Në qendër të Pomezia-s ndodhet një restorant me emrin “La Bocca della verità”. “Këtë emër gjetëm dhe këtë lamë”- na thotë Erleti, me kombësi shqiptare, i cili është menaxheri dhe kuzhinieri i restorantit
Erlet Mehmeti jeton në Itali që prej 20 vjetësh. “Prindërit i kam të dy nga qytete bregdetare të Shqipërisë, babai nga Saranda dhe nëna nga Vlora, ndërsa unë kam lindur dhe jam rritur në Tiranë. Në Shqipëri përfundova shkollën e mesme dhe në moshën 20 vjeçare erdha në Itali. Dihet që fillimi është gjithmonë i vështirë. Jam martuar me një zonjë polake dhe kam një vajzë 7 vjeçe të cilën e kemi quajtur Elenoire. Në Shqipëri dihet që në atë sistem jemi rritur si ateist. Ashtu e kërkonte koha, por dua t’ju them se që nga momenti që u bëra prind unë u bëra edhe besimtar. Besoj në një zot Universal, në një zot për të gjithë, dëshiroj dhe përpiqem të bëj vetëm mirë. Punët që kam bërë në fillim këtu ishin të çfarëdollojshme, mjaft që të ishin punë të ndershme, por pak nga pak fillova të dashurohem me profesionin e kuzhinierit, ose më mirë të them me kuzhinën italiane. Vazhdova shkollën për kuzhinier dhe tashmë jam shef. Punoj bashkë me vëllain tim Genin për administrimin e këtij restoranti. Në këtë restorant kemi vetëm 6 muaj. Ai ka një kapacitet prej 80 vendesh. Më parë administronim një restorant buzë detit. Klientët që kishim atje na ndjekin edhe këtu, sepse dimë të kënaqim shijet e tyre… Kemi punësuar qytetarë italiane me të cilët kemi marrëdhenie të mira jo vetëm pune, por edhe miqësie. Lënda e parë, peshku, është i freskët, me furnizim ditor mund të shikohet nga klientët në kasetat e ekspozuara në hyrje të lokalit”.
Recetat që përgatit Erleti janë të shijshme dhe të shumëllojshme. E pyesim se çfarë kuzhine gatuani? Përgjigjet: “Vetëm kuzhinë italiane me bazë peshku dhe mishi.”
Pikërisht në këtë restorant një çift shqiptar feston përvjetorin e martesës. Të ftuarit italiane, kuzhina italiane, kuzhinieri shqiptar. Një atmosferë e vërtetë feste dykombëshe. Edhe ky episod flet për integrim.
Elira Maksuti
Shqiptari i Italisë i muajit qershor 2009