in

30 mijë euro gjobë një shqiptareje. Shkon me ferexhe në Komunë

Një grua myslimane shqiptare dënohet në Pordenone. Kishte lejuar policinë ta identifikonte, por nuk kishte pranuar të hiqte ferexhenë e të zbulonte fytyrën në publik

Pordenone, 12 nëntor 2016 – Gjobë rekord pse shkoi me ferexhe në zyrat e Komunës, duke mospranuar të zbulonte fytyrën përpara të gjithëve. Me siguri do të hapë polemika dënimi që iu dha dje nga gjykatësi për hetimet paraprake një gruaje italiane me origjinë shqiptare.

40 vjeç, prej vitit 2000 rezidente në San Vito al Tagliamento të provincës së Pordenones, gruaja është myslimane dhe kur del nga shtëpia vesh gjithnjë ferexhe që i lë zbuluar vetëm sytë. Kështu kish shkuar edhe më 20 tetor me të birin në Këshillin Komunal të Fëmijëve, kur komuna hap dyert për nxënësit e prindërit.

Kryetari i bashkisë Antonio Di Bisceglie (PD), kur e vuri re mes publikut, i kërkoi të zbulonte fytyrën e, pas refuzimit nga anë e gruas, kërkoi ndërhyrjen e policisë bashkiake. Gruaja u lejoi dy agjenteve gra ta identifikonin, duke hequr vellon para tyre, por më pas u kthye në sallë sërish e mbuluar nga koka te këmbët.

Atëherë, kryetari i bashkisë, pasi i kërkoi pa rezultat të zbulonte fytyrën para të gjithëve, u detyrua të mbyllte seancën e Këshillit komunal të fëmijëve. “Ishim në një sallë institucionale, në një laborator demokracie – shpjegoi më pas Di Bisceglie – respektimi i rregullave demokratike vjen i pari, edhe për bashkëjetesën e qetë të gjithë komunitetit”.

E intervistuar nga Messaggero Veneto, italo-shqiptarja ka shpjeguar se zbuloi fytyrën pa problem para agjenteve të policisë, por edhe se nuk i dukej e drejtë ta bënte këtë gjë para të gjithëve. “I telefonova avokatit që më konfirmoi se ishte e drejta ime të kthehesha në sallë. Dhe ashtu bëra për tim bir”. Por episodi nuk përfundoi me aq por shkoi në gjykatë.

E zëvendës prokurori Federco Facchin kërkoi dënimin e gruas me 4 muaj heqje lirie për shkelje të ligjit 152/1975. Ky ndalon “përdorimin e kaskave mbrojtëse, apo të çdo mjeti tjetër që vështirëson identifikimin e personit, në vend publik apo të hapur për publkun, pa një motiv”. Në dekretin penal të dënimit të dhënë dje nga gjykatësi për hetimet paraprake Rossi, burgosja ëhstë konvertuar në një gjobë prej 30 mijë eurosh.

Gruaja, protagoniste e kësaj ngjarjeje, bashkë me të shoqin janë shqiptarë të ardhur në Itali në vitin 1999 dhe prej vitit 2000 jetojnë në San Vito al Tagliamento. Burrë e grua kanë marrë shtetësinë italiane në vitin 2014. “Ndihemi krenarë që jemi shqiptarë dhe italianë – kanë nënvizuar – Erdhëm të rinj, jemi të diplomuar dhe mësues”.

“Në Itali kam bërë punë nga më të ndryshmet, pa pretenduar shumë. – ka shtuar gruaja – Por kam ndjekur kurse psikologjie e pedagogjie per t’u bërë ndërmjetësuese mes italianëve dhe të huajve. Flas frëngjisht, anglisht dhe pak arabisht. Mund të vazhdoja, por i lashë e vendosa të ngre familje”. Sot çifti ka pesë fëmijë që ndjekin shkollën ndërsa i shoqi është punëtor në një ndërmarrje të zonës.

“Kam lindur myslimane – ka treguar gruaja për Messaggero Veneto – por nuk praktikoja fenë: në Shqipërinë e para 90-tës po të luteshe shkoje në burg. Kur erdha në Itali respektoja Ramazanin por nuk dija gjë për fenë time. Visheshim të dy, burrë e grua, si gjthë të tjerët. Më pas, në vitin 2004 vendosa të mbuloj kokën, duke lënë zbuluar fytyrën, ndërsa gjashtë vjet më parë të vishja ferexhenë. Është pjesë e fesë sime. Gjithçka – ka siguruar – e kam bërë me vullnetin tim të lirë”.

“Familja ime po rritet në një ambient të bazuar mbi besimin tonë fetar dhe ligjin italian. – ka shtuar gruaja – Përpiqemi t’u mësojmë fëmijëve tanë, të lindur këtu, para të gjithave, ligjin italian. Jetojmë këtu, ndaj është e drejtë dhe jemi të lumtur që ta respektojmë atë”.

 

 

 

“Settimana della cultura albanese”. Scanderbeg di Parma in festa

Italiano obbligatorio per i commercianti. Arriva lo stop dall’Antitrust