in

Kosovarët që jetojnë jashtë mund të votojnë me postë

Qytetarët e shtetit më të ri të Evropës që jetojnë jashtë vendit mund të ushtrojnë të drejtën e votimit edhe me postë për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 8 qershor 2014. Kur do të kenë këtë mundësi edhe shqiptarët?

Romë, 15 maj 2014 – “Nëse jeni nga Republika e Kosovës, por jetoni jashtë Kosovës. Ju mund të aplikoni për t’u regjistruar për të votuar me postë për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës që do të mbahen më 8 qershor 2014”. Është ky lajmi i KQZ-së së Kosovës që nga ana praktike u intereson kosovarëve por që tërheq vëmendjen edhe të qindra mijëra shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit që ndërsa gëzohen për këtë mundësi që u ofrohet kosovarëve, natyrshëm ngrenë pyetjen: “Kur do të jetë e mundur edhe për ne një gjë e tillë?”. Politikanët tanë, të majtë e të djathtë, gjatë fushatës së vitit të shkuar premtuan se edhe emigrantët shqiptarë pas zgjedhjeve të 2013-tës do të votojnë nga vendet ku jetojnë për zgjedhjet e Kuvendit në Shqipëri. Por me keqardhje duhet thënë se deri më sot as mazhoraanca as opozita nuk kanë paraqitur një projekt konkret për votën e shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë.

Kosova, republika vetëm 6-vjeçare, ua siguron të drejtën e votës qytetarëve të saj jashtë vendit, pa qenë nevoja që këta të kthehen në masë në vendlindje. Ja si mund të veprojnë ata për t’u regjistruar e më pas për të ushtruar të drejtën e votës me postë.

Fillimisht kërkohet të regjistrohen në listat për Votim Përmes Postës. Formularin për këtë regjistrim ata mund ta shkarkojnë në:
– kqz-ks.org (Formulari IFormulari II)
– Ambasadat dhe Konsullatat e Republikës së Kosovës (Këtu gjeni faqen zyrtare të Ambasadës në Romë)
– ose ta tërheqin personalisht në një nga pikat shpërndarëse jashtë Kosovës. Këtu gjeni listën e pikave shpërndarëse dhe adresat e tyre në Itali.

Kriteret që duhet të plotësojnë qytetarët për të votuar nga jashtë Kosovës janë: të kenë moshën 18 vjeçare në ditën e votimit më 8 Qershor 2014; të jenë të regjistruar në Regjistrin Civil të Republikës së Kosovës dhe të kenë dokumente të identifikimit (ID) të Republikës së Kosovës ose të UNMIK-ut; apo vërtetimi që dëshmon se janë persona legjitimë për t’u regjistruar në Regjistrin Civil të Republikës së Kosovës.

Formulari dhe një kopje e dokumentit që dëshmon shtetësinë kosovare apo të drejtën për shtetësi duhet të mbërrijnë në KQZ brenda datës 19 maj 2014. Formulari mund të dërgohet me postë në adresë të KQZ-së (Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Votimi Përmes Postës, K.P. 6 Kutia 351, 10 000 Prishtinë, Republika e Kosovës); përmes emailit zyrtar (ovpp[at]kqz-ks.org, dhe ogpp[at]kqz-ks.org apo me faks në numrin: +381 (038) 213 200.

Më pas, KQZ-ja do të njoftojë të interesuarit nëse kërkesa për regjistrim në listat e votuesve është aprovuar apo jo. Të gjithë aplikuesit e aprovuar do të marrin fletëvotimet dhe materialet tjera të nevojshme në adresën e paraqitur në kërkesën e regjistrimit.

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Mbi 40 mijë organizata në listë për “5 për 1000”. Mes tyre edhe shqiptare

Italianët në Shqipëri. Veliaj: “19 mijë me leje qëndrimi për punë”