Më 21 mars 1960 në Sharpeville, u masakruan 69 persona që manifestonin kundër veçimit racial. Beteja kundër atyre që besojnë se njerëzit nuk kanë të gjithë të drejta të barabarta vazhdon
Romë, 21 mars 2014 – Sot është ditë e parë e pranverës, por është edhe dita kur në mbarë botën kremtohet Dita Ndërkombëtare kundër racizmit. Është një datë e shënuar, e përcaktuar nga Kombet e Bashkuara për të kujtuar një nga masakrat e shumta të historisë së njerëzimit që kanë për bazë idenë se qeniet njerëzore nuk janë të gjitha të barabarta.
Ishte mëngjesi i 21 marsit 1960 kur në rrethinat e Sharpeville në Afrikën e Jugut, mijëra zezakë dolën në rrugë për të manifestuar përpara stacionit të policisë. Protestonin kundër Urban areas Act, të ashtuquajturat Pass Laws, shtesë e re e politikës së veçimit racial, të zbatuar prej disa dhjetëvjeçarësh në vend.
Normat e reja të kërkuara nga National Party, partia e të bardhëve në qeveri, parashikonin, që burrave e grave me ngjyrë t’u nevojitej pajisja me një lejekalim special për të qarkulluar në zonat e rezervuara për të bardhët. Kjo lejë u jepej vetëm atyre që punonin në zonë. Për ata që nuk zbatonin këto norma parashikohej arrestimi.
Atë mëngjes mbi pesëdhjetë mijë persona sfiduan Pass Laws, duke kërkuar arrestimin. Për t’i shpërndarë, regjimi ngriti në qiell mbi kokat e tyre gjuajtës-bombarduesit ushtarakë, lëshoi gaz lotsjellës, e pastaj kaloi në përdorimin e shkopinjve të gomës. Në fund policia hapi zjarr mbi protestuesit.
Humbën jetën 69 persona, mes tyre edhe dhjetë fëmijë e tetë gra. U plagosën 180 të tjerë. Shumë nga viktimat u qëlluan në shpinë, teksa përpiqeshin të largoheshin. Hetimet nxorrën në dritë se të vetmet armë në dispozicion të protestuesve ishin gurët.
Atë ditë nisi përshkallimi i protestave dhe i shtypjes, u arrestuan mijëra aktivistë zezakë, e brenda një kohe të shkurtër, të gjitha partitë që luftonin kundër veçimit racial u shpallën të jashtëligjshme dhe pikërisht në atë periudhë edhe Nelson Mandela përfundoi në burg.
Por masakra e Sharpeville shënoi edhe fillimin e izolimit ndërkombëtar të vendit që pas shumë vitesh kontribuoi për t’i dhënë fund aparteidit në Afrikën e Jugut.
Sot në mbarë Italinë do të ketë veprimtari që kanë për qëllim reflektimin mbi temat e parandalimit të diskriminimit racial dhe për mbrojtjen e të drejtave njerëzore, të koordinuara nga UNAR, Zyra Ndërkombëtare Kundër Diskriminimit Racial, në kuadrin e Javës X të Veprimit Kundër Racizmit (këtu gjeni programin). Portokallia është zgjedhur si ngjyra simbol e kësaj dite.
Shqiptariiitalise.com e të gjitha mediat e grupit ‘Stranieri in Italia’, sot e gjithmonë vazhdojnë betejat e tyre kundër çdo forme racizmi.
Prej disa javësh, bashkë me lexuesit tanë, kemi nisur betejën kundër nxitësve të urrejtjes në Facebook, një front i ri i kërcënuar nga ata që besojnë se ngjyra e lëkurës, besimi fetar apo kombësia janë arsye dallimesh mes qenieve njerëzore. Bashkohuni me ne.
Eevio Pasca
Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)