in

Apolloni, del në dritë një bust romak

Arkeologu francez Lamboley, pjesëtar i ekspeditës franko-shqiptare që zbuloi bustin: “artistikisht është një kryevepër. Statuja, e epokës romake, është gati e paprekur, gati-gati sikur ajo të jetë punuar pak kohë më parë nga ndonjë punishte”

Tiranë, 23 gusht 2010 – Gjetja e statujës së një atleti në gërmimet arkeologjike të ekspeditës franko-shqiptare në Apoloni konsiderohet nga specialistët e fushës si një ndër zbulimet më të veçanta të pasurisë arkeologjike në 50 vitet e fundit në rajonin e Mesdheut.
Bëhet fjalë për bustin e plotë të një atleti, i gjetur në një formë optimale (tërësisht e paprekur) që sipas arkeologëve franko-shqiptarë të ekspeditës arkeologjike në Apoloni, i përket periudhës së vonë romake.

Busti i atletit, sipas arkeologut francez Jean-Luc Lamboley, u gjet në një kanal që lidhte vilat romake të shekullit të III-të Pas Krishtit, në Parkun Kombëtar Arkeologjik të Apolonisë në sektorin “G” të saj, i ndodhur në pjesën veriperëndimore të qytetit antik. Sipas rrëfimeve të detajuara të arkeologut francez, “statuja e zbuluar në Apoloni është gati e paprekur, gati-gati sikur ajo të jetë punuar pak kohë më parë nga ndonjë punishte”.

Me interes priten rezultatet në vazhdim të ekspeditës e cila që në ditën e katërt të saj, javën që shkoi, zbuloi bustin e antikitetit të vonë romak. Ky objekt u zhvendos dje në Tiranë, në Institutin Arkeologjik pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike, për t’iu nënshtruar restaurimit dhe studimit të mëtejshëm dhe për të zënë vend përfundimisht në Muzeun Arkeologjik të Apolonisë që do të hapet në vjeshtë.

Për vlerat e statujës së sapogjetur Lamboley ka shtuar se, “artistikisht është një kryevepër, e konservuar në kushte të shkëlqyeshme”. “Dua të shtoj”, vijon ai më tej, “që së bashku me kolegët e mi jemi tejet fatlumë, pasi u shpërblye puna jonë gati 15-vjeçare. Duhet ta kuptoni se keni një diçka unike të gjetur në botë dhe specialistët e kësaj fushe të periudhës romake duhet të vijnë këtu për të shikuar nga afër statujën e gjetur së fundmi”.
Sipas profesor Lamboley, “Apolonia antike ka qenë qyteti më i madh grek në territorin shqiptar, e më pas u zhvillua si një qytet tejet i pasur. Statuja e gjetur mendohet se i përket një familjeje aristokrate”.

Statuja e atletit të gjetur në qytetin antik të Apolonisë është e para e këtij lloji dhe përmasave në Shqipëri. Të  fundit e këtyre dimensioneve ishin statujat e zbuluara nga ekspeditat ruso-shqiptare, të drejtuara nga prof. Selim Islami dhe prof. Bllavatski në fundin e viteve ’50.
Prof. Lamboley dhe ekspedita e përbashkët franko-shqiptare ka “rënë” gjithashtu në gjurmët e hershme të një  tempulli arkaik të Horës së Apolonisë, në perëndim të mureve të qytetit antik.

Vendndodhja e tempullit të zbuluar është në një distancë të shkurtër nga fshati Pojan dhe pikërisht, në pronat e familjes së Bonjakëve.
Tempulli i ndërtuar me gurë gëlqerorë, i panjohur nga gërmimet arkeologjike të mëparshme, i ka çuar specialistët në pretendimet paraprake se prej andej janë prodhuar një numër i madh terakotash, apo të njohura ndryshe si figurina, të cilat tregojnë se ndërtesa e shenjtë i është dedikuar një perëndie të rëndësishme për qytetin, që sipas arkeologëve mund të jetë perëndia Artemis apo Apolloni.

Ditë më parë u gjet edhe “fund-këmba e një statuje prej bronci i një punimi fantastik. – tregon arkeologu francez – Për fat të keq, statuja ka qenë tërhequr dhe ne, gjatë gërmimeve zbuluam e gjetëm veçse pjesën e poshtme të këmbës. Por, duhet të shtoj se është me të vërtetë një punim artistik i pabesueshëm për kohën kur ajo është punuar”.

Lexo edhe: Një bust gruaje, zbulimi më i fundit në Apolloni

Pushime në Shqipëri, mes veprimtarish të ndryshme artistike

Vritet një shqiptar e plagoset një tjetër