in

Mistere të Italisë{br}12/12/1969: kryedata e terrorizmit italian

Më bombën që shpërthen më 12 dhjetor 1969 në selinë e Bankës Kombëtare të Bujqësisë në Piazza Fontana në Milano, Italia hyn në një fazë historike që do të zgjste për mëse dhjetë vjet: terrorizmi

Nga Massimo Canario

“Të rrojë Italia, Italia e 12 dhjetorit, Italia me flamuj, Italia lakuriqe si gjithnjë, Italia me sytë e hapur në natën e trishtë, të rrojë Italia, Italia që bën qëndresë …”

Selia e Bankës Kombëtare të Bujqësisë në Piazza Fontana në Milano, 12 dhjetor 1969
Ndoshta pak të rinj, duke dëgjuar dhe kënduar këto vargje të njërës nga këngët më të famshme të kantautorit roman Francesco De Gregori, e dinin se cilit i referohej ai 12 dhjetor. 12 dhjetori është ai i vitit 1969 dhe, megjithëse mund të duket retorike, mund të thuhet që në atë ditë të 36 vjetëve më parë Italia, ajo republikane e ringjallur nga hiri në të cilin e kishte katandisur fashizmi,  humbi pafajësinë e vet.

Atë ditë nga ora 16.37 deri në 17.24, në Milano dhe Romë shpërthyen katër bomba: e para në kryevendin lombard, në sallonin qëndror të Bankës së bujqësisë në sheshin Fontana: shkaktoi 17 të vdekur dhe tetëdhjetetetë të plagosur; në kryeqytet një bombë e parë shpërtheu në një korridor të nëndheshëm të selisë qëndrore të Bankës Kombëtare të Punës, mes rrugës Veneto dhe asaj San Basilio: 13 punonjës u plagosën, një prej të cilëve rëndë; pak më pas dy bomba shpërthyen brenda disa minutave njëra nga tjetra, në Altarin e Atdheut, për fat, që të dyja pa viktima.

Po në Milano u gjet një çantë në Bankën Tregtare Italiane të sheshit Della Scala, me një tjetër bombë brenda, që nuk shpërthen për një defekt të shkrehësit; bomba u shpërthye në mënyrë të pashpjegueshme nga vetë policia po atë mbrëmje, duke shkatërruar kështu njëherë e përgjithmonë ato që mund të përbënin gjurmë të rëndësishme për të gjetur fajtorët.

Për shumë vetë kjo masakër, e para e një serie të gjatë, do të shënojë pikënisjen e të ashtuquajturës “strategji e tensionit”. Në të vërtetë, që më 8 gusht të po atij viti, një seri atentatesh, në të cilat ishin plagosur 12 vetë, kishin tronditur mbarë Italinë; por vetëm më 12 dhjetor jemi përballë një hapi vërtet cilësor: tani goditet për të vrarë e kjo bëhet qorrazi, pa u menduar se kush mund të humbasë jetën nga shpërthimi i një bombe.

Pse ajo datë? Pse pikërisht atë çast? Kjo pyetje do të përsëritet shpesh gjatë viteve në vazhdim, në raste të trishta të ngjashme; le të provojmë të japim një përgjigje, duke analizuar çastet më dramatike që, nga ajo periudhë e për mëse njëzet vjet, lanë gjurmë në jetën e këtij vendi.

Atentati i sheshit Fontana arrin pas një dyvjeçari të ngjeshur në ngjarje: viti 1968, duke lënë mënjanë gjykimet që mund të jepen mbi lëvizjen studentore që e ka karakterizuar, ka përfaqësuar një kthesë vendimtare në anë të ndryshme të botës: nga Franca, ku revolta rinore pati fillimet e saj, deri në Shtetet e Bashkuara, ku protesta u përqendrua kundër luftës në Vietnam; por edhe në Çekosllavaki ku studentët, intelektualët dhe punëtorët, të udhëhequr nga sekretari i partisë komuniste Alexander Dubcek, përpiqen t’i japin një të shtyrë regjimit të sklerotizuar filosovjetik dhe të përtërijnë nga brenda vendin: është “Pranvera e Pragës”, që do të mbytet në gjak nga tankset e dërguara nga Brezhnjevi.

Në Itali, përkrah studentëve, protagonistët e vërtetë të asaj lëvizjeje të gjerë rebelimi, do të jenë punëtorët që me beteja gjithnjë e më të ashpra, që zgjaten për thuajse gjithë vitin 1969, do të fillojnë të hedhin bazat për një përmirësim thelbësor të kushteve të tyre të jetesës dhe të punës.

Zgjedhjet politike që zhvillohen në qershor të vitit 1968 dëshmojnë qëndrueshmërinë e partive të qendrës që qeverisin vendin, përforcim të opozitës komuniste dhe një mundje të dukshme të dy partive socialiste që prej pak kohësh ishin bashkuar nën simbole të përbashkëta.

Krijohet përshtypja që bombat që shpërthejnë në dy qytetet kryesore italiane duan të japin një sinjal dhe njëkohësisht të ndjellin frikë dhe kaos aq të fortë sa nga palë të ndryshme të këshillohet një kthesë autoritare.

28 maj 1974 shpërthen një bombë në sheshin Della Loggia në Bresha gjatë një manifestimi antifashist duke shkaktuar 8 të vdekur dhe 94 të plagosur; më 4 gusht të të njëjtit vit një bombë shpërthen në trenin Italicus, në afërsi të San Benedetto Val di Sambro: do të numërohet 12 të vdekur dhe 105 të plagosur.

Edhe viti 1974 ka qenë një vit veçanërisht i rëndësishëm në historinë e vendit tonë: më 12 maj ishte zhvilluar një referendum popullor që kishte hedhur poshtë përpjekjen për shfuqizimin e ligjit për divorcin miratuar pak vjet më parë: fitorja e forcave progresiste kishte kapërcyer edhe parashikimet më optimiste.

Ora e stacionit të Bolonjës e mbetur në çastin e shpërthimit të bombës në 2 gusht 1980
2 gusht 1980 një tjetër bombë, këtë herë në stacionin e Bolonjës dhe në mes të ditës: do të mbeten mbi kalldrëm 85 të vdekur dhe mëse 200 të plagosur.

Në vend sapo kishte nisur kriza e mazhorancës e quajtur edhe e “bashkimit kombëtar” që kishte qeverisur vitet e fundit dhe situata dukej mjaft e rrëshqitshme.

24 dhjetor 1984 një bombë shpërthen trenin e shpejtë 904 Napoli-Milano: humbin jetën 16 vetë e plagosen mëse 100.

Jemi në mes të viteve tetëdhjetë: situata duket e qetë: zgjedhjet europiane të qershorit shënojnë për herë të parë parakalimin e partisë Komuniste italiane mbi partinë Demokristiane, por e majtë është e çorientuar dhe e paaftë për të reaguar kundër sulmeve ndaj të drejtave të fituara nga punonjësit.

Ndërsa vitet nëntëdhjetë do të kujtohen si ato të masakrave të mafies: vrasja e gjykatësve Falcone dhe Borsellino në vitin 1992 dhe bombat në Romë e Milano të vitit 1993.

Mafia, padyshim, por vështirë të mos vërehet edhe në këtë rast përpikëria me të cilën mbërrijnë bombat: gjatë vitit të fundit Italia ishte gjetur nën një tërmet të vërtetë gjyqësor dhe politik që, në thelb, kishte fshirë një klasë të tërë politike gjithnjë e më të korruptuar dhe të pambrojtur.

Por le të kthehemi tek ajo masakër e parë, edhe pse, për ca arsye, është paradikmatike për pothuajse të gjitha të tjerat, para së gjithash për aspektet gjyqësore: të vdekurit e sheshit Fontana, ashtu si edhe ata të Breshës dhe Italicus-it ende janë në pritje të drejtësisë dhe zor se do ta kenë një ditë.

Të njëjtën mbrëmje të 12 dhjetorit nis një operacion policie kundër rretheve të ekstremistëve të majtë. Kërkohet kështu t’u jepet menjëherë një profil politik bombave të Milanos dhe Romës. Mëse 80 persona arrestohen: mes tyre Giuseppe Pinelli, anarkist, punonjës i hekurudhave. Ai mbahet në zyrat e kuesturës së Milanos për tri ditë pa marrë asnjë akuzë të drejtpërdrejtë. Merret në pyetje nga komisari Luigi Calabresi dhe nga njerëzit e tij. Më 15 dhjetor Pinelli bie nga dritarja e katit të tretë të dhomës së komisarit, që në atë çast nuk ndodhej në zyrë. Versioni zyrtar i policisë që në fillim duket i pabesueshëm: Pinelli hidhet nga dritarja duke bërtitur “rroftë akarkia”, i dërrmuar nga masakra e kryer nga shokët e tij.

Policët e pranishëm në dhomë do të hetohen për vrasje nga pakujdesia; më pas, ndaj tyre do të hapet edhe një proces për vrasje të vullnetshme.

Disa gazeta të së majtës jashtëparlamentare, e para Lotta Continua, do të ndërmarrin një fushatë të ashpër shtypi kundër komisarit Calabresi, i cili vihet gjithashtu nën hetim.

Në vitin 1975 të gjithë policët do të dalin të pafajshëm sepse fakti nuk ekziston. Se ç’ka ndodhur në të vërtetë atë mbrëmje në dhomën e komisariatit milanez nuk do të merret vesh asnjëherë. Por pasojat e atyre ditëve vijnë zvarrazi deri në ditët tona.

“Origjina jonë”{br}Zafina Vasa në Antrodoko, krah Lin Delisë

110 mijë euro për ish rojen e stadiumit të Barit të gushtit 1991