in

28 nëntor 1912-2011

Sot është Dita e Flamurit, festa më e rëndësishme e Shqipërisë. Dhe për ne shqiptarët në mërgim përbën ndoshta më të shënuarën ditë që ndiejmë se i gjendemi apo duam t’i gjendemi më pranë atdheut që kemi lënë. Dhe në pamundësi për të qenë vetë aty, në Shqipëri,  ku për shumicën e shqiptarëve festa përbën një rutinë të zakonshme, e festojmë sipas mënyrave tona prej mërgimtarësh, kurbetlinjsh, emigrantësh a refugjatësh si na quakëshin.

E aq na bën se festimet tona, të paktën për një ditë, sipas disave mbakëshin erë patriotizmi retorik. Shumë shoqata – ndonjëra ka nisur prej ditësh – organizojnë e festojnë ditën e flamurit në Parma, Torino, Milano, Bolonja, Firence, Trieste, Venezia, Ancona, Rimini e në shumë qytete italiane, ndërsa Ambasada Shqiptare në Romë organizon pritjen e përvitshme.

Për ta kujtuar, sjellim disa pasazhe nga revistat e vjetra madhështore shqiptare që vepruan në mërgim apo në Shqipëri. Ashtu si edhe artikullin e parë botuar në shtypin e huaj mbi shpalljen e “mëvetësisë”. Nga thatësia e një lajmi të një gazete të 29 nëntorit 1912, tek retorika e ngazëllimit të patriotëve shqiptarë (thuajse të tërë mërgimtarë) hapi është i gjatë. Por emocioni, edhe pas 99 vjetësh mbetet i njëjtë.

Pavarësia e Shqipërisë.

Romë, 28 Nëntor.

Një telegram nga Vlora (Shqipëri) i datës të sotme shkruan se një asamble delegatësh Shqiptarë shpalli sot pavarësinë dhe mëvetësinë e Shqipërisë, dhe pasi formoi një Qeveri të Përkohshme ngriti flamurin shqiptar. Një komision do të niset sa më shpejt që të jetë e mundur për të takuar Qeveritë Evropiane duke filluar me Italinë, dhe për të kërkuar njohjen e Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha. Delegatët Shqiptarë kanë arritur në 80 vetë, dhe midis tyre pritet të mbërrijë Isa Boletini, i shoqëruar nga një forcë e armatosur.

Sipas telegramit, Ismail Qemal Beu ka mbërritur në Vlorë dhe ka kryer bisedime me Konsullin italian dhe atë austro-hungarez, të cilëve u ka vënë në dukje se pavarësia e Shqipërisë mbështetet në parimet e tërësisë dhe mëvetësisë territoriale, dhe se Shqipëria ka besim në dëshirën e mirë të Fuqive të Mëdha dhe në mbështetjen e Italisë dhe Austro-Hungarisë.

The Times, E Premte 29 Nëntor 1912

Kremtimet në mërgim

Tërnohen stinët gjatë vjetit, rrotullohen vjetët njâni mbas tjetrit, vijnë e kalojnë kremtimet si fetare ashtu kombtare: Bajrami, Krishtlindja. Moti i Rí. Festa e Flamurit,-dit në shêj, sejcila me nji veshtrim të vetin, të gjitha të rrethueme në mërgim me nji ylber lutësh përmalluesa edhe me nji àvull kapluese ahtesh.

Vaj e pikllim. Kujtime t’idhëta e përshtypje shqetsim-plote. Kalesa e zhytun në gjak, e tashmja plym me vështirsína e ngushtica. Fati i të mërguemvet âsht i rândë. Nuk e merr kurrkund me mênd sa i rândë âsht, ai qi s’e ká provue. M’u ndá për s’gjalli nga vendlindja pa kurrnji mundësi këthimi, m’u ndá për së gjalli prej gjakut e gjinís, si t’ishin ata të dekun për tý e ti për ta. Âsht kobi mâ i madh qi përplaset mbi njerin në kët shekull. (…)Dita e Flámurit, në rrethâna të sotshëme, për né s’âsht ditë festimi me mbledhje gazmore, në të cilat natyrisht del e shpërthen hareja e zêmravet t’ushqyeme me dashuní t’atdheut dhe të lavdís kombtare. Âsht për né ditë rritesh fetare: ditë lutash qi i drejtohen Perendís tue kërkue t’i a zbusi Shqiptarve zezonat e fatit tepër të egër. Kânga del në gjasë urate qi naltohet kah qielli e persjellun me lot, n’ato lot veç, vezullon nji rreze besimi në fatet e atdheut(…).

Shêjzat, Nanduer-Dhetuer 1958, Nr. 11-12.

Shqyrtim ndërgjegjeje

(….) Nuk na çudit, prandaj, aspak puna që, pas dhjetë vjetve robërí, qeverritarët e Tiranës të kenë guximin e ta kremtojnë akoma 28 Nëntorin, pasi e shtynë dhe e bënë 29! Edhe këtë vit, ai të cilit i ka rënë radha të jetë “nxënësi m’i mirë i Stalinit”, do t’u japë urdhër “shokëve”, që të zbrazin topa e fishekzarë në të tërë Shqipërinë, e, passi të vishet e të stoliset me nishane, ka për të dalë në ballkon e ka për të grishur popullin të ngrerë dollinë për shëndet të tij.(…)Ka plot dhjet vjetë që qeverritarët e Tiranës po i shkallmojnë me metod çelniku ato pak cilësí, ato pakë vetija, që e dallonin èdhe Shqiptarin prej popujve tjerë, të anonimizuar nënë sulmin përparimtar-po edhe përgjithësonjës-të qytetërimit. (…)I u rrëzuan atij ato pakë iduj, ato simbole, për të cilat ai krenohej se ishte Shqiptar. Një “bej reaksionar” Ismail Qemali! Nji “armik i vëllazërimit sllav” Fishta! E i vranë Lef Nosin, i vranë Patër Antonin, i ndoqën Midhat Frashërin dhe Ali Këlcyrën! Ç’i mbeti tjetër këtij populli, pas kaqë çkallmimesh? Vetëm dëshpërimi, që, po dihet, bije dalë nga dalë indiferencën dhe zbraztësinë e shpirtit!

Shpirti Shqiptar, Tetor-Dhjetor, 1954, Nr. 2.

Kosova feston Ditën e flamurit të kombit

Haxhinasto Konsujve të Nderit: “Jeni ndihmë e madhe për Shqipërinë”