in

100 telefonata ish të dashurës natën e Vitit të Ri. Arrestohet për stalking

Mëse 100 telefonata brenda pak orëve natën e Vitit të Ri i kanë kushtuar shtrenjtë një shqiptari 23 vjeç në Romë. Është arrestuar për stalking

Romë, 4 janar 2012 – Duke mos arritur të besojë e t’i nënshtrohet idesë që historia trevjeçare e dashurisë me një bashkatdhetare kishte marrë fund, për ta bindur të renë të kthehej sërish me të, 23-vjeçari shqiptar L.V. nuk ka lënë gur pa lëvizur. Duke detyruar kështu vajzën e familjen e saj të jetojë në ankth të vazhdueshëm. Pas një paditjeje të parë në polici, vajza kishte ndërruar edhe qytet, duke u transferuar nga Verona në Romë. Në maj të vitit të shkuar gjykatësi për hetimet paraprake i Veronës i ndaloi të riut persekutues t’u afrohej vendeve të frekuentuara nga ish e dashura e tij si edhe të komunikonte me të me telefon apo internet.

Por ndalimi i gjykatësit nuk pengoi 23-vjeçarin të vazhdonte kërkimet e ish të dashurës. Në dhjetor, me të zbuluar adresën e re romake të vajzës, nisi t’i zërë sërish pritë përpara portës së pallatit. Aq sa natën e Vitit të Ri vajza nuk arriti as të dilte për të festuar me miqtë. E ndërkaq vetëm atë natë të ndërrimit të viteve telefoni i vajzës ka rënë mëse 100 herë, për thirrje e mesazhe të ish të dashurit të saj.

Kur agjentët e komisariatit Viminale të Romës, të thirrur nga vajza kanë mbërritur në adresë të saj e kanë gjetur 23-vjeçarin L.V. teksa shqyrtonte emrat e banuesve të pallatit. L.V. është arrestuar me akuzën e veprës penale të stalking-ut.

Pas festave emigrantët kthehen në vendet ku punojnë

Ngjarjet që i dhanë tonin vitit 2011 në Shqipëri