Banka e Shqipërisë njofton se dërgesat e emigrantëve kanë qenë një nga faktorët kryesorë të zbutjes së varfërisë në vend vitet e fundit. Statistikat dhe informacionet zyrtare konfirmojnë gjithashtu se pas-kriza rrit remitancat
Tiranë, 20 tetor 2010 – Pas krizës financiare ndërkombëtare, të ardhurat valutore nga puna e emigrantëve shqiptarë jashtë vendit po shënojnë rritje progresive. Banka Qendrore, në raportin e fundit të saj, “Mbi treguesit financiarë”, bën të ditur se të ardhurat nga emigracioni në 6 mujorin e parë u vlerësuan në rreth 947 milionë euro, ose 1,1 % më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Ekspertët bankarë vlerësojnë se dërgesat në para (remitancat), si një nga sektorët më të ekspozuar ndaj “goditjeve” të ambientit ekonomik botëror, në kushtet e krizës ekonomike botërore, reflektuan rënie gjatë vitit të kaluar. Referuar të dhënave të BSh-së, emigrantët sollën në atdhe 170 milionë euro gjatë periudhës janar-mars 2010, nga 183 milionë euro që patën sjellë në të njëjtën periudhë të vitit 2009. Tremujori i parë i këtij viti ishte më i keqi i regjistruar në këtë drejtim që nga viti 2005. Shkaku kryesor i rënies së remitancave mendohet se është ashpërsimi i krizës në Greqi.
Të dhëna jo të drejtpërdrejta dëshmojnë se është në rritje numri i emigrantëve që kthehen përgjithnjë në atdhe nga Greqia, pasi nuk arrijnë më të gjejnë punë. Vitin e kaluar, emigrantët sollën në atdhe 781 milionë euro ose 52 milionë euro më pak se në vitin 2008. Megjithëse me rënie prej 6,7%, remitancat vlerësohen nga ekspertët si shumë të qëndrueshme, për shkak se rënia ishte më e paktë nga ajo që pritet. Banka e Shqipërisë thotë se të ardhurat nga emigrantët varen veçanërisht nga situata e punësimit në Greqi, Itali dhe vende të tjera evropiane. Dhe rënia prej vetëm 6,7% tregon se emigrantët kanë parapëlqyer të kursejnë në drejtime të tjera dhe jo në shumat e parave që u dërgojnë familjeve në atdhe.
BSh bën të ditur se, ndikimi i pritur potencial i këtyre faktorëve sot në kushtet e pas-krizës, ka sjellë përmirësim të treguesve dhe rritje të vlerës së tyre, çka është materializuar në një rritje ekonomike gjatë vitit 2010.
Duke iu referuar një vrojtimi për 3-mujorin e tretë 2008 të Bankës së Shqipërisë, rezulton se rreth 26% e familjeve shqiptare përfitojnë prurje valutore në formën e dërgesave nga emigrantët. Shpërndarja gjeografike e familjeve tregon se 59% e tyre jetojnë në zonën rurale dhe diferenca në zonën urbane, duke përftuar respektivisht rreth 66% dhe 34% të totalit të dërgesave nga emigrantët. Ekspertët bankarë vërejnë se dërgesat nga emigrantët përbëjnë komponentin më të rëndësishëm në të ardhurat mujore të familjes në zonën rurale, pasi përfaqësojnë rreth 40% të saj. Në pjesën më të madhe të tyre remitancat janë përdorur kryesisht për të plotësuar nevojat bazë të familjeve përfituese. Megjithatë kjo strukturë ka ndryshuar dhe ato tashmë përdoren për investime dhe kryesisht për të ndërtuar shtëpi të reja banimi, biznese etj, të cilat janë në rritje.
Në vitin 2009 remitancat përbënin 10 % të të ardhurave kombëtare dhe ishin tre herë më të larta se investimet neto të drejtpërdrejta të huaja.
Vitin e kaluar dërgesat e emigrantëve kanë qenë një nga burimet kryesore të financimit nga jashtë. Sipas një studimi të kryer dy vjet më parë nga Banka e Shqipërisë, rezultoi se dërgesat e emigrantëve kanë qenë një nga faktorët kryesorë të zbutjes së varfërisë në vend.
Në Shqipëri përfitojnë dërgesa nga jashtë rreth 180 mijë familje. Të dhënat e viteve të fundit, po konfirmojnë paralajmërimin e bërë nga FMN dhe Banka Botërore vite më parë se dërgesat janë një burim i përkohshëm financimi dhe se shumë shpejt Shqipërisë do i duhet të gjejë të tjera burime, por që ketë radhë i mbivendosen edhe shkaqet nga kriza ndërkombëtare ekonomike.
Lexo edhe: Dërgesat e emigrantëve: 43% nga familjarë në Itali