I ardhur në Itali në vitet ‘70, Gjon Kolndrekaj ka mbaruar studimet në Qendrën Eksperimentale të Kinematografisë në Romë, dhe ka punuar për vite me radhë si regjisor në RAI përkrah artistësh të njohur italianë e të huaj. Në vitin 1989 ka ardhur në Shqipëri dhe është zhgënjyer nga ç’ka parë. Mik i Nënë Terezës nga viti 1978, e ka shoqëruar në udhëtimin e saj të parë në Shqipëri. Në dhjetëvjetorin e vdekjes së saj vendos t’i dedikojë një film, “Una bambina di nome Gonxhe”, për të rrëfyer fëmijërinë e saj.
Gjon Kolndrekajn e prezantojnë shpesh si regjisor italian me origjinë kosovare. Por kur e njohim, bindemi se Gjoni, i lindur në Pejë, është mbi të gjitha shqiptar, me një dashuri të pamasë për vendin e tij, për gjuhën, për tokën, gati gati dhe për ajrin e Kosovës. Intervistën e bëjmë në gjuhën shqipe, të cilën e ka të kulluar, edhe pse jeton në Itali prej mëse 35 vjetësh. Pas diplomimit në Qendrën Eksperimentale të Kinematografisë në Romë, ka punuar me Valerio Zurlini, Francesco Rosi, Miklos Jancso, Frank Capra, Federico Fellini e Roberto Rossellini. Shumë dokumentarë dhe emisione të prodhuara nga RAI mbajnë firmën e tij. Linea Verde, Happy Circus e Made in Italy janë vetëm disa nga emisionet e suksesshme që i kanë sjellë shumë çmime e vlerësime në të gjithë botën si për cilësinë artistike ashtu dhe për mesazhin kulturor që përcjellin.
Në librin e tij “RAI e ALBANIA” të botuar nga Rai Eri, historiani shqiptar Ylli Polovina shkruan se rënia e komunizmit në Shqipëri është fryt edhe i telekamerave të RAI-t që Gjon Kolndrekaj kishte çuar atje në vitin 1989.
Regjisori kosovar duket se ka aftësinë të hapë dyer që për të tjerët mbeten të mbyllura. Përveç se në Shqipëri, për të realizuar dokumentarin e tij të fundit me titullin “Matteo Ricci, një jezuit në mbretërinë e dragoit” Gjoni ka arritur, si askush tjetër, të marrë leje nga qeveria kineze për të hyrë dhe për të xhiruar në Qytetin e Ndaluar, pallati Mbretëror i dinastive Ming dhe Qing që shtrihet në 720 mijë metra katrorë në qendër të Pekinit.
Bota shqiptare: Ju keni mbaruar Qendrën Eksperimentale të Kinematografisë në Romë. Dihet se në këtë Akademi është shumë vështirë të hysh. Ishte kështu edhe në atë kohë?
Gjon Kolndrekaj: Po, ishin 2000 kandidatë për shtatë vende. Me thënë të vërtetën asnjëri prej anëtarëve të komisionit, që ishin personazhe të njohur si p.sh. regjisori Roberto Rossellini apo Francesco Rosi, nuk njihnin se si ishte kinematografia shqiptare. Prandaj unë përgatita një tezë për të treguar se ç’është kinematografia shqiptare dhe se ç’po kërkonte ky kosovar në këtë kurs. E në realitet, pas tre muajsh, pas provimeve te tjera se duhet të kaloje shtatë seleksione, më erdhi një telegram nga Ministria e Spektaklit në të cilin thuhej “Ju urojme sepse jeni pranuar në Akademinë e Filmit”. Ishte viti 1975.
Sa kosovare kishte në Romë në atë kohë, besoj se numëroheshin me gishtat e dorës.
Shumë pak. Kishte një nga Mali i Zi por me origjinë shqiptare, Gjelosh Gjokaj, dhe nje kosovar, Mikel Gjokaj që merrej me pikturë, e që merret me pikturë akoma sot. Takimin e parë me këta shqiptarë ma bëri të mundur Anton Çeta me nje letër prezantimi sepse në një farë mënyrë duhej të paraqitesha. Këta ishin njerëzit që frekuentoja në fillim.
Tani që kanë kaluar shumë vjet dhe në Romë apo në Itali në përgjithësi jetojnë shumë shqiptarë e kosovarë, a ka ndryshuar marrëdhënia juaj me komunitetin?
Jo, sepse unë ata miq që kam pasur, vazhdoj t’i kem. Vetëm se ka ndodhur diçka tjetër:sot për sot, për shkak të nxitimit të përditshëm dhe falë internetit apo celularëve, sms-ve apo e-maileve, nuk takohemi më aq shpesh me njëri tjetrin. Shumë gjëra bëhen kur një njeri e sheh në sy një tjetër. Sot kjo gjë mungon. E kjo mungesë çon në pakësimin e një fuqie shpirtërore të komunitetit. Në mënyrë paradoksale mjetet moderne të komunikimit kanë kufizuar atë që mund të ndodhte dhe të realizohej duke e parë tjetrin në sy.
Ju ama përveç komunikimit të drejpërdrejtë, sy më sy, për arsye profesionale i rrëfeni gjërat edhe nëpërmjet objektivit të kamerave. Gjatë viteve që keni punuar në Rai i keni njohur telespektatorët me cepat më të largët të botës apo më të panjohurit fare të afërt.
Ishte “Linea Verde”, një emision që kishte sukses të madh në Radiotelevizionin Italian. Një program dy orësh që jepej çdo javë dhe trajtonte tema të shëndetit, bujqësisë, territorit. Me këtë emision kemi pasur një numër shumë të madh telespektatorësh, çdo javë kishte 12 milionë telespektatorë që na ndiqnin me kuriozitet. Kjo sepse emisioni ishte një emision itinerar që shkonte në të gjithë botën dhe pëlqehej shumë.
Po ju thosha më parë për të panjohurat e afërta. Një nga etapat ka qenë dhe Shqipëria apo jo?
Po, ka qenë një prej eskluziviteteve të RAI-t. Shqipëria na dha mundësinë të hyjmë në territorin e saj për ta parë, mund të them në këtë rast, me sytë e mi, dhe për të përshkruar në këtë reportazh se si ishte ky vend.
Në ç’vit?
Ka qenë viti 1989, maj i 89. Ishte shumë interesante sepse e përshkuam Shqipërinë prej veriut deri në jug me helikopter.
Po pse me helikopter?
Me thënë të drejtën kur e kam parë Shqipërinë në atë gjendje, shumë iluzione që kisha krijuar në kokën time, duke lexuar poetë dhe shkrimtarë të ndryshëm, më humbën. Kisha një përfytyrim tjetër për Shqipërinë, gjë që mu shuajt kur e pashë drejtpërsëdrejti.
Mund të quhej zhgënjim?
Edhe shumë i fortë bile. E kisha shumë të vështirë të rrëfeja pa gënjyer. Prandaj kërkova helikopterin, për ta përshkruar Shqipërinë nga lart, se nga lart gjërat e shëmtuara nuk duken. E në fakt kur Rai e transmetoi reportazhin, edhe në shumë vende të tjera të perëndimit u pa për herë të parë ky vend. Bile kryeministra, ministra a kryetarë shtetesh apo njerëz të kulturës që e kishin parë këtë reportazh dy orësh, janë çuditur. Shumë më kanë telefonuar nga vende të ndryshme duke më thënë “Sa e bukur qenka kjo Shqipëri”.
Por brenda jush e dinit ama që kishit një rezervë, një sekret.
Patjetër. Por ama nuk desha që atë zhgënjim që pata unë ta transmetoja e të shkatërroja diçka të dashur për mua. Sepse atdheu është gjë më vete, qeveritë janë tjetër gjë. Ato vijnë e shkojnë. Kurse atdheu është atdhe, toka është tokë. Prandaj them se mjetet e komunikimit kanë një rëndësi shumë të madhe dhe varet se si i përdorim ne.
Ju keni realizuar një dokumentar me titullin “Madre Teresa, una bambina di nome Gonxhe”, një homazh filmik për nobelisten e madhe.
Është një përshkrim imi, shumë intim i Nënë Terezës. Pata mundësinë ta njoh në vitin 1978 dhe për njëzet vjet kam qenë pranë saj. E gjatë atyre viteve, bashkë me Nënë Terezën kishim dëshirë të realizonim një reportazh për jetën e saj, që nga lindja. Dëshira ishte që ajo vetë të më tregonte vendet ku kishte punuar e vepruar. Do të kishte qenë një dokument shumë i vyer mbi Nënë Terezën, që është një prej pasurive më të mëdha të shekullit të njëzetë. Por ajo e ngarkuar me punët e saj, unë me punët e mija, s’erdhi mundësia ta bëjmë bashkë këtë reportazh. Po të mendosh tani se çfarë vlere do të kishte një dokument i tillë nga pikëpamja e një identiteti. Unë e kisha menduar që Nënë Tereza të përshkruante vetë se nga ka rrjedhur, se nga vijnë prindërit e saj. Foshnjërinë, familjen dhe vendin e saj. Sepse në imagjinatën perëndimore Nënë Tereza vjen nga India në perëndim. Por pjesa fillestare e jetës së saj, se ku ka lindur, në ç’kushte është rritur dhe se cila është familja e saj, nuk njihet fare.
Prandaj kur u mbushën dhjetë vjet nga humbja e Nënë Terezës, i thashë vetes, që ishte e domosdoshme. Para së gjithash për mua vetë që kam qenë shumë i lidhur me Nënë Terezën. Dhe për vetë Nënën sepse kishte rëndësi qoftë dhe për një njohje më të gjerë në shkallë masive. Prandaj u hodhën në treg 100 mijë kopje të dokumentarit.
Ju keni pasur miqësi personale më Nënë Terezën.
Po, edhe në film nga njëra anë kam futur elementët që ajo më ka treguar drejtpërsëdrejti e që unë i kam futur në thonjëza. Kam përshkruar jetën e saj që nga lindja deri ardhja në Shqipëri, kemi shkuar bashkë në 1989.
Keni qenë edhe ju me të?
Po, unë e shoqëroja kur shkoi për herë të parë në Shqipëri. Gjëja e parë që bëri, shkoi tek varri i të ëmës dhe të motrës. E mbaj mend si sot, për 40 minuta u ngul përpara varreve duke u lutur. Ajo ka qenë shumë e lidhur me të ëmën dhe duke mos pasur mundësinë ta shihte së gjalli, gjithë dashurinë sikur donte t’ia shprehte në ato 40 minuta që u fal për shpirtin e tyre. Pastaj kërkoi një tufë me lule që i dërgoi tek diktatori Enver Hoxha. Edhe ky mund të quhet një paradoks i Nënë Terezës. Ajo nuk i seleksiononte kurrë njerëzit e mirë dhe njerëzit e këqij. Edhe për të këqijtë, ajo thoshte që duhet bërë çmos për të kërkuar të mirën tek ai i keqi.
Si ka qenë udhëtimi drejt Shqipërisë?
Jemi nisur nga Roma. Me të ishte dhe një bashkëpunëtore e saj angleze. Ishte një fluturim Alitalia, thjesht një avion linje. Gjatë rrugës kujtohet e thotë :”Po si nuk kemi marrë asgjë për t’ua çuar fëmijëve shqiptarë”. Unë isha bërë shumë vonë në aeroport dhe nuk kisha pasur mundësi të blija asgjë. Ajo kishte gjithnjë dëshirë të dhuronte o karamele o bombone, gjëra të tilla, të thjeshta. Mendova t’i kërkoj komandantit ç’të kishte në avion. Ai i dha gjithë ç’kishte, biskota, karamele e çokollata, ia mbushi plot atë çantën që ajo mbante gjithnjë me vete. Ishte gruaja më e lumtur në botë. Nëna Terezë edhe kur takonte një të rritur, edhe atij do t’i jepte një bombone a karamele. Sepse tek çdo i rritur shihte një fëmijë që duhej shpëtuar.
Takoheshit në Romë, vinte shpesh?
Po, shumicën e herëve jemi takuar këtu. E ndihmoja dhe kur mblidhte gjëra për të varfrit. Shumë herë zgjohesh në orën katër e gjysmë të mëngjesit, unë e prisja përpara shtëpisë dhe shkonim në treg. Atje merrte ç’i duhej për të varfrit e saj. Kurrë njëherë s’ka qëlluar që ndonjë tregtar t’i ketë kërkuar as edhe një liretë Nënë Terezës.
Domethënë ajo shkonte personalisht në treg?
Shkonte vetë se donte t’i zgjidhte gjërat. Se s’është që ngaqë gjërat duheshin për varfrit, të merreshin ç’ka kishte pa u shitur. Kurrsesi jo. Ajo kërkonte gjërat më të mira që kishin tregtarët. Edhe një gjë kisha vënë re. Shumë të pasur a biznesmenë dëshironin t’i jepnin para Nënë Terezës. Por ajo asnjëherë nuk i shikonte se sa para ishin ato që i jepnin. Mund t’i jepnin dhe çeqe prej miliona e miliarda liretash, ajo kurrë nuk i shikonte sa ishin. Ia jepte bashkëpunëtoreve dhe po ta pyeste njeri i thoshte : Atë që keni bërë e keni bërë për të mirën e të varfërve, jo për mua.
Ju dhe Nënë Tereza, në ç’gjuhë komunikonit?
Zakonisht anglisht por edhe pak serbo-kroatisht, por pak fare. Nuk mund të komunikonim në shqip, dinte vetëm disa fjalë.
Ndërsa vë re se shqipja juaj është …
E kam harruar?(qesh). Jo jo, mundohem shpesh të njoftohem dhe të freskoj gjuhën amnore. Nuk harrohen 16 vjet, ku ke lindë, ku ke jetuar, nuk mund të harrohen. Nuk duhet të guxojmë ta harrojmë, se po harruam gjuhën harrojmë vetveten. Kam 35 vjet që jetoj në Itali dhe akoma sot e kësaj dite unë mendoj në shqip dhe pastaj e përkthej në italisht apo në gjuhë të tjera. Sepse thelbi i mendimit, thelbi i ushqimit shpirtëror, është gjithmonë në gjuhën e parë, të vendit ku ke lindur.
Irida Cami, Bota Shqiptare 244