in

Zgjedhjet në Shqipëri. Propozimet e OSBE/ODIHR-it

Pas problemeve me numërimin e votave në Tiranë, në zgjedhjet e 8 majit, dhe veçanërisht me ato të hedhura në kutitë e gabuara, ekspertët propozojnë “ndryshime dhe qartësime në procedura” duke kërkuar “përcaktim të qartë se si do të veprohet me votat e hedhura në kutinë e gabuar e po ashtu edhe pasqyrimi i tyre në tabelat e rezultateve”. Duke iu referuar diferencës shumë të vogël të votave në garën për Bashkinë e Tiranës saktësojnë që “çdo detaj kthehet potencialisht vendimtar dhe detyra e administratës zgjedhore, që të veprojë në mënyrë të paanshme, është jetike”.

Tiranë, 6 dhjetor 2011 – Dy anëtarë dhe një ekspert i Komisionit të Venecias si dhe një ekspert i OSBE/ODIHR-it, kanë ofruar  një projekt vlerësimi dhe rekomandimesh për reformën zgjedhore në Shqipëri.

Në projektin e publikuar nga “Zëri i Amerikës”, vëmendje e veçantë i kushtohet aspekteve që lidhen me zgjedhjet vendore të cilat në Kodin aktual “ishin lënë pas dore” ku ekspertët sugjerojnë ndryshime dhe përmirësime në shumë prej neneve.

Ata propozojnë lidhur me “rregulla që të garantojnë emërimin e shpejtë të anëtarëve të komisioneve zgjedhore”, në rastet kur ata zëvendësohen, apo “rregulla që të ndalojnë heqjen e tyre pa një arsyetim të qenësishëm”, sikundër nuk konsiderohet normale që në momentin e shortit për anëtarët e kolegjit zgjedhor një gjykatës të mund të refuzohet pa motivacion.

Pas problemeve që u vunë re me numërimin e votave në Tiranë, në zgjedhjet e 8 majit, dhe veçanërisht me ato të hedhura në kutitë e gabuara, ekspertët propozojnë “ndryshime dhe qartësime në procedura” duke kërkuar “përcaktim të qartë se si do të veprohet me votat e hedhura në kutinë e gabuar e po ashtu edhe pasqyrimi i tyre në tabelat e rezultateve”.

Gjithashtu sugjerohet që “të specifikohet qartësisht se si duhet të veprohet në rastet kur votat dhe kutitë me materiale merren në dorëzim si të rregullta e më pas del në dritë se kanë probleme serioze”.

Ekspertët shprehen mendimin se në Kod “duhet të mbahen më mirë parasysh specifikat e zgjedhjeve vendore, në veçanti ato që lidhen me marrëdhëniet me mediat, financimin e fushatës dhe veçantitë e zgjedhjeve në Tiranë”. Si dhe “eliminimi i mangësive të tjera dhe paqartësive, për sa i përket për shembull, zbatimit të pragut në zgjedhjet vendore, kërkesat mbi përfaqësimin gjinor dhe ankimimet”.

Për ekspertët, “sfida kryesore mbetet largimi nga përbërja aktuale e komisioneve zgjedhore të bazuar në ekuilibrin mes dy partive kryesore, drejt një administrate zgjedhore, ku të jenë përfshirë edhe elementë jo politik dhe të paanshëm”.     

Ky ndryshim – theksohet – është i domosdoshëm nëse kërkohet të ulet polarizimi dhe konfliktet në administratën zgjedhore”. Duke iu referuar Kodit të Praktikave të Mira në Çështjet Zgjedhore, theksohet se “aty ku nuk ka një traditë të gjatë pavarësie të autoriteteve të administratës nga pushteti politik, komisionet në të gjithë nivelet duhet të jenë të pavarura dhe të paanshme. Megjithëse nuk ka një formulë të vetme të këshillueshme për përbërjen e organit më të lartë të administrimit të zgjedhjeve, paanësia e anëtarëve të tij në ushtrimin e funksioneve të tyre, është e një rëndësie themelore dhe një kusht i domosdoshëm për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike. Pavarësisht se si është strukturuar administrata zgjedhore, është e rëndësishme që jo vetëm të funksionojë në mënyrë të paanshme, por edhe të perceptohet nga publiku se po e bën një gjë të tillë”.

Sipas ekspertëve, “ka disa variante për të reduktuar polarizimin, që nga rritja e numrit të institucioneve që emërojnë anëtarë, duke ftuar institucione të ndryshme publike që të emërojnë përfaqësuesit e tyre, mes të cilëve një anëtar i sistemit gjyqësor ose anëtarë të pavaruar të shoqërisë civile”.

“Një gjë e tillë – vlerësojnë ekspertët – mund të rriste efikasitetin e administratës zgjedhore dhe të kontribuonte në arritjen e konsensusit”. Por më pas, ata vetë janë të ndërgjegjshëm në vështirësinë e arritjes së një administrate zgjedhore jo politike në Shqipëri. “Duhet pranuar se në  mjedisin aktual politik në Shqipëri, do të jetë jashtëzakonisht e vështirë të identifikohen individë apo ente që konsiderohen të paanshme, të cilave mund t’u besohet detyra për të emëruar anëtarë të paanshëm të KQZ”, shprehen ata duke shtuar se “kjo megjithatë nuk duhet t’i pengojë autoritetet që të kërkojnë ta shohin si një mundësi për ta trajtuar”.

Në dokumentin e përbashkët të Komisionit të Venecias dhe OSBE/ODIHR-it saktësohet se një peshë të madhe ka vullneti i forcave politike për të zbatuar ligjet. “Nuk është e sigurt se problemet e përsëritura në zhvillimin e zgjedhjeve në Shqipëri mund të zgjidhen vetëm me ndryshime në legjislacionin zgjedhor.

Eksperienca e fundit me zgjedhjet vendore në Shqipëri, tregoi se edhe një legjislacion zgjedhor gjithpërfshirës dhe i detajuar, nuk garanton zhvillimin e zgjedhjeve në përputhje të plotë me angazhimet e OSBE-së dhe Këshillit te Evropës dhe standardeve të tjera ndërkombëtare, në mungesë të vullnetit të mirë mes aktorëve kyç për të zbatuar ligjin  në mënyrë të paanshme dhe të ndershme.

Kjo – shtojnë ekspertët – i detyrohet në veçanti, një mjedisi të karakterizuar nga polarizimi i rënduar dhe mungesa e besimit mes dy partive kryesore politike. Ndryshimi i sjelljes dhe praktikave nga grupimet kryesore dhe udhëheqësit e tyre është për pasojë i një rëndësie thelbësore, sikundër dhe paanësia e administratës elektorale”, theksohet në projekt Opinion.

Duke iu referuar diferencës shumë të vogël të votave në garën për Bashkinë e Tiranës saktësohet se “çdo detaj kthehet potencialisht vendimtar dhe detyra e administratës zgjedhore, që të veprojë në mënyrë të paanshme, është jetike”.

Sipërmarrësit shqiptarë në Pistoia, sukses i përbashkët

Shqiptarët e Italisë nderojnë Reshat Arbanën me Çmimin Skënderbeu