in

1 mars: pa pasaportë biometrike jo vetem nuk hyn, por as nuk del dot nga Italia

Shqiptarët me pasaportën jobiometrike po ndalohen sot në aeroportet e Italisë. Policia e kufirit e Fiumicinos: “Nëse nuk ke pasaportë biometrike nuk mund të kalosh. Shko pajisu me leje kalimi në konsullatë”

Romë, 1 mars 2012 – Redaksia e Shqiptari i Italise eshte bombarduar keto ore nga dhjetera telefonata te shqiptareve neper aeroporte te cileve nuk u eshte lejuar dalja nga Italia me pasaportat jo-biometrike. Policia italiane po zbaton me perpikeri te verber udhezimin e mberritur duke u justifikuar se “Pasaportat nuk janë të vlefshme, siç na ka lajmëruar qeveria shqiptare”.

Ndërkaq zëvendësministri i Brendshëm shqiptar Ferdinand Poni thotë në Tiranë për shtypin se në pikat kufitare të Shqipërisë asnjë qytetar nuk mund të dalë pa pasaportë biometrike. Madje ka shtuar se “të gjithë qytetarët shqiptarë që do të rikthehen në vend, mund të përdorin dokumentin e vjetër, i cili është i vlefshëm për të hyrë në Shqipëri”. Por harron që për të shkuar në Shqipëri, duhet kaluar më parë edhe nga një pikë kufitare e një vendi tjetër, të cilit i është komunikuar zyrtarisht që pasaportat e vjetra nuk janë të vlefshme, siç pohojnë edhe në ambasadën shqiptare në Romë. Ndaj, me të drejtë, në bazë të komunikimit, Italia, për shembull, nuk lë të kalojë në kufi (as në dalje e as në hyrje) asnjë shqiptar që nuk ka pasaportën e re biometrike.

Në Fiumicino, policia e kufirit, kur i pyetëm nëse ka ndonjë problem po të paraqitesh me pasaportën e vjetër të paskaduar, na e kthyen menjëherë: “Nëse pasaporta nuk është biometrike, këtej nuk kaloni”. Madje edhe këshillon: “Shkoni në konsullatë e pajisuni me leje kalimi”.

Nga Rimini, kryetari i shoqatës së shqiptarëve Agimi, Edmond Kumaraku, thotë se ka kontaktuar që në mëngjes me policinë e aeroportit të Riminit. Edhe atje ia kanë prerë shkurt: “Pasaportat jobiometrike nuk i konsiderojmë më të vlefshme për shkak se një lajmërim i tillë na ka ardhur nga Shqipëria. Ne zbatojmë vendimin e marrë në bazë të asaj çka na lajmëron shteti shqiptar”.

Edhe nga Ambasada shqiptare në Romë shprehen se është e vërtetë që nga sot shteti italian nuk i njeh pasaportat e vjetra për shkak të komunikimit zyrtar të vendimit të marrë nga qeveria shqiptare. Janë në dijeni që në disa aeroporte janë ndaluar shqiptarë por nuk mund të bëjnë asgjë. E vetmja gjë që këshillojnë është që të gjithë shqiptarët pa pasaportën e re të aplikojnë sa më shpejt, ose të marrin një leje kalimi nëse kanë urgjencë të nisen për në Shqipëri. Por duhet mbajtur parasysh që leja e kalimit vlen vetëm për udhëtimin Itali-Shqipëri (jo për të shkuar me shërbim në Austri, për shembull) dhe se nga Shqipëria duhet të dalësh patjetër me pasaportën e re.

Keti Biçoku

Lexo edhe:

Kombëtarja shqiptare nis me humbje vitin 2012

Olen Cesari: “Lucio Dalla, një mik i shtrenjtë”