in

Zgjidhet çështja e italianit të burgosur në Durrës

Baristi nga Pescara, ishte arrestuar në Shqipëri për një sentencë fantazmë të lëshuar në Marok për trafik ndërkombëtar makinash të vjedhura. Dje, pas mëse dy javëve burg në Durrës, historia e tij u zgjidh dhe ai u kthye në Itali

Romë 22 shtator 2010 – Një udhëtim në Shqipëri për gjueti u shndërrua në një makth për shtetasin italian Michele Cusanno.

Sapo mbërriti në Durrës, 47 vjeçari nga Pescara u arrestua nga policia shqiptare në bazë të një kërkese të autoriteteve të Marokut. Sipas një vendimi të Gjykatës së Rabatit, personi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar më datë 30 mars 2005 dhe rezultonte i dënuar me pesë vjet burgim për trafik ndërkombëtar automjetesh. E paradoksi është se për këtë procedim ndaj tij, Michele Cusanno nuk ishte në dijeni.

Pas mëse dy javësh ta kaluara në burgun e Durrësit, ngatërresa gjyqësore u zgjidh falë Zyrës së Avokatisë pranë Ambasadës Italiane në Tiranë në bashkëpunim më përfaqësinë e Romës në Marok, dhe dje Cusanno u kthye pranë të afërmve të tij në Itali.

Sipas avokatit mbrojtës Emanuele Ferretti dhe vetë të akuzuarit, një rol të ndjeshëm në zgjidhjen e çështjes luajti dhe kompetenca dhe korrektesa e autoriteteve shqiptare. Vetë Michele Cusanno falënderoi publikisht drejtorin e burgut te Durrësit Avdulla Duka dhe të gjithë personat që e kanë ndihmuar në këtë periudhë, pa dyshim më e vështira e jetës së tij.

“Për fat të mirë kam karakter të fortë. Një njeriu më të dobët se unë mund t’i shkonte mëndja dhe të vriste veten” rrëfen baristi nga Pescara që shpjegon se si në burg nuk i ka munguar asgjë, por kjo natyrisht që nuk ka pakësuar ankthin e tij. “Mendojeni veten në burg në një vend të huaj, ku nuk njihni njeri e nuk dini gjuhën”.

Për këtë rast senatori Andrea Pastore i kishte paraqitur një kërkesë për sqarime ministrit te Drejtësisë Angelino Alfano dhe atij të Punëve të Jashtme Franco Frattini. (Ir.Ca.)

Alemanno: “Një shesh për Nënë Terezën në Romë”

‘Spartiti per Scutari’, koncert në Bagnacavallo