Kam lejeqëndrim për studime. Ç’duhet të bëj për të pasur shërbim mjekësor?
Në Itali, asistenca mjekësore garantohet përmes Shërbimit Shëndetësor Kombëtar (SSN). Kush është i regjistruar në të mund të përfitojë të gjitha shërbimet mjekësore duke paguar tarifën e quajtur “ticket” që ndryshon në bazë të të ardhurave dhe të disa kushteve të tjera.
Të huajt me leje qëndrimi për motive studimi nuk regjistrohen automatikisht në SSN. Në bazë të nenit 34 të dekretit legjislativ 286/98, ata duhet të lidhin sigurim mbi shëndetin të vlefshëm në të gjithë territorin italian, me një institut sigurimesh italian apo të huaj, që t’u mbulojë sëmundjet, fatkeqësitë, shtatzëninë. Por ata kanë gjithashtu të drejtë të zgjedhin në alternativë të regjistrohen vullnetarisht në SSN, duke paguar kontributin e kërkuar përmes llogarisë rrjedhëse postare apo me F24 siç caktohet nga Krahina apo Provinca autonome ku kanë rezidencën.
Duhet mbajtur parasysh që regjistrimi vullnetar i referohet vitit, nga 1 janari deri më 31 dhjetor, ndaj kush e bën në shtator do ta ketë të vlefshëm për pak muaj, deri në dhjetor 2014, dhe jo për një vit rresht. Duhet ditur gjithashtu që është e pamundur të paguash vetëm një pjesë të vitit duhet paguar për të 12 muajt pavarësisht kohëzgjatjes së lejes së qëndrimmit) dhe që nuk ka efekte mbrapavepruese.
Për studentin pa familjarë në ngarkim e që nuk ka të ardhura të tjera veç atyre që i vijnë nga ndonjë bursë e mundshme studimi, shuma që duhet paguar është 149,77 euro në vit. Për studentin me familjarë në ngarkim (p.sh. bashkëshorte apo bij) me qëndrim të rregullt në Itali, shuma llogaritet në bazë të të ardhurave dhe, gjithsesi, nuk mund të jetë më e ulët se 387,34 euro.
I huaji i regjistruar në SSN, rezulton në listat e pacientëve të ASL-it (ndërmarrja shëndetësore lokale) të zonës ku jeton, e bashkë me të edhe të gjithë familjarët që ai ka në ngarkim të regjistruar. Në rast të ndryshimit të rezidencës, i interesuari duhet t’ia komunikojë ASL-it, në mënyrë që të përfitojë nga Shërbimi shëndetësor edhe në vendbanimin e ri.
Maria Elena Arguello/stranieriinitalia.it
In italiano: Sono uno studente. Posso iscrivermi al Servizio Sanitario Nazionale?
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)