in

21 janari 2011 nuk ka fajtorë. Ka vetëm të vrarë

Gjykata e Tiranës shpall të pafajshëm komandantin e Gardës së Republikës Ndrea Prendi dhe përgjegjësin e njësisë speciale Agim Llupo të akuzuar për vrasjen e tre prej katër manifestuesve

Tiranë, 8 shkurt 2013 -“Gjykata krijoi bindjen se akuza e prokurorisë në ngarkim të të pandehurve për veprën penale të vrasjes me dashje në rrethana cilësuese ndaj dy ose më shumë persona nuk qëndron. Si përfundim Gjykata vendosi deklarimin të pafajshëm të pandehurit Ndrea Prendi dhe Agim Llupo”. Me këto fjalë, kreu i trupit gjykues të Tiranës, Besnik Hoxha, ka shpallur pafajësinë e komandantin e Gardës së Republikës Ndrea Prendi dhe përgjegjësin e njësisë speciale Agim Llupo të akuzuar për vrasjen e manifestuesve që u qëlluan me armë zjarri gjatë protestave të opozitës më 21 janar të vitit 2011.

Prokurorët të cilët e kishin akuzuar si Prendin ashtu dhe Llupon, pas ekspertizës së ardhur nga FBI amerikane, kishin kërkuar 48 vite burgim për të dy drejtuesit e Gardës, 23 vjet për Prendin dhe 25 vjet për Llupon. Pas vendimit, Prokuoria njofton sot se do të marrë një vendim për veprime të mëtejshme sapo trupi gjykues të japë motivimin e sentencës.

Kështu u mbyll procesi gjyqësor i nisur dy vjet më parë shkoi në Gjykatën e Shkallës së Parë, ndërsa mbeten ende pa autor vrasjet e katër protestuesve, Faik Myrtaj, Ziver Veizi, Hekuran Deda e Aleks Nikaj.

Reagimet kanë qenë të menjëhershme.

Në sallën e parlamentit ku po zhvillohej seanca e zakonshme u krijua jo pak tension. “Po ju them në emër të familjarëve të Aleks Nikajt, Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedës, askush nuk do t’i shpëtojë drejtësisë. Ne s’kemi më punë sot në këtë sallë. Vazhdoni vetë diskutimet”, u shpreh nënkryetari i grupit parlamentar socialist Saimir Tahiri, ndërsa deputetët braktisën punimet.

“Këta janë mësuar që në këtë sallë, 50 vite, të bënin edhe prokurorin edhe gjykatësin dhe kërkonin varje në litar. Harrojeni. Kohët kanë ndryshuar”, u kundërpërgjigj kryetarja e parlamentit Jozefina Topalli.

Pak më vonë edhe kryetari socialist Edi Rama do të reagonte nga selia e partisë së tij duke akuzuar drejtpërdrejt kryeministrin Sali Berisha: “Pafajësia e vrasësve i duhet më shumë edhe se vetë atyre, kryeministrit që i ka kthyer gjykatësit në gardistë togëzinj të cilët me urdhër nga lart, e pushkatojnë në publik drejtësinë njësoj siç pushkatoi garda katër dëshmorët e 21 janarit”. Duke iu drejtuar familjarëve të viktimave Rama i siguroi ata se “21 janari është nga ato ngjarje që as nuk harrohen pa u gjykuar drejtësisht dhe as nuk mbyllen duke u gjykuar padrejtësisht”.

“Sot dhe asnjëherë nuk do të më gjeni kurrë të komentoj vendime gjykatash. Ky është qëndrimi im i prerë. Ky është një vend që ka sistemin e drejtësisë, sistemin e akuzës, ndaj as edhe një koment”, iu shmang Sali Berisha komentimit të sentencës. 

Me shqetësim u shpreh edhe kryetari i partisë Fryma e re Demokratike, Bamir Topi, ish president i vendit dhe kryetar i KLD-së në kohën e ngjarjeve: “Nuk komentoj teknikisht çështjet që u takojnë gjykatave, por marr në konsideratë atë uzurpim që i ka bërë shtetit dhe institucioneve kryeministri aktual”.

Për vendimin janë shprehur edhe ambasadorët e huaj të akredituar në Shqipëri.

Deklarata e ambasadës amerikane fliste qartë: “Shtetet e Bashkuara kanë bërë vazhdimisht thirrje për një hetim dhe proces gjyqësor tërësor, gjithëpërfshirës dhe objektiv. Fatkeqësisht, verdikti i sotëm ka minuar besimin në aftësinë dhe gatishmërinë e sistemit gjyqësor shqiptar për të dhënë drejtësi në mënyrë të paanshme dhe transparente”.

Deklarata ka sjellë reagimin e Gjykatës së Tiranës që akuzon ambasadën amerikane se po ndërhyn dhe po paragjykon një proces të drejtë gjyqësor: “Vendimi i plotë duke përfshirë arsyetimin dhe argumentet e trupit gjykues në përputhje me Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë do të zbardhet dhe bëhet publik brenda afatit ligjor. … Në këtë kuadër është e qartë se i takon tashmë institucionit të Prokurorisë që pas zbardhjes së vendimit të vendosë se çfarë hapash ligjorë mund të ndërmarrë lidhur me këtë vendim. Në këtë kontekst, deklarata e Ambasadës se SHBA në Tiranë është shqetësuese dhe ndërhyn në proçesin e rregullt ligjor nëpërmjet komenteve mbi një çështje përpara zbardhjes së vendimit nga trupi gjykues, përpara qëndrimit të prokurorisë mbi hapat e mundshëm dhe përpara mbylljes së proçesit të rregullt ligjor lidhur me këtë çështje. Deklarata të tilla mund të jenë paragjykuese ndaj këtij proçesi të drejtë, ligjor dhe të paanshëm”.

Nuk pranon një akuzë të tillë Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu, i cili pas takimit me kryeprokurorin Adriatik Llalla, bën të qartë se përfshirja e SHBA-së në hetimin e 21 janarit ishte bërë pas një kërkese të drejtëpërdrejtë të prokurorisë me miratimin e qeveërisë shqiptare: “Pikë së pari, pas asaj dite të tmerrshme të 21 Janarit, Shtetet e Bashkuara e bënë shumë të qartë se mënyra më e mirë për t’u përballur me atë tragjedi të tmerrshme ishte një hetim mbi atë që e shkaktoi këtë ngjarje. Ne theksuam rëndësinë e të qënit një hetim i besueshëm. … Pika e dytë është, se, përsa i përket asistencës ose përfshirjes amerikane në këtë çështje, kjo çështje ka qenë, është dhe do të jetë gjithnjë një çështje shqiptare. Nuk është një çështje amerikane; nuk pati përfshirje të qytetarëve amerikanë. Përfshirja amerikane rrjedh nga një kërkesë specifike dhe e drejtpërdrejtë e Prokurorit të Përgjithshëm në atë kohë, një kërkesë e mbështetur dhe nga Qeveria e Shqipërisë. … Verdikti i djeshëm i përkiste një komponenti specifik të 21 Janarit dhe deklarata jonë dje i përkiste kësaj pjese specifike të çështjes” ka sqaruar sot Arvizu pas takimit me Kryeprokurorin.

“Vendimi i gjykatës në Tiranë nuk është fundi. Procedurat duhet të përmbyllen me një proces gjyqësor të besueshëm i cili do të duhet të tregojë pavarësi, paanashmëri dhe përgjejgjshmëri. BE dje konstatoi se kjo çështje është e apelueshme dhe e çdo polarizim me këtë cështje duhet shmangur” ka deklaruar mbi vendimin e djeshëm të gjykatës Komisioneri i BE-së Stefan Fyle.

“Bashkimi Europian bën thirrje për përmbyllje të procedurave të këtij rasti nëpërmjet një procesi të besueshëm. BE dhe Komisioni Europian Stefan Fyle nëpërmjet raport progresit ritheksojnë se një sitem gjyqësor i pavarur dhe i aftë është një dëshirë legjitime e qytetarëve”, është shprehur edhe ambasadori Ettore Sequi.

Emra të ndryshëm për çdo vepër kriminale. Arrestohet shqiptari Kola/Tuçi/Manos

Cittadinanza per matrimonio. Quando si può presentare la domanda?