Botohet lista paraprake e enteve qe mund të zgjidhen nga taksapaguesit. Mes tyre edhe Scanderbeg e Parmës, Integra ONLUS e Lecces e ndonjë tjetër
Romë, 20 maj 2013 – Edhe këtë vit të gjithë taksapaguesit mund të zgjedhin që t’u japin 5 për 1000 të taksave të tyre shoqatave pa qëllim fitimi.
Janë thuajse 40 mijë shoqatat e fondacionet që këtë vit do të kërkojnë të vësh kodin e tyre fiskal në formularin e deklarimit të të ardhurave. Shoqatat janë nga më të ndryshmet, në të katër anët e Italisë, kush më shumë e kush më pak të njohura në nivel kombëtar apo vendor, shumë prej tyre merren edhe me imigracionin, e ndonjëra me Shqipërinë e shqiptarët në veçanti.
Agjencia e Tatim taksave sapo ka botuar listën paraprake të enteve që këtë vit kanë kërkuar të regjistrohen në listat e përfituesve të kontributit “5 për mijë”. Listën mund ta gjeni on line të ndarë në dy pjesë, njëra nga germa A në germën C dhe tjetra nga germa D në Z, por në brendësi të listës mundësohet edhe kërkimi sipas emrit apo kodit fiskal apo krahinës ku ndodhet shoqata.
Tani përfaqësuesit ligjorë të shoqatave, brenda të hënës së ardhshme (20 maj) do të mund të sinjalizojnë gabimet e mundshme dhe brenda 27 majit Agjencia e Tatim taksave do të japë listën përfundimtare.
Së fundi, brenda 1 korrikut, përfaqësuesit legalë të shoqatave duhet të konfirmojnë me një autocertifikatë që entet që përfaqësojnë i përmbushin akoma kriteret për të përfituar 5 për 1000.
Nga një kontroll i shpejtë e sipërfaqësor i listës, vërejmë që mes përfituesve të mundshëm të kontributit 5 për 1000 ka edhe shoqata shqiptare apo italo-shqiptare, disa me veprimtari të larmishme e shumë të njohura në territor (gjë që vërehet lehtë edhe nga faqet e tyre internet) e të tjera pak apo aspak të njohura (duke i kërkuar online, ndonjë e gjen të përmendet vetëm pse përfshihet në këtë listë të Agjencisë së Tatim taksave).
Për shembull, mund të zgjidhet t’i jepen 5 për 1000 të taksave shoqatës Integra ONLUS të Lecces (duke shënuar në hapësirën e posaçme të deklaratës së të ardhurave kodin e saj fiskal 93067750757), Vatrës Arbereshe të Chierit (kodi fiskal: 90018600016), Scanderbegut të Parmës (me kod fiskal 92137750342), Skanderbegut të Fermos (kodi fiskal: 90044330448), shoqatës Agimi të Otrantos (kodi fiskal: 95143850105), apo Aquila Albanese të Trentos (93016710225). Në listë gjen edhe të tjera si Amicizia e Riminit (kodi fiskal 91075530401), ASSAL e Genovas (95143850105), Madre Teresa Italia-Albania (97557720584), ACAS Skanderbeg e Spoletos (93017110540), Rilindja e Arezzos (92061680515).
Ja disa nga shoqatat shqiptare në listën e atyre që mund t’u jepen 5 për 1000 e taksave:
Në një tjetër dokument të botuar pak ditë më parë nga Agjencia e tatim taksave jepen të dhëna mbi shpërndarjen e kontributit 5 për 1000 të vitit 2011 dhe aty shihet që shifrat për të cilat flitet mund të arrijnë deri në pak mijëra euro, por shpesh janë shifra qesharake. Kështu për shembull, për atë vit, Agimi – Centro Albanese di terra d’Otranto duhet të përfitojë 2.895,23 euro, Aquila Albanese të Trentos 1.516,80 euro, Integra ONLUS duhet të marrë 1.461,21 euro ndërsa Vatra Arbereshe 315,95 euro. Nga ana tjetër, Madre Teresa Italia-Albania është zgjedhur vetëm nga 5 taksapagues e ka mbledhur 55,51 euro, kurse Rete Albanesi in Toskana, ka gjetur vetëm një taksapagues të gatshëm t’i japë 5 për 1000 duke arritur të mbledhë vetëm 2,17 euro.