“Më presin sfida të jashtëzakonshme” – është shprehur menjëherë pa zgjedhjes Mogherini, duke premtuar “impenjim total”
Romë, 30 gusht 2014 – Arrihet marrëveshja mes vendeve anëtare të Bashkimit Europian: në krye të politikës të jashtme të Bashkimit Evropian emërohet sot ministrja e Jashtme e Italisë, parlamentarja PD, Federica Mogherini.
Lajmin e zgjedhjes së Mogherinit si pasuese të baroneshës Cathrine Ashton, e dha presidenti i Këshillit të BE-së, Herman Van Rompuy, sipas të cilit “ministrja italiane ka qenë në linjën e frontit në këtë çast kaq të vështirë në nivel ndërkombëtar. Jemi të sigurtë që do të konfirmojë angazhimin europeist të Italisë. Federica Mogherini do të jetë fytyra e Bashkimit Evropian përballë partnerëve ndërkombëtarë”.
“U jam mirënjohëse kryeministrave dhe presidentëve të BE-së për besimin. Më presin sfida të jashtëzakonshme” – është shprehur Mogherini, duke premtuar “impenjim total”. “E gjithë puna ime, energjitë e mija dhe dedikimi im do t’i kushtohen punës në interes të të gjitha vendeve anëtare dhe të të gjithë qytetarëve evropianë“.
Të menjëhershme përgëzimet nga presidenti i Republikës, Giorgio Napolitano: “Italia ka marrë një vlerësim të rëndësishëm, por mbi të gjitha ajo ka dhënë një kontribut pozitiv në zgjidhjen e problemit për drejtuesit e rinj të BE-së”. “Federica Mogherini padyshim është vlerësuar në Evropë për angazhimin dhe kompetencën e dëshmuar nga fillimi i vitit 2014 në postin e Ministrit të Jashtëm. Jam i sigurt – përfundon komunikata e presidentit – që do të bëjë më së miri detyrën e re për një rritje të kohezionit të BE-së në fushën thelbësore të marrëdhënieve ndërkombëtare”.
Kryeministri Matteo Renzi boton në Twitter urimin për ministren e tij: “Punë të mbarë Federica Mogherinit”. Ka qenë pikërisht ai që ka propozuar emrin e Mogherinit në postin e kreut të diplomacisë së BE-së, dhe që sot nënvizoi se mbi emrin e saj ka pasur një konsensus unanim.
Krerët e vendeve anëtare të BE-së kanë emëruar gjithashtu kryeministrin aktual të Polonisë, Donald Tusk në postin e Presidentit të përhershëm të Këshillit Europian. Tusk i përket Partisë Popullore Europiane, pra qendrës së djathtë.
Reagime nga Shqipëria
Kryeministri Edi Rama ka përshëndetur sot me anë të një postimi në rrjetin social Twitter zgjedhjen e Federica Mogherinit në krye të politikës së jashtme të BE-së. “Fort i gëzueshem lajmi i zgjedhjes së Federica Mogherinit, grua e re dhe e mençur, mike e mirë, nga sot shefe e politikës së jashtme të BE :-)”, shkruan Kryeminsitri Rama në postimin e tij.
Edhe ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati ka uruar Mogherinin në Twitter duke e quajtur “mike të Ballkanit dhe zgjedhja e duhur në këto kohë ndryshimesh”.
Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)