in

500 pasaporta biometrike të dyshimta janë nën hetim

Sipas të përditshmes Shekulli, e pranon vetë drejtori i përgjithshëm i Gjendjes Civile, Armand Teliti, përpara Komisionit të Sigurisë kombëtare të Kuvendit të Shqipërisë

Tiranë, 4 tetor 2011 – Sipas të përditshmes Shekulli, në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Sigurisë kombëtare të Kuvendit të Shqipërisë është diskutuar rasti i qindra pasaportave biometrike të falsifikuara. Sipas artikullit të Luis Tanushit, drejtori i përgjithshëm i Gjendjes Civile, Armand Teliti, ka pranuar në Komision që është fjala për 500 pasaporta biometrike që janë  nën hetim por ai është justifikuar se një gjë e tillë “sporadike” ndodh vetëm për faj të punonjësve dhe jo të sistemit:  “Nuk mund të parashikosh që të monitorohet çdo punonjës i gjendjes civile. Deri sot janë konstatuar në mënyrë sporadike këto pasaporta. Nuk është bërë një kontroll për të bërë investigim. E kuptoj se sistemi nuk nxjerr dy karta me të njëjtat shenja gishtash, por është e sigurt se ka karta me të njëjtat shenja gishtash, por me të dhëna të ndryshme. Prandaj është e nevojshme të kemi verifikim. Ka shumë emigrantë që janë jashtë dhe kanë marrë shtetësinë atje dhe nuk janë të interesuar për shtetësinë këtu. Këto mund të jenë raste për abuzime”.

Sipas artikullit të Shekullit, prokuroria ka hapur dosje për disa raste, kryesisht kosovarë që marrin pasaportën shqiptare me rreth pesë mijë euro duke blerë identitetin e dikujt tjetër. (Lexo artikullin e plotë të Shekullit: Teliti: 500 raste pasaportash biometrike false)

Nuk është herë e parë që zbulohen raste falsifikimesh të dokumentit biometrik.

Një muaj më parë, Shekulli ka shtënë në dorë dosjen penale me nr. 2765 të prokurorisë së Tiranës që hedh dritë mbi një nga skandalet e dokumenteve të identifikimit të shqiptarëve. Sipas këtij shkrimi, brenda dy ditësh mund të pajisesh me një emër të ri dhe një pasaportë biometrike të ligjshme shqiptare kundrejt një shume prej 4.500 eurosh. Në dosjen hetimore shpjegohet edhe mekanizmi i plotë i marrjes së dokumentit biometrik.

Në fillim të korrikut, policia e Korçës ka arrestuar katër persona gjatë një aksioni që u zhvillua për kapjen e autorëve të lëshimit të pasaportave biometrike me gjeneralitete të rreme për shtetas shqiptarë që kanë probleme me drejtësinë në vendet të ndryshme të BE-së. Sipas njoftimit për shtyp, gjatë këtij operacioni, Policia ka ekzekutuar masat e sigurisë së Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, “arrest në burg” për Artur Feton, 31 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Fitore-Devoll, Relis Mullën, 27 vjeç, lindur dhe banues në Korçë me detyrë specialist IT-je pranë shoqërisë Aleat, Armand Cenollin, 21 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Vashtëmi, Korçë me detyrë operator aplikimi pranë shoqërisë Aleat në Komunën e Libonikut-Korçë, dhe Setki Mullën 56 vjeç, lindur dhe banues në Korçë me detyrë Pedagog në Universitetin “Fan. S. Noli” Korçë. Sipas policisë, këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer veprimtari kriminale.

Gjithnjë në korrik, me akuzën e falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave, policia e Shkodrës arrestoi 21 vjeçarin Ilir Hyseni dhe 31 vjeçarin Betim Elshani, që të dy lindur dhe banues në Pejë të Kosovës.

Lexo edhe:
 

Ministri Nishani: “Lëvizja e lirë e shqiptarëve mbetet prioritet i qeverisë”

Quhet Fatmir Xhafa 26-vjeçari i vrarë nga karabinieri pse nuk respektoi urdhrin “Alt!”