in

Statusi kandidat: Ministrat e BE-së unanimisht pro Shqipërisë

Ministrat e çështjeve Evropiane të 28 vendeve anëtare të Bashkimit Europian, kanë vendosur unanimisht të miratojnë raportin e Komisionit Europian për t’i dhënë Shqipërisë statusin kandidat.

Gazetari i ATSh-së që ka ndjekur zhvillimin e mbledhjes, bën të ditur se së shpejti do të publikohet njoftimi për shtyp i mbledhjes së mbledhjes së Këshillit për Çështje të Përgjithshme.

Sipas planifikimit paraprak, në orën 16.00 është parashikuar një Konferencë për shtyp e shefes së diplomacisë së BE-së, Catherine Ashton dhe e Evangelos Venizelos, Ministri i Jashtëm i Greqisë,  vend që mban presidencën e radhës së Bashkimit Europian.

Siç mësohet vendimi për dhënien e statusit kandidat është miratuar pa asnjë problem nga 28 vendet anëtare dhe ndryshe nga muaji dhjetor nuk ka pasur asnjë klauzolë apo skepticizëm.

Me dhënien e statusit kandidat, faza tjetër është hapja e negociatave, e cila pritet të vendoset nga Komisioni Europian pas muajit korrik, kohë kur Italia do të drejtojë Presidencën e radhës së BE-së.

Komisioneri Europian për Zgjerimin Stefan Fule, ishte ndër të parët që dha lajmin e dhënies së statusit kandidat, duke postuar në faqen zyrtare në tvviter dy deklarata në gjuhën shqipe dhe angleze. “Urime për statusin e kandidatit, miratuar nga Ministrat, njohje e përpjekjeve për reforma, nxitje për më shumë”, shkruan Komisioneri Fule.

Ndërkaq, Kryeministri shqiptar, Edi Rama, theksoi: “Sa fola me Stefan Fulen e jam krenar që ia dolëm të gjithë bashkë e sigurisht (me aleancën PS-LSI). Flm e mirënjohje për gjithë”. Rama ka publikuar një foto të lëvizjes studentore të vitit 1990 që solli rrëzimin e diktaturës komuniste dhe vendosjen e sistemit demokratik pluripartiak.

Vendimi i Ministrave të jashtëm të BE-së vjen pas një sërë reformash të ndërmarra nga qeveria shqiptare në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Aksioni më i rëndësishëm në këtë drejtim është padyshim operacioni i këtyre ditëve në Lazarat, i cili ishte kthyer në një “kryeqytetin e drogës në Evropë”.

Shqipërisë i jepet statusi i vendit kandidat. Lajmi në Itali

Statusi i vendit kandidat. Konkluzionet dhe kërkesat e Këshillit të Ministrave të BE-së