Tiranë, 17 mars 2011 – Seksioni dygjuhësh i gjimnasit gjuhësor “Faik Konica” dhe gjimnasi “Themistokli Gërmenji”, organizuan sot në mjediset e Qendrës Kulturore “Vangjush Mio” të qytetit të Korçës, një konferencë shkencore me rastin e 17 Marsit, 150 vjetorit të bashkimit të Italisë dhe formimit të shtetit italian.
Mirjan Benvenuto, Përfaqësuese e Ambasadës Italiane të Tiranës, njëherazi mësuese në gjimnasin gjuhësor “Faik Konica”, tha se “përkujtimi i festës së Italisë në qytetin e Korçës nga nxënësit dhe mësuesit e dy shkollave ku mësohet gjuha italiane, është shprehje e ndjenjave të miqësisë që ekzistojnë midis dy popujve dhe vendeve tona”.
Mbi historikun e bashkimit gjuhësor dhe kulturor të Italisë, referoi studjuesi Arjan Kallço, i cili shpjegoi kushtet historike dhe shoqërore të Italisë të vitit 1861, që çuan në bashkimin dhe njëhësimin e kombit dhe shtetit italian.
Për nxënësit e shkollave “Faik Konica” dhe Themistokli Gërmënji” zonja Mirjan Benvenuto dhuroi librin “Plaku i mirë dhe vasha e bukur” të shkrimtarit italian Italo Svevo, të përkthyer nga Arjan Kallço.
Në kuadrin e 150 vjetorit të bashkimit të Italisë, në qytetin e Korçës, janë planifikuar dhe do të zhvillohen edhe disa veprimtari të tjera kulturore dhe artistike.