Në shtator 2006 qëlloi me armë zjarri dhe la të vdekur Elvis Hoxhën që po i vidhte makinën. Për këtë ngjarje është dënuar në të trija shkallët e gjykimit me 6 vjet e 2 muaj heqje lirie për vrasje me dashje
Romë, 17 korrik 2014 – Antonio Monella, sipërmarrës 52 vjeç është dënuar me vendim të formës së prerë me gjashtë vjet burg për vrasjen në shtator 2006 të 19-vjeçarit Elvis Hoxhën që po i vidhte makinën në oborrin e shtëpisë në Arzago d’Adda të Bergamos.
Sot shtypi bën të ditur se janë mbledhur 10 mijë firma nga qytetarë të thjeshtë e 300 nga përfaqësues institucionesh për t’i kërkuar presidentit faljen e sipërmarrësit. Sipas gazetës së Legës, La Padania, kërkesa e faljes, e përpiluar nga një komitet i ngritur posaçërisht për këtë punë, dhe i koordinuar nga kryetari i komunës Gabriele Riva, që është edhe sekretari provincial i PD-së në Bergamo, është nënshkruar nga këshilltarë komunalë, kryetarë komunash e parlamentarë të Legës, Forza Italia-s dhe Scelta Civica. Kërkesa e firmat i janë nisur Presidentit të Republikës përmes Gjykatës së Mbikëqyrjes dhe Ministrisë së Drejtësisë.
Antonio Monella është dënuar me 6 vjet e 2 muaj burg, e vendimi është përfundimtar: në shkallë të parë në tetor 2011 u dënua me 8 vjet burg, në apel në vitin 2012 dënimi iu ul në 6 vjet e 2 muaj e ky i fundit u konfirmua edhe marsin e shkuar. Në të gjitha shkallët e gjykimit Monella u njoh fajtor për veprën penale të vrasjes me dashje, edhe pse gjithnjë avokati i tij është përpjekur të kalonte vrasjen e 19-vjeçarit si një mbrojtje të ligjshme. Por versioni i mbrojtjes u hodh poshtë që në seancën paraprake, kur sipas gjykatësit, nuk mund të ishte e tillë “sepse hajdutët po largoheshin, pra nuk po e kërcënonin më sipërmarrësin dhe ky ndërsa shkrehte armën duhet ta mendonte se mund të vriste ndonjë”.
Edhe pse sot vendimi i dënimit është i formës së prerë, Monella nuk është akoma në burg, sepse siç shpjegon avokati, “gjykatës së Mbikëqyrjes i është kërkuar pezullimi për gjashtë muaj i dënimit në pritje të vendimit mbi faljen nga anë Presidentit”.
Siç mund të parashikohej nga kushdo, Lega po ndjek hap pas hapi këtë çështje. “Jemi të mendimit se kush gjen hajdutët në shtëpi – komenton Daniele Belotti, sekretar provincial i Legës në Bergamo – duhet të ketë të drejtën që të mbrohet”. E pra, të mbrohet, jo të qëllojë me armë e të lërë të vdekur një djalë 19 vjeç të paarmatosur që po ia mbath. Qoftë ky edhe hajdut.
Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)
Lexo edhe:
Gjashtë vjet burg sipërmarrësit që në 2006 vrau Elvis Hoxhën, 19 vjeç
Shënjestër
Kushëriri nga Amerika