Dhoma e Deputetëve ka dhënë pëlqimin e saj. Në Komunat e goditura nga tërmeti, u shkohet në ndihmë imigrantëve që kanë humbur shtëpinë apo punën e në këto çaste nuk kanë mundësi të përbushin kriteret e nevojshme për përtëritjen e lejes së qëndrimit. PD: “Kështu do të kenë ca kohë më shumë për të marrë veten”
Romë, 11 korrik 2012 – Zgjatet periudha e vlefshmërisë së lejeve të qëndrimit me skadencë të afërt për imigrantët që jetojnë në Komunat e goditura nga tërmeti i majit. Dokumentet e qëndrimit do të mbeten të vlefshme edhe për një vit tjetër edhe nëse titullarët nuk përmbushin kriteret për përtëritjen e tyre, sepse për shkak të tërmetit, mund të kenë humbur punën apo shtëpinë.
Këtë parashikon neni 8 paragrafi 15-bis i projektligjit të konvertimit të dekretit “Dispozita urgjente në favor të popullatës së goditur nga tërmetet e 20 dhe 29 majit 2012” i miratuar sot në unanimitet nga Dhoma e Deputetëve që tani duhet të kalojë edhe në Senat për aprovimin përfundimtar. Norma parashikon që në komunat e goditura nga tërmeti (lista e plotë e tyre në fund të artikullit) “zgjaten për dymbëdhjetë muaj, dokumentet e qëndrimit që skadojnë brenda 31 dhjetorit 2012 të imigrantëve që nuk përmbushin kriteret e punës dhe/ose të rezidencës në këto territore për shkak të tërmetit”.
Shtyrja e kohëzgjatjes së lejeve është fryt i një amendamendi të paraqitur nga parlamentarja Delia Murer e PD-së, i diskutuar dhe i miratuar në komisionin mbi Ambjentin të Dhomës së Deputetëve, dhe i futur në tekstin final të ligjit.
“Imigrantët që jetojnë e punojnë në zonat e goditura nga tërmeti rrezikonin, për shkaqe që nuk varen prej tyre, të mbeteshin edhe pa lejeqëndrim” shpjegon Murer. “Shumë prej tyre kanë humbur shtëpinë e punën. Dhe pa të ardhura e vendbanim, mund të humbnin edhe lejen e qëndrimit, me makthin e rënies në klandestinitet”. Sipas eksponentes së PD-së, shtyrja e afatit është “një rezultat i rëndësishëm”. “U lejon këtyre imigrantëve – shpjegon ajo – të marrin frymë. Leja e tyre e qëndrimit përtërihet automatikisht për dymbëdhjetë muaj e kanë kështu kohë t’i përkushtohen, si të gjithë të prekurit nga tërmeti, rimëkëmbjes së jetëve”.
Lista e plotë e komunave