in

Arrestohet serbi që i vuri flakën flamurit shqiptar

Përveç humbjes 3-0, kombëtarja serbe e futbollit rrezikon të pezullohet nga të gjitha garat ndërkombëtare. Brenda 15 ditëve pritet vendimi i UEFA-s. Mes 17 të arrestuarve gjatë natës, edhe Ivan Bogdanoviç, personi që i vuri flakën flamurit shqiptar

Romë 13 tetor 2010 – Një ditë pas revoltës së tifozëve serbë në stadiumin e Xhenovas, ku është djegur flamuri shqiptar, policia ka vënë në pranga 17 ultras, mes tyre dhe drejtuesin e tyre.

Takimi i vlefshëm për grupin C, një nga më të rëndësishmit e ditës së djeshme, nisi me një akt urrejtjeje ndaj shqiptarëve dhe më pas degjeneroi në dhunë dhe përleshje të vërteta me policinë.

Agjencia e lajmeve ANSA raporton për një bilanc prej 17 të arrestuarish dhe 16 të plagosur. Mes tyre dy karabinierë. Incidentet e dhunshme kanë vazhduar edhe jashtë stadiumit deri në orën 02.00 pas mesnate. Janë denoncuar 35 huliganë si dhe 138 janë të identifikuarit. Është arrestuar edhe Ivan Bogdanovic, ai dogji flamurin shqiptar, dhe që akuzohet se është dhe organizatori i trazirave. Ai ka prerë ndarëset me tela që ndanin tifozët italianë me gati 2000 tifozë serbë në stadium.

Policia ka arritur ta ndalojë pas kontrolleve të shumta të cilat kanë vazhduar gjithë natën. Është gjetur i fshehur në portabagazhin e autobusit që do të rikthente tifozët në Beograd. Personi u identifikua përmes tatuazheve në parakrah.

Ngjarjet e shëmtuara të ofruara nga tifozët serbe mbrëmjen e të martës në Genova përpara fillimit të ndeshjes Itali – Serbi, e vlefshme për eliminatoret e kampionatit Evropian 2012, pritet të sjellin masa të rënda disiplinore për përfaqësuesen dhe federatën serbe të futbollit.

Serbia rrezikon përjashtimin nga Europa. Të gjitha mediat italiane e kanë cilësuar dhunën si të paprecedente, ndërsa Beogradi ka kërkuar falje zyrtare. Por a do mjaftojë kjo për të shpëtuar kombëtaren serbe nga ndëshkimi?

Dëmi më i vogël që mund t’i shkaktohet kombëtares serbe është humbja në tavolinë 3-0, por UEFA ka treguar se është e aftë të reagojë me shpejtësi kur bëhet fjalë për dhunë.

Delegati David Petriashvili pritet të paraqesë raportin në UEFA dhe vendimi do të merret brenda 15 ditësh. Në analizë do merret parasysh edhe dhuna gjatë ndeshjes së vitit 2008 në Beograd ku u vra një tifoz i skuadrës së Tuluzës. Nëse përjashtohet kombëtarja serbe, kjo nuk do të jetë hera e pare pasi në vitin 1992 u përjashtuan nga evropiani, duke i lënë rrugë të lirë Danimarkës që pak muaj më vonë u shpall edhe kampione e kontinentit.

Kombëtarja serbe e futbollit ka mbërritur mbrëmjen e kaluar në Beograd pas pezullimit të takimit Itali-Serbi. Futbollistët kanë shprehur hidhërim për atë çfarë ndodhi, por nuk dhanë komente mbi sjelljen e tifozëve ekstremistë.

Lexo edhe: Itali-Serbi, tifoze serbe djegin flamurin shqiptar

Ambasada serbe kërkon ndjesë për trazirat

Basha: “Shqipëria përmbushi kriteret për liberalizimin e vizave”