Futbollisti Granit Xhaka i kombëtares Zvicerane poston në Twitter një foto ku janë të gjithë shqiptarët e Zvicrës bashkë, e një mesazh përshëndetjeje
Nis nesër Botërori 2014 ku do të jenë të pranishëm edhe shqiptarë. Jo me kombëtaren kuqezi por me Zvicrën, Greqinë, Belgjikën apo Gjermaninë, vendet qytetarë të të cilave janë lojtarët sepse aty jetojnë prej shumë kohësh. Janë Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri, Blerim Xhemaili, Valon Behrami dhe Admir Mehmedi me Zvicrën, Gjergji Kone dhe Sotir Nini me Greqinë, Adnan Januzaj me Belgjikën dhe Shkodran Mustafi me Gjermaninë, që iu shtua së fundi listës së shqiptarëve që do të luajnë në këtë Botëror.
Për Behramin, Shaqirin, Xhakën, Xhemailin dhe Mehmedin, në Shqipëri u fol gjatë edhe për faktin se në fazën e ndeshjeve eliminatore ata luajtën kundër kombëtares shqiptare që kishin në grup. U akuzuan padrejtësisht për “tradhti” nga tifozët kuqezi. U lënduan padrejtësisht atëherë, e megjithatë sot njëri prej tyre, Xhaka, lë pas krahëve polemikat boshe mbi zgjedhjen e tyre të lirë e përshëndet të gjithë shqiptarët. Poston në Twitter një foto ku janë të gjithë shqiptarët e Zvicrës bashkë, e një mesazh ku shkruan “Përshëndesim të gjithë shqiptarët që na përkrahën. Ju falënderojmë për të gjitha”.
Është e vërtetë që Zvicra u klasifikua për në Botërorin Brazil 2014 edhe falë futbollistëve me origjinë të huaj, kjo u vu në dukje veçanërisht pas një referendumi me të cilin zviceranët u shprehën kundër imigracionit masiv. Por fakti që futbollistët shqiptarë Behrami, Shaqiri, Xhaka, Xhemaili dhe Mehmedi dhanë kontributin e tyre për kualifikimin e Zvicrës duhet të na gëzojë për suksesin e tyre në vendin që ua dha këtë mundësi. Sukses që ua urojmë edhe për fazën finale të kampionatit, jo vetëm shqiptarëve të Zvicrës por edhe Gjergji Kones dhe Sotir Ninit me Greqinë, Adnan Januzajt me Belgjikën dhe Shkodran Mustafit me Gjermaninë
Lexo edhe:
“Patriotët” e paaftë dhe yjet “tradhtarë”
Shqipëri-Zvicër. Golat dhe tradhtia