“Nëse Evropa do që anëtarët e ardhshëm të plotësojnë standardet e saj ekonomike, duhet t’u lejojë të bëjnë atë që ata dinë të bëjnë më mirë” kështu shkruan për agjencinë ndërkombëtare të lajmeve Bloomberg në Nju Jork, gazetari Leonid Bershidsky, duke marrë shkas nga aksioni policor i Lazaratit, që sipas tij, qeveria shqiptare ka ndërmarrë për t’iu afruar më shumë BE-së.
Ja artikulli i tij i plotë:
Në kërkim të anëtarësimit të saj në Bashkimin Evropian, Shqipëria po përpiqet që të shkatërrojë një pjesë të madhe të ekonomisë së saj: rreth 800 oficerë policie janë dërguar për të djegur plantacionet me marihuanë në fshatin e Lazaratit, që mendohet se prodhon rreth 900 ton kanabis në një vit.
Qeveria socialiste e kryeministrit Edi Rama mesa duket shpreson se shkatërrimi i hashashit do ta ndihmojë të fitojë mbi zyrtarët e BE-së, që kanë shprehur shqetësim për një sërë problemesh në vendin thellësisht të korruptuar, me paligjshmëri dhe me shumicë myslimane.
Një problem është zakoni i gjakmarrjes që ka dëmtuar reputacionin e vendit. Dukuri për të cilën autoritetet shqiptare nuk arrijnë të japin shifra të sakta, edhe.
Një tjetër është mosmarrëveshja mes Shqipërisë dhe kompanisë çeke CEZ, që ka investuar në sistemin e shpërndarjes së energjisë.
Pastaj është trafikimi: Shqipëria është jo vetëm një vend që rrit drogë, por edhe një qendër tranziti e drogës nga Afrika e Lindja e Mesme, për në Greqi, Itali dhe vendet e tjera europiane.
Edhe pse autoritetet shqiptare kanë premtuar se do të zgjidhin këto probleme, ata janë fokusuar në një temë: Evropa duhet ta pranojë Shqipërinë për t’i dhënë një sinjal pozitiv Ballkanit.
“Ne nuk jemi engjëj, por çdokush ka bërë një zgjedhje të qartë, të bëjë paqe për hir të perspektivës europiane,” tha Rama në një fjalim së fundmi.
Ky ka qenë një argument bindës për europianët, që duket se do i japin vendit statusin e kandidatit javën që vjen, një besueshmëri e madhe për Ramën dhe vendin e tij, por nisur nga përvoja e Turqisë, kjo nuk do thotë detyrimisht se vendi do të jetë më pranë pranimit në BE.
Pavarësisht nga ç’thonë burokratët europianë, Shqipëria është në gjendje shumë më të keqe, si ekonomikisht dhe në aspektin e sundimit të ligjit, se edhe Bullgaria, vendi anëtar më i varfër i BE-së.
Nëse Shqipëria mund të pranohet si vend kandidat, pse jo edhe Ukraina? Pavarësisht konfliktit të armatosur që ka shpërthyer në rajonet lindore të vendit, Ukrahina të paktën nuk është një parajsë për trafikun e drogës dhe vendi i traditave të përgjakshme mesjetare. Investitorët e huaj janë më të mirëpritur nën drejtimin e presidentit pro- biznes Petro Poroshenko se në çdo vend tjetër të Evropës Lindore. Natyrisht, BE nuk do të guxojë ta ndërmarrë këtë hap, pasi i druhet se provokon Rusinë.
Për të shmangur standardet e dyfishta, Brukseli duhet të konsiderojë legalizimin e marijuanës në BE. Më pas Shqipëria, me industrinë e saj të zhvilluar të kanabisit, mund të mirëpritet në BE si një vend me një specializim të ligjshëm dhe të nderuar.
Me çmimet që shitet në Kolorado, që së fundmi ka legalizuar marihuanën, të ardhurat e përvitshme nga Lazarati do të ishin rreth 7,6 miliardë dollarë, thuajse sa një e treta e PBB të Shqipërisë. Legalizimi i kanabisit në Kolorado ka sjellë 7,4 miliardë dollarë në taksa në tre muajt e parë dhe nuk ka sjellë rritje të ndjeshme të krimit.
Nëse Evropa do që anëtarët e mundshëm të plotësojnë standardet e saj ekonomike, duhet t’u lejojë të bëjnë atë që ata bëjnë më mirë.
Lexo artikullin në origjinal: Help Albania, Legalize Pot