Përse shqiptarët janë ndër të paktët që përpiqen të arratisen nga burgjet italiane. Shpesh duke ia dalë mbanë.
nga Rando Devole
Si për të na kujtuar thënien e famshme se jeta imiton artin, arratisja e bujshme e një shqiptari nga burgu i Milanos, na solli ndër mend filmat bardhë e zi që kemi parë në fëmijëri. Të veshur si zebrat, me gjylen në këmbë të porsashkëputur, të burgosurit rrëshqisnin si hije nëpër muret me njolla prozhektori, zbrisnin nga dritaret me litarë të përftuar nga çarçafët dhe me shkathtësi kapërcenin muret e larta. Pastaj, në film vijonin dritat e prozhektorëve, sirenat e alarmit, lehjet e qenve, krismat e pushkës, të bërtiturat e rojeve.
Filmat me ngjyra, telefilmat modernë, romanet e fundit, ndoshta i kanë përpunuar ca më shumë teknikat e arratisjes. Tani kemi të burgosur që bllokojnë kompjuterët e burgut, që studiojnë hartat e hollësishme, që fluturojnë me helikopter… Por koha dëshmoi, e nuk është rasti i vetëm, se edhe sistemet moderne të alarmit, rrezet kontrolluese të lazerit, kompjuterizimi i hekurave, telegjëmbizimi i mureve, dështojnë përballë modelit më klasik të arratisjes: çarje në mur ose tunel nëntokë, litar çarçafi të prerë, shkathtësi akrobati në mur dhe vrap i shpejtë gazele.
Rastet e shqiptarëve që arratisen nga burgu në vendet perëndimore nuk janë numerikisht aq të papërfillshme, sa për t’i lënë vetëm në faqet “tërheqëse” të kronikës së zezë. Pyetja se përse shqiptarët përpiqen të largohen nga burgu (ku me sukses e ku pa sukses), ndërsa të tjerët janë dorëzuar ta kryejnë dënimin e marrë, nuk ka lindur së fundi. Ka kohë që dikush e ka marrë mundimin ta interpretojë edhe pse ndoshta kjo pyetje nuk do ketë kurrë një përgjigje përfundimtare, e cila të metën e ka pikërisht tek përgjithësimi devijues, por edhe i pashmangshëm, siç ndodh kësi rastesh.
Kush kërkon shpjegime nëpër hartat gjenetike të shqiptarëve është i destinuar të dështojë. Nuk ka analizë gjaku që mund të japë ndonjë “diagnozë” për të burgosurit shqiptarë që arratisen nga burgu. Për të vetmen arsye se gjenetika (gjaku është i kuq për të gjithë) nuk mund të shpjegojë shkaqet që fshihen në kushtet sociale apo në psikologjinë e njeriut.
Nga ana tjetër thuhet se kushtet e të burgosurve të huaj në Itali janë shumë të vështira. Studiues që merren me këto çështje tregojnë se të huajt duke mos pasur një shtëpi të tyren (si rezidencë) e kanë shumë të vështirë të përfitojnë nga lehtësimet e ligjit. Mendohet se duke mos pasur familje, pika referimi, mundësi edukimi, ata zhduken menjëherë dhe përpiqen t’ia hedhin kontrollit gjyqësor. Si pasojë drejtësia tregohet dorështrënguar. Në përgjithësi pra, të burgosurve të huaj u mungon perspektiva. Ata janë të detyruar ta kryejnë dënimin deri në fund dhe pa ulje të ndjeshme.
Të gjitha këto mund të jenë të vërteta, por nuk i japin përgjigje pyetjes se përse shqiptarët orvaten të ikin nga burgu. A nuk janë në të njëjtën gjendje edhe të burgosur të tjerë, jo vetëm italianë por dhe ekstrakomunitarë? A nuk janë të njëjta vështirësitë si: mbipopullimi, largësia nga vendi i origjinës, mungesa e familjes, etj. etj.? Natyrisht që po. Të gjithë të burgosurit kanë probleme pak a shumë të njëjta.
Kohë më parë dikush hidhte idenë se problemi është tepër teknik. Rojet e burgut nuk ua mbajnë mend emrat e çuditshëm dhe i ngatërrojnë, duke mos marrë masa të rrepta ndaj më të rrezikshmëve. Dakort, por emrat e shqiptarëve nuk është se kanë një nivel çuditërie më të lartë se një maroken, rumun apo tunizian. Po aq i pakuptimtë më duket shpjegimi me anë të aftësive akrobatike dhe muskujve alla Shvarceneger të burgosurve shqiptarë.
Përveçse arsyeve individuale i duhet hedhur një shikim edhe historisë së vonë të Shqipërisë, bij të së cilës janë edhe ata që marrin guximin të arratisen. Shqipëria, vetëm 15 vjet më parë, ishte një burg për të gjithë. Në të vërtetë, ishte një burg si kutitë kineze: brenda kishte burgje të tjera. Në burgun e madh jetonin të gjithë shqiptarët, të cilët nuk kishin të drejtë të largoheshin nga vendi. Në fakt, folja “arratisem” përdorej rregullisht (p.sh. u dënua se u arratis jashtë shtetit) për atë veprim që në vende të tjera mund të thuhej “shkoj jashtë vendit”. Pra përdorej një folje që normalisht duhej shoqëruar nga fjalë si “burgu”, “spitali psikiatrik”, etj. Brenda burgu të madh ekzistonin të internuar (internimi ishte një lloj burgu) dhe të burgosurit e mirëfilltë. Ka mundësi që kjo mbyllje hermetike shumëvjeçare të ketë krijuar një farë klaustrofobie sociale dhe një refuzim ndaj autoritetit tek disa shqiptarë.
Kur Shqipëria hapi kufijtë, nëpër Evropë u vërsulën edhe ata që e konceptonin lirinë si anarki. Mirëpo, demokracia dhe liria nuk duhen ngatërruar me mungesën e rregullave apo me lirinë absolute. Thënia e njohur në perëndim:”E drejta jote mbaron atje kur fillon e drejta e tjetrit”, nuk u kuptua nga të gjithë shqiptarët. Kishte prej tyre që e panë perëndimin si një Far Uest pa kurrfarë ligjesh, ku fitonte më i forti. Një xhungël e vërtetë. Shumëkush e di se liria primitive që e shoqëron xhunglën është e papajtueshme me kufizimin e lirisë që ushtron burgu. Si rrjedhim, izolimi në burg perceptohet si më i padurueshëm dhe më i vështirë.
Për ata që hekurat e dritareve nuk i durojnë dot dhe në rastin më të parë mendojnë të arratisen nga burgu, Shqipëria duhet të luajë një rol shtytës kryesisht për dy arsye. Rënia e regjimit komunist shkaktoi një tronditje të thellë në shoqërinë shqiptare. Së bashku me regjimin ra pjesërisht edhe shteti me autoritetin e tij. Kjo shkaktoi mosrespektimin e rregullave shoqërore dhe lulëzimin e krimit në të gjitha llojet e veta. Anormia sociale (mungesa e normave dhe e rregullave) arriti kulmin në Shqipëri pas trazirave të 1997-s, të cilat pasuan rënien e firmave piramidale. Shqipëria me depo armësh të shkallmuara dhe me burgje të thyera u shndërrua në një habitat ideal për krimin e organizuar. Për një periudhë kohore shteti fillonte e mbaronte në bulevardin “Dëshmorët e kombit” të kryeqytetit. Rrënimi që pësoi shteti do të kishte qenë i riparueshëm sikur të kishte mbetur vetëm në aspektin material. Ndërtesat e prishura rregullohen, depot e armëve rimbushen, shkollat riparohen, xhamat e thyera zëvendësohen. Problemi është se autoriteti i shtetit dhe aftësia e tij për të rregulluar jetën shoqërore u lëndua rëndë edhe në psikologjinë e disa shqiptarëve. Kështu anomia u bë norma e përgjithshme dhe frika ndaj ndëshkimit ra në nivele tepër të ulëta. Në sytë e kriminelëve shteti u bë një autoritet sa i papërfillshëm aq edhe i padurueshëm.
Nga ana tjetër, duhet thënë se shteti aktual shqiptar nuk është se e ka marrë veten plotësisht. Drejtësia ka ende probleme strukturore dhe është larg standardeve evropiane. Në këtë kuptim, për shumë emigrantë që kanë thyer ligjin në vende të tjera, Shqipëria përbën një porto franco ku mund të fshihen kollaj. Me fjalë të tjera, midis një ekstrakomunitari me kombësi “x” dhe një shqiptari, tundimi për ta bërë çarçafin litar i vjen më shumë të dytit se të parit. I pari ka pak gjasa që të dalë pa lagur, kurse i dyti, ka shanse që të kthehet në vendlindje e ta rifillojë jetën pa probleme. Kontrolli shoqëror në Shqipëri ka rënë ndjeshëm, kurse shteti shqiptar nuk ka arritur ende aftësinë e kapjes së atyre që thyejnë rregullat dhe bëjnë krime. Si të thuash, thënia shqiptare (relativisht e vjetër) sipas së cilës “Qeveria e kap lepurin me qerre”, nuk vlen për Shqipërinë e sotme. Ajo shprehje nënkuptonte një shtet konstant, një drejtësi ndoshta të ngadaltë por kokëfortë e këmbëngulëse, një polici që ndjek objektivat me rreptësi e ndershmëri. Cilësi që sot për sot, për fat të keq, nuk ekzistojnë.
Natyrisht, refuzimi i autoritetit shtetëror ose shoqëror, ka të bëjë me përbrendësimin e disa vlerave të domosdoshme sociale. Një nga këto është edhe vlera e lirisë. Në rast se kjo kuptohet si respekt ndaj të tjerëve, por edhe si një vlerë e paçmuar, që nuk mund të harxhohet kot së koti në burg, atëherë do të kemi më pak shqiptarë pas hekurave dhe më pak nga ata që i thyejnë ato për të rishijuar atë ajër të lirë që gëzonin më parë.
Rando Devole
Bota shqiptare nr. 128 – prill 2005