in

100 vjetori i pavarësisë. Ish ambasadori Withers dhe profesori Qosja, qytetarë nderi të Vlorës

Ish-Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, John Withers dhe prof. Rexhep Qose, u vlerësuan sot me titullin “Qytetar Nderi i qytetit të Vlorës”. Me këtë rast, në sallën e Teatrit “Petro Marko”, u zhvillua një ceremoni, ku ishin të pranishëm edhe kryetari i PSSH, Edi Rama, të ftuar nga kryeqyteti e Kosova, personalitete të jetës politike e shoqërore, deputetë, etj.

Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, vlerësoi aktivitetin dhe personalitetin e Withers dhe të Qoses, duke u ndalur në disa aspekte të figurës së tyre. “Vendimin që këshilli bashkiak me unanimitet e mori në datën 8 nëntor, po jua komunikojmë sot, duke ju uruar njëkohësisht për këtë vlerësim që vjen nga shpirti i popullit vlonjat, në jubileun e 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, ngjarjes më madhore të historisë sonë kombëtare”, theksoi Gjika.      

“Ambasadori Withers do të kujtohet fare mirë gjatë ushtrimit të funksioneve të tij diplomatike në Shqipëri. Thjeshtësia e tij emblematike, gjuha e komunikimit, mjediset që zgjidhte për të përcjellë mesazhet diplomatike, shpesh jo dhe aq të tilla, për klasën politike, për të gjithë popullin shqiptar, kanë mbetur të freskëta në kujtesë edhe sot”, vlerësoi Gjika. 

Në falënderimin për dhënien e çmimit, ish-ambasadori Withers është shprehur i lumtur për vlerësimin duke e konsideruar si “nderin më të madh në jetë”, dhe optimist se Shqipëria do të ketë një rilindje të re. “Siguroj kryebashkiakun Gjika se Vlora ende vazhdon të ketë një vend special në zemrën time. Është hera e parë që jam kthyer në Shqipëri që kur ika si ambasador në 2010, tani kthehem si qytetar amerikan. Kur erdha sot në Vlorë pashë gjithë këta njerëz të mrekullueshëm, u ndieva sikur u ktheva në shtëpi. Dëshiroj të falënderoj politikanët dhe qytetarët e Vlorës”.

Ndërsa për akademikun kryebashkiaku theksoi se: “me kontributin e tij, Rexhep Qosja është padyshim pasardhës i mendimtarëve të mëdhenj të Rilindjes Kombëtare, i veprës së pavdekshme të Sami Frashërit. Ai është ikonë e mendimit filozofik aktual mbarëshqiptar, i pakrahasueshëm me askënd tjetër ndër bashkëkohësit, në këndvështrimin e ofrimit të zgjidhjeve për problemet që kanë dalë e dalin në çështjen kombëtare”. Për kryebashkiakun vlonjat, akademiku kosovar, me aktivitetin e tij, ka përcjellë mesazhe të forta në shërbim të vlerave dhe të moralit njerëzor, ka aspiruar e aspiron që në Shqipëri e në shoqërinë shqiptare të mbizotërojë mendimi, njeriu i vetëdijshëm, në radhë të parë për përgjegjësitë, njeriu i përgjegjshëm, në një shoqëri të përgjegjshme. 

Qose në fjalën e tij, veçoi mes të tjerash se vlerësimi me titullin në 100 vjetorin e Pavarësisë Kombëtare, është nderi më i madh që i bëhet atij. Qose tha se Vlora është qyteti i bukurisë dhe qyteti i lavdisë. Në këndvështrimin e tij, gjeografia dhe historia e caktuan Vlorën për të mbetur Qyteti i Flamurit, Qyteti i Pavarësisë.

Në këtë ceremoni foli edhe kryetari i PSSH-së, Edi Rama, i cili vlerësoi vendimin e këshillit bashkiak të Vlorës, për dy figurat, që sipas tij, i bëjnë nder Vlorës dhe historisë së këtij qyteti.
Ndërsa  historiani Pëllumb Xhufi u ndal në disa aspekte të aktivitetit dhe të dimensioneve të akademik Rexhep Qoses, ndërkohë që gazetari Sokol Balla, foli rreth kujtimeve që ai kishte në profesionin e vet me ish – ambasadorin Withers.

 

Kam marrë shtetësinë. A mund të marrin lejeqëndrim bijtë në moshë madhore?

Për ty Atdhe – Dhuratë në 100 vjetor