave që përfitojnë vetëm një shumë të vogël për çdo mbledhje, e ndonjë rimbursim shpenzimesh, mbahen nga shpresat dhe iluzionet për një të ardhme personale. Jo gjithmonë ata janë njerëz të ndershëm e operatorë të vullnetshëm që veprojnë në mirëbesim, si përfaqësues të vërtetë shoqatash. Por ndodh shpesh që në organizma të tillë të ndeshësh të ashtuquajturit “zanatçinj të imigracionit”, të paguar nga Ente Vendore, parti e sindikata.
“Zanatçinjtë e imigracionit” janë asqerët e mirëfilltë të sistemit të sotëm politik; e nuk stepemi të quajmë Asqerë, që tjetër nuk ishin veçse ushtarë mercenarë eritreas në shërbim të trupave koloniale italiane në Bririn e Afrikës, të gjitha këta personazhe, të etnive të ndryshme, që kanë kuptuar mirë cilat janë nevojat dhe natyra e klasës politike vendore dhe duke çarë më bërryla, shpejt janë përshtatur si stampa prototipit. Asqerët dallohen nga një tipar i pandashëm që i karakterizon. Gjuha e veçantë që përdorin e me të cilën shpëlajnë gojën prej një të shprehure false dhe boshe të ngjashme me politikezen, të mbarsur me jehonën e problematikave relative të imigracionit, që kanë si qëllim ngritjen e një muri tymi për të fshehur më mirë egoizmat dhe interesat më të ulët personalë, materialë, pse jo, edhe politikë.
Në brendësi të organizmave të përfaqësimit nga më të ndryshmit ekzistues, shpesh, shumë shpesh, gjen personazhe që ëndërrojnë të “fluturojnë lart” dhe kultivojnë kërkimin e ethshëm të një posti politik, jo për t’i shërbyer sa më mirë “kauzës së përbashkët”, por për të fituar pushtet, popullaritet dhe prestigj. Ambicioni i shfrenuar dhe, ndonjëherë, i pafshehur i heronjve tanë, e bashkuar me një lëkurë derri të trashë krenarie dhe të shoqëruara nga logjika pak demokratike, normalisht shprehet duke parë anëtarët e tjerë të të njëjtit organizëm përfaqësimi, jo si shokë në një betejë të përbashkët për afirmimin e të drejtave të njerëzve të përfaqësuar, por si “konkurrentë” për t’u trajtuar me arrogancë vulgare e të papërmbajtur, pa përjashtuar as goditjet e ulëta. Kur ndeshja nuk është e leverdishme, hyn në lojë logjika e krijimit të një rrjete merimange të ngjeshur pranimesh të verbra dhe të squllëta që kanë për qëllim përdorimin e asqerëve të tjerë të pranishëm si “idiotë të dobishëm” për t’u dhënë jetë ëndrrave të fluturimit lart si shqiponjë; ëndrra që disa asqerë, të pranishëm edhe mes imigrantëve shqiptarë, ushqejnë me kalimin e kohës, shpesh të pavetëdijshëm për mungesën e flatrave, por që duke qenë të rrethuar nga pula besnike të pafytyra, duhet të ëndërrojnë me më përulësi të jenë “primus inter pares” ndër rreshtat e çanta-mbajtësve apo apo të ëndërrimtarëve për një post të tillë.
Si gjithnjë, peshku qelbet nga koka. Në degjenerimin e politikës dhe të kulturës parazitare të opinionit publik italian, kulturë që po helmatis edhe një pjesë të imigrantëve.
Gjëja më e pabesueshme, sidoqoftë, nuk është prania e asqerëve në skenën politike vendore, që për më tepër solidarizohen mes tyre si të ishin organizatë mafioze sa herë sulmohen nga jashtë. E pabesueshme është që sot për të bërë një verifikim të drejtpërdrejtë me referentët politikë dhe institucionalë mbi aftësinë përfaqësuese të këtyre organizmave, pa marrë parasysh si janë organizuar, është një nevojë e pashmangshme, por që në mënyrë paradoksale, shumë larg vënies në rend të ditës.
Mendojmë që problemi është akoma më i madh. Me një fjalë, këta referentë politikë dhe institucionalë a do të ishin të gatshëm të pranonin një përfaqësim të imigrantëve vërtet demokratik dhe jo një mori të zbutur “clientes”, të vlefshme vetëm për ta treguar në evenimente publike e që kënaqet me lëpirjen e ndonjë kocke? Sepse një përfaqësim i lirë dhe demokratik do të ishte padyshim më konfliktual, i pavarur dhe i vlefshëm pikërisht sepse nuk do të përbëhej nga yesmen servilë.
Si gjithnjë, peshku qelbet nga koka…
Për ta mbyllur, lidhur me përfaqësimet, nuk ka nevojë të përsëritet në këtë rast, duke parafrazuar një fjalë të urtë të shekullore, që “një person, një votë” duhet të jetë objektivi i patundshëm i qytetarëve jo italianë rezidentë në Itali, për fitimin e të drejtave civile e politike.
Të gjitha rrugët e tjera janë të padobishme dhe kimera të dëmshme.
Giuseppe Chimisso, shqiptariiitalise.com
Lexo versionin italisht: I ”professionisti dell’immigrazione”, nuovi Ascari a servizio del ceto politico italiano