Ambasadorët Ceka, Gashi dhe Berisha përjashtohen nga konferenca e përvitshme e ambasadorëve. Për ta i është kërkuar presidentit Nishani shkarkimi nga detyra sepse zgjedhja e tyre nga qeveria e Berishës është bërë për motive politike
Romë, 2 korrik 2014 – Gazetat shqiptare shkruajnë sot se ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka përjashtuar nga Konferenca e Përvitshme e Ambasadorëve, ambasadorin shqiptar në Romë, Neritan Cekën, e bashkë me të edhe Mal Berishën, ambasador në Angli, dhe Flamur Gashin ambasador në Bosnje.
Gjithnjë sipas mediave, pasi akoma nuk ka një informacion zyrtar nga ministria, mësohet se këta ambasadorë janë thirrur fillimisht për të marrë pjesë në Konferencë që do të mbahet në Tiranë nga data 4 deri në 7 korrik, e më pas, me një njoftim të dytë u është anulluar ftesa. Ky qëndrim duket se bazohet në faktin që ministri Bushati i ka kërkuar presidentit të Republikës shkarkimin nga detyra të tre diplomatëve të lartë pasi, sipas qeverisë së re, ata janë zgjedhur nga qeveria e shkuar vetëm për motive politike.
Neritan Ceka, 73 vjeç, arkeolog e profesor, mban postin e ambasadorit të Shqipërisë në Romë nga pranvera e vitit të shkuar. Para se të ngarkohej si Ambasador ishte këshilltar i kryeministrit Sali Berisha për Kulturën.