Vazhdon operacioni i policisë në Lazarat. Nga 15 qershori, kur nisi, deri dje në fshatin e marihuanës, sasia e drogës e sekuestruar dhe e shkatërruar arrin në 65 tonë, ndërsa numri i të arrestuarve ka shkuar në 47. Vetëm dje u ndaluan dy persona të dyshuar dhe u sekuestruan 650 kg marihuanë e fshehur në një tunel si dhe u sekuestruan sasi të konsiderueshme armësh e municionesh.
Operacioni në shifra
Gjatë operacionit që ka nisur në mes të qershorit, në Lazarat policia ka arritur të sekuestrojë dhe të djegë mbi 65 tonë drogë marijuanë dhe hashash, si dhe 134 mijë bimë narkotike fidanë të mbjellë. Po kështu janë sekuestruar 5 kg heroinë, 21 kg hashash çokollatë, 17 litra vaj hashashi, 5 kg farë kanabisi. Policia ka zbuluar edhe 5 laboratorë të ndryshëm, pajisje për tharje dhe prerje.
Gjatë kontrolleve të banesave, rreth 850 deri tani, janë gjetur mbi 400 armë të ndryshme, pistoleta, snajpera, rreth 30 mitralozë, qindra granata, mbi njëmijë kallëpe tritoli, 19 mina kundër këmbësorisë dhe qindra mijëra fishekë. Nuk kanë munguar as kamerat termike, dylbitë, maskat, jelekët antiplumb, uniformat e policisë, dokumente të ndryshme identifikimi, edhe serbe, pajisje për kërkim floriri dhe metali. Gjithashtu janë kapur makina me drogë, dhe janë sekuestruar mbi 20 mjete të tjera transporti. Një pjesë e armëve dhe mjeteve të përpunimit të drogës u gjetën të djegura.