Rrezikon të mbetet i paralizuar Flori Eollaj, që bashkë me dy të tjerë kish hyrë natën në shtëpinë e një 79 vjeçari
Torino, 5 maj 2015 – Flori Eollaj, 39 vjeç, është plagosur rëndë natën e shkuar e tani rrezikon të mbetet i paralizuar.
Nga rindërtimi i deritanishëm i ngjarjes, duket se rreth orës 3 të natës, një pensionist 79 vjeç është zgjuar nga zhurma e tre hajdutëve që po hynin në vilën e tij në Nole Canavese. Ka marrë pistoletën e ka qëlluar dy herë. Plumbat kanë kapur në shpatull njërin prej tyre, pikërisht Flori Eollajn, që ka mbetur në tokë i plagosur rëndë, ndërsa dy të tjerët ia kanë mbathur. Pensionisti ka thirrur më pas Karabinierët e Ndihmën e Shpejtë.
I plagosuri është dërguar menjëherë në spital ku është operuar. Mjekët thonë se është jashtë rrezikut për jetën por mund të mbetet i paralizuar për shkak se plumbi i ka prekur edhe shtyllën kurrizore.
Në vendngjarje kanë mbërritur Karabinierët që po marrin në pyetje të moshuarin për të zbardhur dinamikën e ngjarjes. Sipas tyre, mund të jenë shqiptarë edhe dy personat e tjerë, bashkëpunëtorë të 39-vjeçarit, për kapjen e të cilëve janë ngritur menjëherë disa postblloqe në zonë.