in

Arrestohet Ledjan Muçaraku për mashtrim. Ndoshta 900 persona në grackën e tij

Sipas hetimeve 29-vjeçari Muçaraku, në 7 vjet dhënieje parash me fajde ka mashtruar qindra persona duke u vjedhur qindra mijëra euro e prona të patundshme

Tiranë, 1 korrik 2014 – Jepte para borxh përmes llogarisë së tij bankare, i merrte mbrapsht shumat e huazuara me para në dorë, e më pas padiste për mashtrim e moskthim të parave borxhmarrësit pasi nga dokumentet bankare e ato notarile të modifikuara rezultonte se i ishin akoma borxhlinj. Duke e nisur me këtë skemë të thjeshtë mashtrimi, të stërholluar në vite, ka futur në xhep qindra mijëra euro e në telashe qindra persona. Për këtë akuzohet 29-vjeçari Ledjan Muçaraku nga Fieri i arrestuar më 30 qershor në Tiranë.

Sipas policisë, që hetonte mbi rastin prej disa muajve, në çastin e arrestimit, në shtëpi të tij janë sekuestruar 51 kontrata noteriale huadhënieje për shuma nga 6 mijë deri në 230 mijë euro, 28 vendime gjykate, 18 kërkesë-padi, 226 fatura bankare, certifikata pronësie, fletëthirrje gjykate, certifikata personale.

Nga hetimet e deritanishme prokuroria e Fierit ka dokumetuar se janë mashtruar mbi 50 qytetarë, mes tyre edhe 30 biznesmenë, si dhe ka informacione e po hetohet për rreth 900 persona të mashtruar në këtë mënyrë nga kjo skemë.

Hetimet nisën nga Drejtoria për Krimin Ekomomik e Financiar të Policisë që kishte marrë informacion për një rast të dyshimtë të funksionimit të një skemë mashtrimi, përmes lidhjes së kontratave të huadhënies individë të ndryshëm nga Fieri, Vlora, Berati, Lezha, Durrësi, Tirana, Kruja, Lezha, Laçi, Mamurrasi, Burreli, Kukësi, Kavaja, mbi 900 kontrata të tilla me vlera nga 9.000 deri në 250.000 euro. Kjo skemë dyshohet të ketë zanafillën në vitin 2007, kur në shënjestër të Muçarakut, asokohe 22 vjeç, ishin studentët të cilëve u ofronte shuma të vogla, nga 5000 – 10.000 lekë me interes nëpërmjet llogarive bankare, të cilat ua merrte sërish në dorë dhe më pas me kopje të deklaratës noteriale dhe nxjerrjes pranë bankës të gjendjes së llogarisë së tij bankare dokumentonte fiktivisht moskthimin e shumës nga personat ngrinte kundër tyre padi civile e penale në prokurori dhe gjykatë, duke i akuzuar  viktimat padrejtësisht për mashtrim, kërcënim e fyerje dhe dëmtime me dashje. Ai, gradualisht e zgjeroi skemën e tij të mashtrimit me biznesmenë të interesuar për të marrë para me interes, të cilëve u sugjeronte të bënin depozitime paraprake në llogarinë e tij me përshkrimin “shlyerje detyrimi” ndaj Ledjan Muçarakut, në vlerat nga 1000 lekë deri në 500.000 lekë.

Po ashtu hartonte thuajse çdo ditë deri edhe 3 akte noteriale me vlera marrëmendëse parash të dhëna me interes, me peng pasuri të paluajtshme shtëpi, troje, lokale etj. Gjatë gjithë kësaj kohe u kërkonte para si shpërblim për këtë punë dhe për aktet noteriale në vlera që shkonin nga 15 mijë lekë deri në 500 mijë lekë për kontratë.

Për t’u siguruar këto para, Ledjan Muçaraku, përveç se u kërkonte t’i depozitonin para në llogaritë e tij bankare, u kërkonte edhe para në dorë dhe shpërblime të tjera gjatë gjithë kohës të të ashtuquajturës përpjekje për t’u kaluar shumat në bankë, gjë e cila nuk ndodhte kurrë veç ndonjë vlere të papërfillshme, sa për të mbajtur në këmbë skemën e mashtrimit.

Një pjesë të mirë të klientëve të tij arrinte t’i mashtronte sërish duke i bindur të shkonin para noterit e të deklaronin me vullnetin e tyre se ata i kishin marrë para në dorë nga Ledjani dhe ia kishin kthyer atij me bankë dhe se nga ky moment i paraqitjes para noterit nuk ka më asnjë detyrim ndërmjet palëve. Më pas shkonte në bankë dhe printonte gjendjen e llogarisë bankare. Me akte të tilla ka hapur dhjetëra procedime fiktive dhe ka arritur të fitojë gjyqe civile për kthimin e shumave plus interesin, pavarësisht se realisht ai këto vlera parash nuk i kishte dhënë.

 

 

Shqipëria që nuk duam

Operacioni në Lazarat. Në mëse dy javë, 65 tonë drogë e sekuestruar, 47 të arrestuar