in

Kosova feston Ditën e flamurit të kombit

Thaçi: “Festa e 28 Nëntorit është mbi çdo ideologji dhe duhet të na afrojë me njëri tjetrin”

Prishtinë, 27 nëntor 2011 – Edhe Kosova feston në këtë 28 Nëntor, ditën e flamurit, të flamurit të Shqipërisë por edhe të Kosovës, shtetit më të ri evropian. Feston ditën e flamurit të shqiptarëve kudo që ata janë.

Flamujt kuq e zi me mijëra valojnë bashkë me flamurin shtetëror të Kosovës, të SHBA-ve, të BE-së e vendeve anëtare dhe të gjitha 85 shteteve që e kanë njohur, si dhe të NATO-s, forcës më të madhe që për lirinë e saj ndërhyri në pranverën e para 12 viteve dhe vazhdon të jetë këtu me mision paqeje e sigurie.

Atmosfera e festës ndihet kudo ditë e natë në kryeqytetin Prishtinë dhe në qytetet e lokalitetet e tjera, ku më 28 nëntor, ditën e 99-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, të gjitha rrugët dhe sheshet do të jenë plot njerëz në festë dhe me buçitjen e daulleve, të këngëve dhe valleve të artistëve e grupeve artistike nga të gjitha hapësirat shqiptare.

Shqipëria dhe Kosova në këtë festë janë edhe më afër pasi në këtë nëntor u përuruan rreth 40 kilometrat e para të autostradës Vërmicë-Merdar, në vazhdim të Rrugës së Kombit të ndërtuar në Shqipëri, nga Durrësi deri në Morinë. Prizreni, si një portë e madhe e komunikimeve ndërshqiptare, qyteti i parë i madh nga kalon autostrada në pjesën kosovare, do të presë në festë shumë bashkëkombës nga Kosova e Shqipëria dhe viset e tjera shqiptare e diaspora.

Në qytetin më të madh verior të Kosovës, Mitrovicë, në prag të festës, një trupë profesionistësh të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit nga Tirana me solistët e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore kanë sjellë  Shqipërinë e traditave artistike.

Edhe si Ditë e Pavarësisë edhe si Ditë e Flamurit, 28 Nëntori festohet tradicionalisht në Kosovë. Festohej kur ishte e ndaluar dhe komunikimet si komb ishin shumë të vështira dhe me rreziqe, me kufirin e hekurt që ndante dy shtetet. Festohet tani kur edhe Kosova ka Ditën e Pavarësisë së vet dhe me Shqipërinë ka bashkëpunime të frytshme, shembull për rajonin.

Me rastin e 28 Nëntorit, por edhe të ditëlindjes së Komandantit të UÇK-së, Adem Jashari, dhe daljes publike të UÇK-së, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga kabineti qeveritar, vizitoi Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz dhe vendosi kurora lulesh. “Festa e 28 Nëntorit është mbi çdo ideologji dhe duhet të na afrojë me njëri tjetrin”, tha sot Thaçi.

Pas homazheve para varrit të Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, kryeministri Thaçi deklaroi se ky është vendi ku merr frymëzim, vendi ku merr energji për punë, për angazhime për të realizuar vizionin për të ardhmen e Kosovës për integrim në BE dhe në NATO, për të zhvilluar edhe më tepër Kosovën, për të ndërtuar Kosovën evropiane. “Dashuria për atdhe duhet të kultivohet dhe kurrë nuk është e mjaftueshme. Prandaj, ky nderim shtetëror sot është nderim për të kaluarën, për Familjen Jashari, për Komandantin Legjendar Adem Jashari, për gjithë dëshmorët e lirisë, për luftën e UÇK-së dhe sakrificën e gjithë qytetarëve të Kosovës për liri. Sepse, pa luftë nuk do ta kishim lirinë dhe çlirimtarë të Kosovës janë të gjithë qytetarët e saj”, tha kryeministri Thaçi. (ATSh)
 

 

Topi: “Komuniteti shqiptar në Itali, urë e fortë lidhëse mes dy vendeve”

28 nëntor 1912-2011