Shtator 2009. Gjykata: Roja duhet dëmshpërblyer nga shteti sepse kushtet në të cilat ka jetuar gjatë atyre ditëve të gushtit 1991 janë të krahasueshme me “një kamp përqendrimi”. Por është e hidhur të nënkuptosh që edhe pse siç thonë gjykatësit “i ngjante një kampi përqendrimi” nuk ishte ndonjë problem për sa kohë atje mbaheshin mbyllur vetëm klandestinë shqiptarë.
Luigi Roca, ish roja e stadiumit Della Vittoria të Barit u dëmshpërblye për burgimin që pësoi gjatë ditëve të valës së dytë të vërshimit të shqiptarëve në vitin 1991. Këtë vendosi Gjykata e Kasacionit në shtator 2009, që hodhi poshtë ankimin e paraqitur nga ministria e Brendshme mbi dëmshpërblimin e akorduar ish rojës së stadiumit nga gjykata e Apelit të Barit. Është fjala për 110 mijë euro që shteti, megjithëse ekzistonte një sentencë ekzekutive e gjykatës së Barit, kishte refuzuar t’i jepte Luigi Roca-s, duke u ankuar për sentencën në Gjykatën e Kasacionit.
Pas 18 vjetëve beteje gjyqësore, Luigi Roca, ka marrë, sipas avokatit të tij, dëmshpërblim të drejtë sepse ka vuajtur urie dhe etjeje gjatë atyre ditëve gushti të ’91-shit kur 18 mijë shqiptarë zbarkuan me Vlorën në brigjet e Adriatikut dhe u mbyllën nga forcat e policisë brenda stadiumit, që asokohe u përdor si të ishte një c.p.t. në qiell të hapur. Gjykatësit kanë arritur të krahasojnë kushtet e jetesës së përjetuar gjatë atyre ditëve me ato të “një kampi përqendrimi të sajuar papritur në stadiumin komunal”.
Roja mbeti i mbyllur brenda në stadium bashkë me mijëra shqiptarët për shkak të një keqkuptimi. Siç shpjegon e shoqja e tij në një emision televiziv, forcat e rendit duke mos ditur ekzistencën e dy rojeve të stadiumit, kishin marrë vetëm njërin prej tyre dhe e kishin dërguar në hotel, të bindur që kishin mbyllur vetëm shqiptarë në stadium, që edhe pse siç thonë sot gjykatësit “i ngjante një kampi përqendrimi” nuk ishte ndonjë problem për sa kohë atje mbaheshin mbyllur vetëm klandestinë shqiptarë.
Dhe sikur kjo ngjarje të mos kishte lënë asnjë gjurmë në kujtesën e politikës shqiptare, më 5 gusht 2011, në përvjetor të mbërritjes së Vlorës, presidenti i Shqipërisë Bamir Topi i jep medaljen e Mirënjohjes Komunës së Barit.