in

Zhvillimi sipas Legës: “Të papunët e huaj, në shtëpi të tyre pas tre muajsh”

Mes propozimeve të paraqitura nga Lega Nord është (sërish) heqja e rimbursimit të të ashtuquajturës “arka e integrimit” (cassa integrazione) për të huajt që humbasin vendin e punës. Khalid Chaouki (Pd): “Racistë, t’u vijë turp!”

Romë, 21 tetor 2011 – Ndërsa Italia përpiqet të dalë nga një prej krizave ekonomike më të rënda të historisë së saj, legistët nuk kanë ide më të mirë se të propozojnë (si gjithnjë) të diskriminohen dhe të dëbohen nga Vendi punonjësit e huaj.

Është shkruar në propozimin e ligjit të paraqitur më 19 tetor nga deputetët e Legës, i nënshkruar nga kryegrupi Reguzzoni, në kuadrin e dekretit për zhvillimin. Mes të tjerash, parashikohet “reduktimi në vetëm tre muaj i të drejtës së rimbursimit për papunësi për shtetasit jokomunitarë, nga gjashtë që parashikohen në tekstin unik që disiplinon imigracionin”.

Ai që pati këtë ide gjeniale ka qenë Massimo Bitonci, që udhëheq legistët në komisionin e bilancit. “Praktikisht, – ka shpjeguar ai – në rastin kur një qytetar jokomunitar humbet vendin e punës, e nuk mund të tregojë se mund të mbajë vetën, me të kaluar tre muajt mund të riatdhesohet”.

Në të vërtetë, ajo që Reguzzoni me shokë konsiderojnë ide revolucionare, është një budallallëk i propozuar edhe më parë pa u pranuar asnjëherë. Në vitin 2009, legisti Fugatti provoi të kërkonte një kufi maksimal prej gjashtë muajsh për rimbursimin e papunësisë të jokomunitarëve, por pastaj e tërhoqi menjëherë sapo i vunë në dukje që ishte pa më të voglin dyshim antikushtetuese dhe kundër ligjit mbi imigracionin, që barazon punonjësit e huaj me ata italianë.

Këmishët e gjelbra harrojnë edhe angazhimet e marra nga qeveria në të cilën bëjnë pjesë. As një vit më parë, pikërisht në Montecitorio, nënsekretari për Ekonominë Giuseppe Casero pranoi në fakt dy rende të ditës (të PD-së dhe të të PdL-s) për të shtrirë kohëzgjatjen e lejes së qëndrimit për kërkim pune, në mënyrë që t mos kthehet në klandestin ai që për shkak të krizës humbet vendin e punës. Reguzzoni ishte në sallën e Deputëtëve atë ditë, apo jo?

Chaouki (PD): “Për Legën imigrantët janë punonjës “përdo dhe hidh””

“Propozimet e Legës mbi punonjësit imigrantë të kujtojnë regjimet më të këqija kolonialiste, ku imigrantët konsideroheshin vetën makinë pune “përdor e hidh” pa dinjitet e pa të drejta” komenton Khalid Chaouki, përgjegjës për qytetarët e rinj në PD.

“U duhet kujtuar zotërinjve legistë, në hall për protestat e bazës së tyre, që punonjësit imigrantë nuk janë në dispozicion të Bossit dhe Reguzzonit. Janë para së gjithash persona që kanë dhënë kontributin e tyr për vite me radhë për mirëqenien e këtij Vendi, në shumë raste të legalizuar nga qendra e djathtë me një sanatore rekord dhe që sot, viktima të krizës ekonomike q nuk varet prej tyre, nuk mund të flaken tutje dhe të etiketohen si klandestinë që duhen dëbuar”.

“Lega Nord – përfundon eksponenti i PD-së – duhet të turpërohet nga propozimet raciste që nuk respektojnë parimin barazisë mes personave vetëm e vetëm për të marrë ndonjë votë më shumë”.

Elvio Pasca

Dhimitër Anagnosti, Nder i Kombit

I kërkuar nga drejtësia shqiptare, arrestohet në Romë