in

BE i jep Shqipërisë statusin kandidat

Luksemburg, 24 qershor 2014 – Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Europian, Stefan Fule, deklaroi se vendimi i ministrave të jashtëm të shteteve anëtare të BE-së për t’i dhënë Shqipërisë statusin kandidat, ka ardhur si pasojë e përpjekjeve për reforma nga qeveria shqiptare.

Fule shkruan në profilin e tij Twitter në gjuhën shqipe dhe anglisht: “Urime për statusin e kandidatit, miratuar nga Ministrat, njohje e përpjekjeve për reforma, nxitje për më shumë”.

Rama: Jam krenar që ia dolëm të gjithë bashkë

Kryeministri Edi Rama menjëherë pas vendimit të Ministrave të BE-së për dhënin e statusit të vendit kandidat, shpreh mirënjohje për të gjithë duke deklaruar se ia dolëm të gjithë bashkë. Në Twitter, Rama shkruan: “sa fola me Stefan Fulen e jam krenar që ia dolëm të gjithë bashkë, e sigurisht PS-LSI.Faleminderit e mirënjohje për gjithë JU”.

Gjosha: Vendimi për statusin, sinjali më pozitiv edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor

“Shqipëria është nga sot kandiate zyrtare për t’u bërë pjesë e familjes së madhe evropiane”, deklaron Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha në një deklaratë për mediat, Gjosha shprehet se “sigurisht që Ministria e Integrimit Evropian nuk mund të fshehë gëzimin, për vendimin e sapo marrë nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian për t’i thënë “PO”, statusit të vendit të kandidat për Shqipërinë”.

Ky është një vendim – shprehet Gjosha – që duhet të mbushë me optimizëm dhe shpresë secilin prej nesh, jo për këtë që sapo ndodhi, por për sfidën e madhe që na pret në vijim”. Ministria e Integrimit Evropian falënderon të gjithë vendet anëtare “për vëmendjen dhe interesin që i kanë kushtuar çdo përpjekjeje tonën, për të dëshmuar se procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, e kemi prioritet parësor”.

Duke vënë në dukje se vendimi i sotshëm është sinjali më pozitiv, shtysa më e mirë, jo vetëm për ne, por për të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, madje për të gjithë Evropën e bashkuar, Gjosha shpreh bindjen se “ky vendim frymëzon besimin, se parimet mbi të cilat u krijua modeli i suksesshëm evropian, mbizotërojnë e qëndrojnë të palëkundura, ndaj çdo qëndrimi dhe force të mëpasshme”.

Gaiani: Uroj që presidenca italiane e BE-së të nisë me lajmin e marrjes së statusit nga Shqipëria

Shqipërisë i jepet statusi i vendit kandidat. Lajmi në Itali