in

“Tirana e Albania”, për t’u treguar italianëve vendin turistik përballë

Udhëtarët italianë që do të vizitojnë këtë vit Shqipërinë kanë në dispozicion një mjet të ri dhe praktik orientimi, udhërrëfyesin e sapobotuar turistik ‘Tirana e Albania’. I hedhur në treg nga Morellini Editore, udhërrëfyesi gjendet sot në libraritë kryesore të Italisë, por mund të blihet edhe online, në portalet e shitjes së librave. Ai është punim i dy autorëve, antropologut italian Francesco Vietti dhe e gazetarit shqiptar, drejtor i Qendrës së Kulturës Shqiptare, Benko Gjata. Përmban mbi 180 faqe me informacione për historinë, kulturën, gjeografinë dhe klimën e Shqipërisë e mbi të gjitha përshkrime të detajuara të itinerareve dhe destinacioneve kryesore turistike, si edhe shumë të dhëna praktike, të dobishme për vizitorët.

“Guida është fryt i bashkëpunimit mes meje dhe antropologut Francesco Vietti. Të dy kemi punuar gjatë  në fushën e turizmit këto vitet e fundit, në kuadër të disa projekteve, në Itali dhe Shqipëri. – tregon Benko Gjata për Botën Shqiptare – Gjatë kësaj periudhe kemi vënë re një rritje të rëndësishme, cilësore dhe sasiore, të ofertës turistike shqiptare, që përkon me rritjen e numrit te vizitorëve të huaj. Ndër këta të fundit, italianët përbëjnë një prej grupeve kryesore, falë afërsisë gjeografike dhe vëllimit të lartë të marrë­dhënieve mes dy vendeve tona. Pavarësisht kësaj, në Itali nuk kishte ende një udhërrëfyes të mirëfilltë turistik të përditësuar, të realizuar enkas për lexuesin italian. Botimi i fundit i këtij lloji i përkiste vitit 1940, pra periudhës së pushtimit italian të Shqipërisë! Në këtë kontekst lindi ideja e realizimit të një guide të posaçme kushtuar vendit tonë”.

Në ç’aspekt u përqëndrua puna juaj për përpilimin e udhërrëfyesit?

Benko Gjata: Projekti për realizimin e guidës zgjati mbi një vit. Kemi zhvilluar një punë të gjatë dhe intensive për mbledhjen e të dhënave të përditësuara, duke konsultuar një numër të lartë tekstesh dhe materialesh të tjera burimore, në italisht, shqip dhe gjuhë të tjera. Por mbi të gjitha kemi zhvilluar një numër vizitash të njëpasnjëshme në terren, nga malësitë e alpeve të veriut të Shqipërisë, tek fshatrat e bregdetit jonian, duke kaluar përmes të gjitha qendrave dhe siteve kryesore me vlera historike, kulturore dhe turistike të Shqipërisë. Gjatë këtyre vizitave jemi njohur dhe kemi zhvilluar takime me operatorët turistikë dhe përfaqësuesit e institucioneve vendore, për të pasqyruar në mënyrë sa më të saktë dhe të përditësuar realitetin e turizmit shqiptar. 

Udhërrëfyesi titullohet ‘Tirana e Albania’, duke lënë të mendosh së kryeqytetit i kushtohet një vëmendje e veçantë?

Një prej meritave të këtij botimi është kontributi në renditjen e Tiranës, në imagjinatën e udhëtarëve italianë, përkrah atyre qyteteve të njohura europiane, që frekuentohen prej kohësh si destinacione tërheqëse turistike të mirëfillta. Përmendja e Tiranës në titull, si destinacion turistik, ka edhe një efekt të rëndësishëm psikologjik, pasi kështu kryeqyteti ynë fillon të njihet në vendin fqinj jo vetëm për lajmet e kronikës.

Kjo zgjedhje nuk është “partizane”. Ne si autorë jemi të bindur se Tirana e meriton plotësisht këtë “status” të ri, për një seri arsyesh. Kryeqyteti është pika kryesore hyrëse e Shqipërisë. Pjesa më e madhe e udhëtimeve në vendin tonë fillon dhe përfundon në Tiranë, pranë së cilës ndodhet aeroporti ynë i vetëm ndërkombëtar. Një numër i madh vizitorësh mbërrijnë tek ne për vizita të shkurtra pune dhe koha e lirë në dispozicion të tyre nuk u mundëson më shumë sesa një vizitë të kryeqytetit dhe rrethinave të tij.

Për të gjithë këta vizitorë, Tirana ofron një gamë të pasur e të larmishme tërheqjesh, nga veçoritë arkitektonike të godinave të qëndrës historike, tek koleksionet e pasura të Galerisë Kombëtare të Arteve dhe disa pavijoneve të Muzeut Historik, nga kërshëria që zgjojnë fasadat me ngjyra, kjo vepër arti bashkëkohor e shtrirë në hapësirë, tek niveli i kënaqshëm i cilësisë së akomodimit, larmia e ofertës enogastronomike dhe gjallëria e jetës kulturore e shoqërore të kryeqytetit.   

Tirana ofron gjithashtu mundësinë e vizitës brenda ditës të disa pikave të tjera me interes të lartë turistik si Kruja, Berati, Apollonia apo Durrësi.

Kujt i drejtohet udhëzuesi dhe çfarë përmban ai?

Guida i drejtohet kryesisht publikut italian. është menduar për të. U drejtohet atyre që kanë vendosur tashmë ta vizitojnë Shqipërinë dhe kanë nëvojë për një mjet praktik për t’u orientuar, por edhe atyre që janë thjesht kureshtarë të dinë më shumë për vendin tonë, përpara se të marrin një vendim për ta vizituar atë.

Ne besojmë gjithashtu se guida është një mjet i vlefshëm edhe për emigrantët shqiptarë që jetojnë në Itali, sidomos për më të rinjtë, që kanë lindur apo janë rritur këtu dhe nuk e njohin mirë Shqipërinë.

Udhëzuesi përbëhet nga mbi 180 faqe dhe përmban 90 fotografi dhe skeda informative. Disa nga seksionet i kushtohen të dhënave të përgjithshme mbi historinë, kulturën, gjeografinë dhe klimën e Shqipërisë, si edhe të dhënave praktike, të dobishme për planifikimin e një udhëtimi në vendin tonë. Këtu kemi renditur p.sh., të gjitha kompanitë ajrore dhe detare që lidhin sot Italinë me Shqipërinë, me informacionet përkatëse të kontaktit, si edhe një seri udhëzimesh praktike për të lëvizur me lehtësi në vendin tonë.

Në qendër të vëmendjes së guidës janë natyrisht destinacionet kryesore turistike të Shqipërisë. Përveç Tiranës, për të cilën folëm më lart, ne u propozojmë udhëtarëve një seri itineraresh që mundësojnë eksplorimin dhe njohjen e plotë të territorit të vendit.

Disa prej tyre janë ditore, të propozuara nga Tirana drejt Krujës, Durrësit dhe rrethinave, Beratit dhe Apollonisë. Të tjerët janë intinerare më të gjatë, që mundësojnë vizitën e qendrave kryesore historike, kulturore dhe turistike shqiptare: drejt veriut, Shkodrës dhe alpeve; jugut, nga Vlora në Gjirokastër, përmes bregdetit jonian, Sarandës dhe Butrintit; dhe jug-lindjes, që përfshin Korçën dhe rrethinat, Pogradecin dhe rajonin e liqeneve të Ohrit dhe Prespës.

Përveç të dhënave që lidhen me pikat më tërheqëse për çdo etapë dhe intinerar, guida u ofron udhëtarëve edhe shumë të dhëna praktike mbi transportin, akomodimin dhe ushqimin, si edhe kontaktet e institucioneve kryesore të artit dhe kulturës me oraret dhe çmimet e biletave përkatëse.

Si është pritur guida deri tani nga publiku italian?

Guida ‘Tirana e Albania’ mund të konsiderohet një projekt i arrirë edhe nga pikëpamja, shumë e rëndësishme, e shpërndarjes së librit. Ajo gjendet sot në dispozicion të lexuesve në mbi 300 librari në të gjithë Italinë, ndër të cilat edhe ato të rrjeteve kryesore si Mondadori dhe Feltrinelli. Ajo mund të blihet lehtësisht edhe online, në portalet kryesore të shitjes së librit, si Amazon, etj. Falë kësaj pune të botuesit Morellini, suksesi me publikun ka qenë i jashtëzakonshëm. Një mijë kopjet e botimit të parë janë tërhequr brenda pak javësh nga hedhja në treg dhe sot po qarkullojnë botimet e mëpasshme. Mjaft pozitive janë edhe përgjigjet që kemi marrë ne si autorë nga lexuesit dhe specialistët e sektorit.

Guida është vlerësuar edhe nga shtypi …

E vërtetë, ka patur jehonë të gjerë në mediat italiane. Lajmi i botimit është përcjellë nga një numër i madh mediash të specializuara në fushën e turizmit. E përditshmja italiane Il Secolo XIX i ka kushtuar një artikull të botuar në faqen e parë. Vëmendje të veçantë i ka kushtuar edhe emisioni mjaft i ndjekur ‘Pantagruel’ i Radio Rai-t. Në datën 25 Korrik, guida do të promovohet në emisionin e rëndësishëm ‘Eat Parade’ të kanalit publik Rai Due. Interesim kanë shfaqur edhe agjencia e lajmeve Ansa, të përditshmet Corriere della Sera, La Stampa, etj. Nga kjo fushatë e gjerë promovimi përfiton natyrisht Shqipëria, që propozohet përherë e më shumë si vendmbërritje tërheqëse turistike.

Si po promovohet ky udhërrëfyes në Itali?

Guida është prezantuar për herë të parë në kornizën prestigjioze të Panairit Ndërkombëtar të Librit në Torino. Në vijim, falë nismave të Qendrës së Kulturës Shqiptare dhe organizatave të tjera partnere, guida është paraqitur edhe në shumë qytete të Italisë si Milano, Torino, Parma, Cuneo apo Ancona. Në periudhën në vazhdim, “Tirana e Albnia” do të prezantohet edhe në Romë, Bologna, Firenze dhe Padova. Një falenderim të veçantë ia kushtojmë kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe ministres së kulturës Mirela Kumbaro, që kanë marrë pjesë personalisht në takimet e promovimit të guidës në Itali, si edhe Ambasadës Shqiptare në Itali për mbështetjen e dhënë në shumë prej takimeve të organizuara për promovimin e udhërrëfyesit.

Në librari dhe portalet e shitjeve të librave:

Titulli: Tirana e Albania
Autorët: Francesco Vietti, Benko Gjata
Botuesi: Morellini
Gjinia: Viaggi e turismo
Faqet: 184
Viti i botimit: 2014
ISBN/EAN: 9788862983372
Çmimi: 12,90 €

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Oltre 30 mila, le imprese di immigrati albanesi in Italia

Familjet Berisha dhe Berger jetojnë në dy botë të ndryshme