in

Shqipëria drejt zgjedhjeve{br}Zgjedhësit në mërgim

Mëse një e treta e votuesve që nesër, më 23 qershor, thirren të votojnë për Kuvendin e ri jetojnë jashtë vendit. Në Itali jetojnë rreth 400 mijë, e thënë ndryshe çdo tetë votues shqiptarë, një duhet të niset prej këtej për të hedhur votën e tij në kuti. Politika zgjohet e u bën thirrje emigrantëve të shkojnë të votojnë, ndonjëherë duke u premtuar edhe shpenzimet e rrugës në këmbim të votës

Në prill, zëvendës ministri i Brendshëm  Ferdinand Poni njoftoi që listat elektorale të zgjedhjeve të ardhshme të 23 qershorit përmbajnë 3.279.289 persona. Vetëm pak muaj më parë, INSTAT dha shifrat përfundimtare të Censusit të mbajtur në vitin 2011, sipas të cilit Shqipëria ka vetëm 2.821.977 banorë. Këta të fundit, janë “banorë” të Shqipërisë jo shqiptarët, ndaj dallimi i madh mes dy shifrave (të votuesve e të banorëve) nuk duhet të çudisë njeri. Për arsyen e thjeshtë që Shqipëria e dy dekadave të fundit është një vend që ka prodhuar emigracion në masë.

Edhe pse nuk ka shifra të sakta mbi emigrantët, këto dy shifra tregojnë hapur që zgjedhësit që banojnë jashtë Shqipërisë janë rreth një milion e 300 mijë. Kjo shifër del po të merret në konsideratë fakti që ndër 2 milionë e 822 mijë banorët duhen hequr jo vetëm të huajt që jetojnë në Shqipëri (rreth 19.000 – nga INSTAT mbi të dhënat e Censusit 2011) por edhe të gjithë të miturit, që gjithnjë sipas përfundimeve të Censusit 2011 përbëjnë 26,3% të popullsisë (mbi 740 mijë). Nga këto llogari të thjeshta i bie që në Shqipëri jetojnë vetëm 2 milionë e 50 mijë shqiptarë votues.

Mëse 1,2 milionë personat që i mungojnë listës së zgjedhësve që dha sot zëvendës ministri janë të gjithë jashtë, kryesisht në Itali e Greqi. Nga mëse 500 mijë shqiptarët e Italisë, rreth 400 mijë janë votues të mundshëm. Apo më mirë, emrat e tyre janë në listat zgjedhore shqiptare. Për një vend të vogël si Shqipëria shifra është tejet e lartë e që shumëkush mund ta lakmojë. Por a mund të jenë vërtet votues shqiptarët e Italisë? Shumica dërrmuese, jo. Dhe e njëjta gjë vlen edhe për shqiptarët që jetojnë në Greqi e akoma më shumë për ata që kanë emigruar në vende më të largëta. Nuk është e lehtë që një fundjavë qershori të shkosh në atdhe e të kthehesh sërish në vendin ku jeton, vetëm për të votuar. Ligji zgjedhor nuk parashikon asnjë lloj lehtësimi për ata që nuk jetojnë pranë qendrës së votimit (që shqiptarët nuk mund të votojnë aty ku jetojnë, kjo tashmë është e lashtë).

Këto kohët e fundit, në Itali e Greqi, politikanët kanë nisur të nxisin emigrantët të shkojnë në Shqipëri të votojnë më 23 qershor, duke u premtuar ndryshime të qëndrimit ndaj tyre në rast fitoreje. Por shkohet edhe më tej. Ka raste kur thuhet hapur: “eja voto për ne e të paguajmë rrugën”. Është bërë me autobusë nga Greqia, e propozohet të bëhet edhe këtë radhë, edhe në Itali. Në Facebook, në profilin “Partia Demokratike Trento Albania”, për shembull, shkruhet: “Me date 9 maers u themelua dega e Partise Demokratike Shqiptare ne Trento. te gjithe emigrantet e territorit TRENTINO ALTO ADIGE qe mbeshtesin forcen tone politike, mund te bashkohen me ne per te votur per zgjedhjet parlamentare te 23 qershorit. do jete fluturimi falas vajtje dhe ardhje”. Është ky teksti i mesazhit të datës 11 mars që, me gjithë gabimet e shumta drejtshkrimore, përmbajtejen e ka të qartë: “nëse më 23 qershor do të votoni PD, udhëtimin vajtje-ardhje do ta keni falas”.

Italia ofron një tjetër model.

Nga 50,5 milionë zgjedhësh që ka Italia, 3,5 milionë janë rezidentë jashtë, (të dhënat zyrtare të zgjedhjeve të shkurtit të shkuar). Zgjedhësit që jetojnë jashtë Italisë mund të nxjerrin 6 përfaqësues në Senat (ndër 315 senatorë gjithsej) dhe 12 deputetë ndër 630 që ka Dhoma e Deputetëve. Thuajse të gjithë mund të japin votën e tyre pa iu dashur të kthehen në vendlindje. Por parashikohen edhe disa raste të veçanta.

Për “zgjedhës të veçantë rezidentë jashtë shtetit të cilët nuk mund të përfshihen në kategorinë e atyre që shprehin votën përmes shërbimit postar, do të kenë të drejtën e rimbursimit të 75% të kostos së biletës së udhëtimit për transportin hekurudhor apo detar apo 75% të kostos së klasës turistike për transportin ajror”.

Trenitalia, ofron biletat me zbritje deri në 70%, kur votuesit i duhet të kthehet në vendlindje nga Spanja, Franca, Gjermania, Zvicra, Austria. Shoqëritë e lundrimit “Compagnia Italiana di Navigazione” e “Compagnia delle Isole” aplikojnë zbritje që arrijnë deri në 60% të tarifës së zakonshme për ata që zgjedhin udhëtimin detar. Ndërsa concesionaret e autostradave nuk u kërkojnë zgjedhësve taksën e rrugës, as në vajtje e as në kthim.

Të gjitha këto informacione nuk vijnë nga partitë por nga faqja zyrtare e ministrisë së Brendshme italianeqë ua ofron këtë mundësi të gjithëve, pavarësisht për cilin grupim politik votojnë.

Keti Biçoku

Lexo edhe: “Unë votoj”. Shoqatat shqiptare simulojnë procesin zgjedhor

Consigliera Pd: “Stranieri dovete morire”. Espulsa

Presidenti Nishani: “Votoni. Bëjeni për Shqipërinë e të ardhmen e saj”