in

230 mijë euro. Kostoja e diplomimit të Renzo Bossit e paguar nga Lega

Ish llogaritari i Legës tregon sa i ka kushtuar partisë diplomimi i Bossit. Plot 230 mijë euro: fillimisht për të blerë provimet në universitetin Kristal e më pas ca të tjerë në Londër

Romë, 6 korrik 2013 – Kush nuk e mban mend diplomimin e Bossit junior në universitetin Kristal të Tiranës?

Tani del në dritë që “shkollimi i lartë” i Renzo Bossit, në fillim në Tiranë e më pas në Londër, i ka kushtuar shtrenjtë, jo atij apo të atit, Umberto, por Legës, apo më mirë mbarë italianëve pasi ato para ishin të rimbursimit publik që partia merrte nga shteti. Plot 230 mijë euro. Sipas të përditshmes La Repubblica këtë ka pohuar në burg  kur është marrë në pyetje ish llogaritari i Legës, Francesco Belsito.

Sipas Belsitos, Umberto Bossi nuk ka hezituar të marrë nga paratë e partisë së tij, përveçse për shëndetin e tij, veçanërisht për t’i siguruar të birit një copë letër që do t’i jepte atij, titullin “dottore”.  Sepse pasi e bëri Troftën këshilltar në Krahinën e Lombardisë, ishte e udhës që i biri të tregonte kompetenca në ndonjë fushë.

E kështu më 29 shtator 2010 Renzo Bossi, pasi kish dhënë tri herë provimin e shtetit pas shkollës së mesme e mezi e kish marrë në korrik të viti 2009, fut në xhep Diplomën Universitare të Kristalit në Tiranë për Menaxhim Biznesi. Dhe Belsito ua thotë qartë gjykatësve: “Na u desh të blejmë 20 provime për atë diplomë”. Gjynah që Bossi senior (se ai junior as që mendon aq hollë) i kish bërë hesapet pa hanxhinë e nuk e kish parashikuar që diploma shqiptare e Kristalit nuk pinte ujë në Itali, sidomos pasi edhe ambasada italiane në Tiranë refuzoi për disa herë me radhë të deklaronte vlefshmërinë e saj.

Kështu që u desh të gjendej një një tjetër universitet privat, këtë radhë në Londër, i cili i njohu një pjesë të madhe të provimeve të blera në Kristalin e Tiranës dhe e detyroi Bossin (lexo Legën, meqë paratë dilnin prej kësaj) të blinte edhe ca të tjerë.

Sipas Belsitos, të gjitha këto provime e diploma që Bossi Jr. të bëhej Dr. Bossi i kushtuan partisë plot 230 mijë euro. E për palën italiane, veç kjo është e rëndësishme, që provimet janë paguar me rimbursimet publike të Legës së Veriut.

Në frontin shqiptar çështja Bossi u mbyll vetëm me dënimin e kryesekretares së univeristetit Kristal, Jonida Ajazi, për “falsifikim të dokumenteve shkollore” me 1 vit e 6 muaj (dënim i pezulluar me kusht). Asnjë tjetri nuk i hyri gjemb në këmbë, edhe pse notat e shkëlqyera të provimeve “të dhëna” dhe diplomën e Bossit Jr. është vështirë të besohet se i ka firmosur të gjitha ajo kryesekretare dhe asnjë profesorsorët. Do ketë bërë ajo edhe deklaratën zyrtare të universitetit Kristal të nxjerrë majin e vitit të shkuar kur rasti i Bossit plasi në Itali e që  mes të tjerave thoshte: “Shtetasi italian Renzo Bossi është regjistruar në bazë të dokumentacionit të paraqitur në administratën e Universitetit në vitin akademik 2007-2008, sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë”.

red. Shqiptari i Italisë

Speciale: Bossi junior me diplomë shqiptare

Kyenge, una scossa che costringe a vedere la nuova Italia

Vëzhguesit vendorë: KQZ e paplotë, problem për certifikimin e zgjedhjeve