Jam shqiptar me lejeqëndrim CE për qëndrues afatgjatë (kartë qëndrimi) të lëshuar nga Greqia. A mund të vij e të punoj në Itali? Çfarë duhet të bëj?
Titullari i lejeqëndrimit CE për qëndruesit afatgjatë të paskaduar, të lëshuar nga një vend tjetër i Bashkimit Europian, mund të qëndrojë e të punojë në Itali për një periudhë më të gjatë se tre muaj, për të kryer punë të varur e të pavarur, si edhe për të ndjekur kurse studimi apo formimi profesional.
Të huajt mund edhe të qëndrojnë për arsye të tjera, mjaft që të jenë të ligjshme por duke treguar se zotërojnë mjete jo të rastësishme për të mbajtur veten, që të jenë më të larta se dyfishi i shumës minimale të parashikuar për mospagimin e shpenzimeve shëndetësore, pra rreth 17 mijë euro në vit, dhe të kenë një sigurim shëndetësor për periudhën e qëndrimit.
Nuk duhet harruar që titullarët e lejeqëndrimeve BE për qëndruesit afatgjatë të një shteti tjetër të BE-së, duhet t’i nënshtrohen sidoqoftë kritereve të parashikuara nga neni 22 i Tekstit unik mbi imigracionin, e thënë ndryshe, mund të kërkojnë konvertimin vetëm përmes sistemit të kuotave të flukseve, pra në prani të një dekreti fluksesh.
Natyrisht, në rast se duan të kryejnë një punë në Itali, qoftë të varur qoftë autonome, duhet të paraqesin kërkesë emërore duke përpiluar modulin Ls për nulla-osta në Sportelin Unik, dhe në këtë rast nuk merret në konsideratë kriteri i rezidencës efektive jashtë shtetit.
Të huajit i lëshohet më pas një lejeqëndrim i ri sipas llojit të punës që kryen, dhe në çastin kur përmbush kriteret e parashikuara do të mund të marrë edhe në Itali një lejeqëndrim për qëndruesit afatgjatë. Në këtë rast, do të informohet për dokumentin e ri, edhe shteti anëtar i BE-së që kish lëshuar lejeqëndrimin e mëparshëm CE. Pra Kuestura duhet të lëshojë lejen e qëndrimit të përkohshme dhe të ripërtërishme pa i tërhequr të huajit lejeqëndrimin CE që ka, dhe të informojë pikën e kontaktit kombëtar.
Qytetari i huaj ka të drejtë të ruajë statusin e qëndruesit afatgjatë në Shtetin tjetër nga vjen deri në çastin kur të fitojë të njëjtin status edhe në vendin e dytë anëtar ku shkon, në këtë rast ën Itali, gjë që ndodh pas pesë vjetëve qëndrimi të rregullt dhe me kusht që të plotësohen kriteret e tjera të parashikuara nga neni 9 bis i tekstit unik për imigracionin.
E njëjta gjë parashikohet, në rastin kur një shtetas i huaj që ka lejen e qëndrimit CE (apo kartën e qëndrimit) të lëshuar nga Italia shkon në një vend tjetër të BE-së. Edhe në këtë rast ai nuk do të privohet nga statusi i qëndruesit afatgjatë dhe nga karta e qëndrimit deri kur të marrë të njëjtin dokument dhe të njëjtin status edhe në vendin tjetër.
Në rast se i huaji dëshiron të qëndrojë në Itali për më pak se tre muaj nuk duhet të kërkojë vizë hyrjeje por të sinjalizojë praninë e tij në territorin e vendit ku shkon.
Kujtojmë që të huajt humbin të drejtën e lejeqëndrimit CE jo vetëm kur marrin një tjetër të barasvlershme nga një vend tjetër i BE-së por edhe kur nuk është i pranishëm në territorin italian për më shumë se gjashtë vjet e kur nuk është i pranishëm në territorin e BE-së për më shumë se gjashtë muaj në dymbëdhjetë muaj të njëpasnjëshëm.
Ligji parashikon lëshimin e lejeqëndrimit, me të njëjtën kohëzgjatje të lejes së lëshuar të huajit qëndrues afatgjatë, edhe familjarëve që e shoqërojnë apo bashkohen më pas me të.
Avv. Mariangela Lioy
Lexo edhe: Me kartën italiane të qëndrimit a mund të punoj në një vend tjetër të BE-së?