in

1980 – Kur në gojë të ujkut hidhnim valle

Kthim në errësirë
Nga Mehmet Biber
Botuar në “National Geographic”, 1980
Një artikull mbi Shqipërinë komuniste nga një gazetar i revistës angleze “National Geographic”. Ishte viti 1980, kulmi i izolimit të komunizmit shqiptar. Një album me foto dhe një reportazh i imët mbi Shqipërinë e atyre viteve parë nga një revistë perëndimore.

Aeroplani që fluturonte në jug të Jugosllavisë drejt në Adriatik u kthye 90 gradë dhe u drejtua për nga toka e Shqipërisë. Në lashtësi, legjionet romake, që vinin nga Apeninet në Brindizi, në thembrën e Italisë, duke kaluar nga Otranto, zbarkuan këtu dhe marshuan në lindje mes Selanikut dhe Kostandinopojës. Gotët dhe normanët e pusghtuan. Perandoritë Bizantine, Bullgare, Serbe dhe Veneciane patën ndikim në këtë vend. Më vonë turqit sunduan afërsisht pesëqind vjet dhe e bënë Shqipërinë vendin e vetëm me popullsi dominuese myslimane në Evropë. Pastaj erdhën ushtritë e Musolinit dhe Hitlerit.

Tani nuk ka asnjë korridor ndërkombëtar që kalon përmes Shqipërisë. Asnjë nga ato treqind kilometra rrugë që ka ajo aktualisht nuk është e lidhur me ndonjë pikë kalimi kufitare. Asnjë aeroplan i huaj nuk lejohet në hapësirën ajrore të saj. Fluturimet e ndryshme tregtare lejohen që të vijnë vetëm përmes hapësirës ajrore mbi det dhe në këtë rast duhet të kryhet gjatë orëve të ditës.

Në kabinën e aeroplanit ndodhej një grua e vjetër, një diplomat, një profesor austriak i gjuhës shqipe dhe disa biznesmenë që vinin për të blerë minerale dhe për të shitur makineri. Në avion përpiqesha që të krijoja një ide mbi këtë vend, duke u nisur nga vizitorët që po shkonin atje. Kryetari i Partisë Komuniste, diktatori Enver Hoxha, kishte deklaruar se vendi i tij ishte “i mbyllur ndaj armiqve, spiunëve, hipive dhe huliganëve, por i hapur ndaj miqve (marksistë apo jo), ndaj revolucionarëve dhe demokratëve përparimtarë si edhe për turistët e ndershëm që nuk ndërhyjnë në çështjet tona”.

Më i mprehtë ishte komenti i një agjenti tregtar: “vetëm të çmëndurit, diplomatët dhe gazetarët shkojnë në Shqipëri”. Unë isha një gazetar që kisha pritur afërsisht një vit për të marrë vizën për të ardhur këtu. Mendoja se çfarë mund të gjeja në këtë vend të vogël me 2,7 milion njerëz, me madhësinë e Marilendit dhe të panjohur aq sa Tibeti.
Sot “vendi i shqiponjave” është tërësisht i kolektivizuar. Kështjella e fundit e stalinizmit është vendi komunist më dogmatik, më i izoluar dhe më i prapambetur i Evropës, nën diktatin e një udhëheqësi që drejton vendin nga hiri i Luftës së Dytë Botërore në rrugën e modernizimit, nga plugu drejt traktorit, nga artizanati drejt fabrikës.
Këtu do të gjeja frutet e një eksperimenti të pazakonshëm social, një brez të tërë që rritet i mbyllur në një laborator socialist të vijës së ashpër, duke sfiduar botën, të vetizoluar, të “pandotur” nga Lindja apo Perëndimi.

Por papritur mbeta i shtangur pasi mund të humbja këtë vizitë që mezi kisha siguruar. Shqipëria ndalon hyrjen e njerëzve me flokë të gjatë dhe me mjekër, të grave me funde të shkurtra, pantallona të ngushta dhe me shfaqje të tjera të dekadencës borgjeze. Kishte mjaft tregime për vizitues të ndryshëm që ishin dërguar menjëherë tek berberi i aeroportit që t’i rruante.
Por ushtari që më takoi kur zbrita nga avioni ishte më i interesuar për pasaportën sesa për pamjen time. Kështu, mbërrita nën diellin e një dite shtatori në aeroportin më të vogël e më të përgjumur të Evropës, i rrethuar nga hija e palmave dhe portokallave të ngarkuara me kokrra.

Kopi Kyçyku më përshëndeti në turqisht dhe më dha planin e ditës të përgatitur nga një anëtar i komitetit të mikpritjes së Ministrinsë së Jashtme. Pastaj Kyçyku, më solli një kafe ekspres si dhe ca formularë për të plotësuar e së fundi më rrasën në një makinë Fiat, të prodhuar në Poloni, me të cilën udhëtuam për gjysmë ore drejt Tiranës, kryeqytetit. Gjatë rrugës, brigadat e fshatarëve në fusha linin punën për disa çaste dhe ngrinin kokën për të më hedhur ndonjë vështrim. Gjatë rrugës nuk kishte fare trafik.

Polic trafiku pa trafik
Jeta në Tiranë përqëndrohet rreth sheshit Skënderbej, me monumentin e këtij heroi që gjatë shek. XV luftoi kundër Perandorisë Otomane. Na krah është pallati modern i kulturës e pak më tej një seri ndërtesash mbretërore të Zogut, që subndoi në këtë vend gjatë viteve ’20 dhe ’30. Në një nga këto ndërtesa janë zyrat e revistës satirike Hosteni dhe ish-selia e vjetër e kuvendit është kthyer në teatër fëmijësh.

Përgjatë një kilometri nga sheshi Skënderbe deri te sheshi Universitar, shtrihej bulevardi Dëshmorët e Kombit, me statujat e mëdha të Leninit dhe të Stalinit anash, me ndërtesën e Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste, me ministritë e mëdha dhe stadiumin e futbollit. Pasdite, sheshi dukej i shkretë, një makinë zyrtare, një automjet ushtarak, një autobus, disa biçikleta, një grumbull grash të vjetra që fshinin rrugën. Megjithatë, në qendër të sheshit qëndronte një polic që drejtonte trafikun në mënyrë solemne. Shqipëria nuk lejon makina private dhe kryeqyteti i saj ka vetëm një dyzinë taksish, të gjitha pronë shtetërore. Shumica e tyre ishin rreshtuar pranë sheshit, shqiptarët rrallë i përdornin ato.

Ne u vendosëm në hotelin Dajti, ndërtuar nga italianët në fillim të vitit 1940. Ai ishte një nga dy hotelet e Tiranës për të huajt dhe vendasit nuk lejoheshin të kalonin natën aty.

Dhoma ime me ballkon ishte e zbukuruar nga një qilim. Poshtë, në dyqanin e dhuratave, një i tillë shitej 20 dollarë, sipas kursit të këmbimit. Pashë në dhomën e televizorit dhe konstatova se mund të ndiqeshin vetëm programe vendase. Studiova deklaratat për shtyp që ishin shpërndarë mbi një tavolinë të hollit kryesor dhe u ndala për par përpara një grumbull revistash e gazetash si Shqipëria e Re, Zëri i Popullit, gazeta partiake, dhe disa të përditshme të tjera shqiptare modeste dhe të ngjashme në përmbajtje. Seria e botimeve të Enver Hoxhës ofrohej në shumë gjuhë, por kjo nuk ndodhte me asnjë nga gazetat, revistat apo librat. Ishte sikur bota jashtë Shqipërisë nuik ekzistonte. Në muzg dola nga hoteli për të shkuar në sheshin Skënderbe. Çfarë ndryshimi! Dukej se gjysma e Tiranës, me 200 mijë banorë, kishte vërshuar në shesh pas punës. Disa shëtisnin përgjatë bulevardit, disa mblidheshin në grupe të vogla për të biseduar e disa të tjerë u drejtoheshin kioskave për të blerë cigare shqiptare, pije joalkoolike dhe gazeta. Të rinjtë dhe të rejat flirtonin me njeri-tjetrin. Prindërit shkonin në Pallatin e Kulturës për ndonjë koncert, shfaqje ose ekspozitë, ndërsa studentët mbushnin bibliotekën kombëtare. Në kaosin e autobusëve, biçikletave dhe këmbësorëve, polici në shesh drejtonte gjakftohtë trafikun me bilbilin e tij.
Për rreth dy orë zemra e Tiranës mbushej me jetë, për të rënë më vonë në qetësi. Madje edhe polici i trafikut shkonte në shtëpi.

Kombi që përçmon gjigantët “revizionistë”
Mëngjesin tjetër Bashkim Babani, shoqëruesi im, një burrë i hollë rreth të tridhjetave, më çoi në Pallatin e Kulturës. Shqiptarët janë mjaft krenarë për këtë ndërtesë që u nis nga rusët dhe u la përgjysmë kur ata u tërhoqën nga Shqipëria në vitin 1961, si rezultat i një përplasjeje ideologjike. Shoqëruesi më tha: “revizionistët sovjetikë dhe imperialistët ndërprenë gjithë ndihmat ndaj nesh dhe vendosën bllokadën ekonomike, duke menduar që ne shumë shpejt do të dorëzoheshim. Por ne i mobilizuam forcat tona dhe e përfunduam këtë ndërtesë. Ajo qëndron sot si simbol i triumfit tonë”.

Pas ndarjes me grupin e “renegatëve hrushovianë”, Hoxha u bashkua me armikun më të madh të Bashkimit Sovjetik, Kinën e Mao Ce Dunit.

Shqipëria u bë miku më i afërt i Kinës, mbështetësja e saj në Kombet e Bashkuara dhe mori prej saj ndihmë ekonomike prej një a dy miliardë dollarësh. Kjo zgjati deri në vitin 1978, kur Kina iu afrua Shteteve të Bashkuara “imperialiste” dhe Jugosllavisë “revizioniste”, duke shkaktuar thyerjen e “miqësisë së përjetshme”.

Nga do t’ia mbante këtë radhë Shqipëria?
Nga Tirana deri në fshatin më të humbur, nëpër rrugë, ndërtesa, fabrika, shkolla dhe ferma shkruheshin slogane me përgjigjen.
Në një parrullë në sheshin Skënderbej shkruhej: “Pa ndonjë ndihmë të huaj dhe pa mbështetje nga jashtë, do të mbështetemi vetëm në forcat tona”. Një tjetër deklaronte: “Ne do të thyejmë bllokadën dhe rrethimin e imperializmit dhe revizionizmit”. Në ballë të zyrës së kryeministrit shkruhej: “”Jetë të gjatë pushtetit të popullit”. Një klasë studentësh të gjuhëve të huaja studionin në tabelën e zezë parrullat e Enver Hoxhës në anglisht: “Të ndërtojmë socializmin duke mbajtur në njërën dorë kazmën dhe në tjetrën pushkën”. Në një pozicion mbrojtës ndaj botës, duke e parë veten kundër Kinës gjigante dhe e kërcënuar nga Bashkimi Sovjetik dhe satelitët e saj të Bllokut Lindor, e frikësuar dhe skeptike ndaj Jugosllavisë, Greqisë dhe gjithë Perëndimit, Shqipërisë lilipute i duhej të vazhdonte përpara e vetme.

Vijon me Kur në gojë të ujkut hidhnim valle/2

PE: Sì allo status di candidato all’Albania, ma solo dopo aver fatto le riforme

1980 – Kur në gojë të ujkut hidhnim valle /2