in

Zgjedhjet e 8 majit. Nis asgjësimi i fletëve të votimit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nisi paraditen e së mërkurës asgjësimin e fletëve të votimit të zgjedhjeve vendore të 8 majit, një proces që do të përfundojë më 31 dhjetor 2011, me ritmin e djegies së 1.000 kutive në ditë

Romë, 26 tetor 2011 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nisi paraditen e së mërkurës asgjësimin e fletëve të votimit të zgjedhjeve vendore të 8 majit.

Për procesin e hapjes së kutive të materialeve zgjedhore dhe të asgjësimit të fletëve të votimit punonjës të KQZ-së janë angazhuar në këtë proces nga mëngjesi i sotëm në magazinat e këtij institucioni në Lundër. 
Fillimisht, hapen kutitë e materialeve zgjedhore, ku veçohen listat e zgjedhjeve dhe procesverbalet që i kalojnë për administrim arkivit dhe më tej hapen kutitë e fletëve të votimit për t`u djegur më pas në afërsi të Drejtorisë së Rezervave të Shtetit në Lundër. 
“Asgjësimi filloi me qarkun e Tiranës pasi është qarku i fundit që ka mbërritur dhe teknikisht janë kutitë e para që janë në magazinë. Afërsisht asgjësohen fletët e 2-3 KZAZ në ditë, që është mesatarisht 1000 kuti në ditë”, sqaroi drejtoresha e Logjistikës Zgjedhore në KQZ, Erida Dobrusha. Procesi përfundon më 31 dhjetor të këtij viti.

Ndërkohë, bëhet e ditur se kutitë e materialeve zgjedhore të qarkut Tiranë nuk do të hetohen nga Prokuroria, pavarësisht kallëzimit nga Partia Socialiste për dublikim të listave zgjedhore dhe mosrakordim të shifrave në zgjedhjet për kryetarin e bashkisë së kryeqytetit.
Lajmi konfirmohet nga Dobrusha, e cila sqaron se  prokuroria ka sekuestruar për hetim 14 kuti të materialeve zgjedhore nga rrethe të ndryshme të vendit, por jo nga qarku i Tiranës. “Nuk ka asnjë kërkesë nga prokuroria e Tiranës për sekuestrim të kutive të këtij qarku. Ndërkohë, që në dy-tre muajt e fundit ka pasur kërkesa për sekuestrim të kutive të materialeve zgjedhore nga zona të caktuara, kryesisht nga komunat”, tha Dobrusha. 

Era e ngrohtë e vendlindjes

Shërbimi civil. Nuk mund ta kryesh nëse je i huaj