in

Zyrë në Shqipëri për punësimin në Itali

Itali-Shqipëri negociojnë Memorandumin “Mirëkuptimi për zbatimin e marrëveshjes për Migracionin e Punës”. Firmosja e këtij Memorandumi do t’u mundësojë shqiptarëve që të përfitojnë në mënyrë të pakufizuar nga ofertat në tregun italian të punës si dhe të përmirësojnë profilin e tyre profesional

Tiranë, 5 maj 2011 – Ngritja e një Zyre Koordinimi në Ministrinë e Punës së Shqipërisë për lehtësimin e shkëmbimit të informacionit mes Shqipërisë dhe Italisë për lidhjen e kërkesës dhe ofertës për punë. Është një nga pikat e Memorandumit të Mirëkuptimit me Ministrinë e Punës dhe Politikave Sociale të Italisë në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes për Migracionin e Punës, nënshkruar në 2 dhjetor 2008 në Tiranë nga kryeministrat Berisha dhe Berluskoni.
Një delegacion i Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale të Italisë ndodhet këto ditë në Tiranë për të diskutuar me palën shqiptare, përfaqësuar nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, rreth draftit të Memorandumit i cili, ndër të tjera, do t’u mundësojë shqiptarëve të marrin informacion të përditësuar rreth ofertave për punë që vijnë nga tregu italian i punës dhe të paraqesin kërkesat e tyre për të përfituar nga këto oferta. Kjo do të bëhet e mundur nëpërmjet ngritjes së strukturave përkatëse, të cilat do të lehtësojnë shkëmbimin e informacionit mes dy vendeve, ku një vlerë të madhe merr ngritja e Zyrës së Koordinimit pranë Ministrisë shqiptare të Punës, e cila, sipas parashikimit dhe vullnetit të shprehur nga të dy delegacionet do të ngrihet në shtator të këtij viti, menjëherë pas nënshkrimit të memorandumit nga ministrat homologë. 
Takimi i mbajtur sot mes dy delegacioneve në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta pason takimin e zhvilluar në Romë disa muaj më parë, në qendër të të cilave ishte hartimi i një dokumenti të përbashkët, i cili do të bëjë të mundur krijimin e kushteve për nxitjen e menaxhimit të bashkërenduar dhe efikas të flukseve migratore.
Përfaqësuesit e delegacionit italian në fillim të takimit bënë një pasqyrë të ekonomisë italiane, prirjes së tregut të punës, të quadri ligjor në fushën e marrëdhënieve të punës si dhe profesioneve në të cilat mund të jenë më së shumti të fokusuara ofertat e punëdhënësve italinë për punëmarrësit shqiptarë, si shërbime turizmi, ndërtim dhe bujqësi. 

“Miratimi i një Memorandumi të tillë do të shërbejë si fillesa e një bashkëpunimi të vazhduar në të ardhmen në fushën e migracionit, punësimit dhe formimit profesional me Italinë”, u shpreh Ibrahim, Drejtori i Përgjithshëm i Politikave në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.
Firmosja e këtij Memorandumi do t’u mundësojë shqiptarëve që të përfitojnë në mënyrë të pakufizuar nga ofertat në tregun italian të punës si dhe të përmirësojnë profilin e tyre profesional.

Ministria e Punës i shprehu delegacionit italian angazhimin se me strukturat e saj dhe partnerët është e gatshme të angazhohet në përzgjedhjen, përgatitjen e punëtorëve emigrantë nga Shqipëria, si dhe në mbështetjen e tyre me shërbime riintegrimi pas kthimit në Shqipëri. 

Memorandumi parashikon që palët nënshkruese të bashkëpunojnë për krijimin e kushteve për menaxhimin e bashkërenduar dhe efikas të flukseve migratore, me synim lehtësimin e procedurave të përzgjedhjes, rekrutimit dhe vendosjes së shtetasve shqiptarë në tregun italian të punës, në rast të mungesës së krahut të punës atje. Po ashtu, palët angazhohen të nxisin rrugët ligjore të migracionit, nëpërmjet mekanizmave të punësimit sezonal, kurseve të trajnimit, etj.

Mos kini frikë – Grand Hotel Albania / 6

Berlusconi dëshiron një stadium me emrin e tij