Gruaja ka shkuar të padisë të shoqin për dhunë, punonjësi i policisë Ernest Paluku i ka kërkuar favore seksuale
Tiranë, 26 gusht 2014 – Një tjetër skandal seksual përfshin, nga njëra anë njerëz me pushtet nga ana tjetër, ajo e viktimës, qytetare në nevojë.
Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka vënë në pranga shefin e policisë së Velipojës, Ernest Paluku. Akuzohet për veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe të marrëdhënies seksuale duke shpërdoruar detyrën.
Sipas ministrisë së Brendshme, dyshohet që punonjësi i policisë Ernest Paluku, gjatë ushtrimit të detyrës së tij, i ka kërkuar favore seksuale një qytetareje që ishte paraqitur në Stacionin e Policisë Velipojë, për të paditur për dhunë dhe keqtrajtime bashkëshortin e saj.
Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se punonjësi i policisë Paluku, “në vend që kryente detyrën funksionale sipas procedurave standarde, duke shfrytëzuar postin e duke i premtuar gruas mbrojtje për shqetësimet që i sillte bashkëshorti, i ka kërkuar favore seksuale” lexohet në njoftimin e ministrisë së Brendshme. Gruaja jo vetëm që nuk ka pranuar, por ka gjetur forcën për të paditur shefin e policisë. Fill pas kësaj, SHKB ka nisur hetimin ndaj tij dhe e ka vënë atë nën përgjim, veprime këto që çuan në arrestimin e tij në flagrancë.
Ky është rasti i dytë që po trondit opinionin publik brenda pak ditëve: më 17 gusht, policia e Sarandës arrestoi Agron Canen, sekretarin e zyrës së deputetit të Partisë Socialiste, Koço Kokëdhima, që, në këmbim të një vendi pune, i kërkoi një qytetareje të kryente marrëdhënie seksuale me vajzën e saj 14 vjeçe.