Nuk respektonin rregullat e lëvizjes së lirë në Shengen
Pas sulmeve terroriste në Francë, Italia përforcon kontrollet në kufi ku tashmë ka edhe forca të ushtrisë. Mësohet se vetëm në portin e Brindisit nga 19 nëntori deri dje janë kthyer mbrapsht 51 persona, që të gjithë shqiptarë. Asnjë prej tyre nuk akuzohet për terrorizëm por refuzimi i hyrjes në Itali u është bërë vetëm për arsye ekonomike. Nuk kanë mundur të tregojnë se kanë para të mjaftueshme për periudhën e qëndrimit në Itali.
Lëvizja e lirë në Shengen e shqiptarëve parashikon që ata të udhëtojnë vërtet pa vizë por duke respektuar disa kushte si të ardhura të mjaftueshme për periudhën e qëndrimit, biletë vajtje-ardhje, ftesa e një personi apo prenotimi i një hoteli, sigurimi i udhëtimit. Veçanërisht në Itali, në kufi ishin goxha dorëlëshuar, e ndoshta edhe për shkak të fluksit të lartë, policia e kufirit nuk kërkonte me përpikmëri verifikimin e përmbushjes së pikave të mësipërme. Kështu shpesh prindërit e miqtë kanë udhëtuar lirshëm nga Shqipëria në Itali, pa iu dashur të kenë me vete ftesën e ndonjërit në Itali, apo edhe pa bërë sigurimin mbi udhëtimin. Shumë shpesh çdo gjë ka shkuar mirë pa hasur probleme të veçanta në kufi.
Por gjatë vitit 2015, e veçanërisht këtë muajin e fundit, gjërat kanë ndryshuar. Në kufi po kërkojnë respektimin e të gjitha pikave të parashikuara nga liberalizimi i vizave, nga ftesa e personit ku do të shkohet për vizitë, deri te respektimin e afatit maksimal të qëndrimit në Shengen.