“Asistencë qytetarie” vetëm për italianët dhe shtetasit e BE-së, rezidentë në Krahinën e Lombardisë prej të paktën 5 vjetësh. ASGI e APN: “E paligjshme, e palogjikshme dhe e padrejtë”
Milano, 22 maj 2015 – Rrezikon të kthehet në diskriminimin e radhës “Asistenca e qytetarisë” (Reddito di cittadinanza) me të cilën Krahina e Lombardisë dëshiron të ndihmojëpersonat më në nevojë, por jo imigrantët.
Plani, akoma jopërfundimtar, parashikon një kontribut ekonomik, që ama lidhet me angazhimin nga të interesuarit për të ndjekur kurse formimi professional dhe detyrimin për të mos refuzuar ndonjë ofertë të mundshme pune. Për ta financuar do të vihen në dispozicion rreth 1 miliard euro që do të mundësojnë sipas përllogaritjeve të para, t’u jepen qytetarëve në nevojë një çek prej rreth 700 eurosh në muaj për një vit rresht.
Roberto Maroni, presidenti legist i Krahinës Lombardia, ka vendosur disa kufizime. “Duhet vendosur kujt t’ia japim: ne këtë asistencë do t’ia japim qytetarëve, italianë dhe evropianë, jo atyre që qytetarë nuk janë, pra, jo jokomunitarëve”. Dhe shtoi që “për të shmangur abuzime do të vëmë, për shembull, kufizime mbi kriterin e rezidencës në Lombardi prej të paktën një numri të caktuar vitesh [nga zërat që qarkullojnë, duket se po shkohet drejt kërkesës së pesë vjetëve rezidencë në krahinë], kriter ky ekzistues që përdoret për dhënien e banesavve popullore”.
Ato kritere lënë jashtë pjesën më të madhe të imigrantëve. Për të njëjtat kushte ekonomike, një qytetar shqiptar që jeton në Milano, për shembull, nuk mund të përfitojë asistencën e qytetarisë, ndërsa një italian (apo një rumun, me të paktën pesë vjet rezidencë në krahinë) po. Të varfërit nuk janë të gjithë njësoj?
Është zgjedhje diskriminuese sepse bazohet në prejardhjen, për rrjedhojë shkel ligjin, pohojnë nga Shoqata për Studdimet Juridike mbi Imigracionin, ASGI, dhe shoqata ONLUS “Avokatë për Asgjë”, APN. “Kufizimet që kanë të bëjnë me të huajt, jo vetëm janë të padrejta e të palogjikshme, por nuk mund të kalojnë provën e gjykatës” sinjalizojnë dy shoqatat.
Kriteret e Maronit dhe të njerëzve të tij, shpjegojnë ASGI dhe APN, janë në kundërshtim me direktivat evropiane, përfshrë atë që u garanton të huajve titullarë të një lejeje qëndrimi që lejon punësiminn të gëzojnë të njëjtin trajtim që u rezervohet italianëve. Për më tepër, Gjykata Kushtetuese, edhe në raste të tjera, ka deklaruar “të pakushtetueshme normat krahinore që parashikonin një rezidencë të gjatë për përfitimin e ndihmesave të ndryshme”.
Ç’kuptim ka të vihet një numëër minimal vitesh residence? Janë pikërisht më të varfërit ata të cilëve u duhet të zhvendosen më shpesh nga një anë në tjetrën të Italisë, pikërisht sepse kërkojnë një vend pune. Ndaj ASGI dhe APN kërkojnë që “të mos merren vendime që pikërisht sipas vendimeve të mëparshme të Gjykatës Kushtetuese dhe të normave të BE-së, mund të lënë hapësirë për një apelim të gjerë, e që para të gjithash janë dukshëm të palogjikshme dhe të padrejta”.
Stranieriinitalia.it/Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)