“Nuk mund të pranoj që në qytetin tim të vritet një i ri vetëm pse u përpoq të ndante disa djem që ziheshin. Bashkëqytetarë, t’u tregojmë vendin kriminelëve, të mos bashkëjetojmë me krimin” shkruan në Facebook kryetari i Barit, Antonio Decaro.
Romë, 31 gusht 2014 – “Ajo që i ndodhi Flori Mesutit më 29 gusht është e papranueshme. Unë jam i tronditur dhe nuk mund të pranoj që në qytetin tim të ndodhin gjëra të tilla. Edhe sikur të ketë dhënë një shuplakë, një të shtyrë apo një fjalë të rëndë, një djalë 25 vjeç nuk mund të humbasë jetën vetëm pse u përpoq të shuante një grindje”. Kështu shkruan kryebashkiaku i Barit, Antonio Decaro mbi ngjarjen e rëndë që ndodhi në qytetin e tij të premten në darkë kur plumbat i morën jetën 25-vjeçarit Flori Mesuti.
Faji i tij? Kishte ndarë disa të mitur që ziheshin, ndoshta edhe me fjalë të rënda e me shpullë njërit prej tyre. Ofendim ky i padurueshëm për familjarët e që i janë vënë nga pas Mesutit e “për mbrojtjen e nderit” të 15-vjeçarit nuk kanë ngurruar t’i qëllojnë e t’i marrin jetën.
Ngjarja ka tronditur kryebashkiakun që u kërkon bashkëqytetarëve të mos heshtin por të reagojnë: “Kam besim në organet e drejtësisë e shpresoj që fajtorët të marrin dënimin e merituar, por edhe qyteti duhet të reagojë. Nuk mund të vazhdojmë ta pësojmë, nuk mund të bashkëjetojmë me këta njerëz sikrur të mos ketë ndodhur gjë. I njohim, jetojnë në shtëpinë ngjitur me tonën, i përshëndesim kur i takojmë në rrugë. Ka ardhur çasti të themi mjaft, të drejtojmë gishtin kundër këtyre personave, duhet të turpërohen, të ndiejnë peshën e vështrimeve tona. Vetëm kështu to të çlirojmë qytetin nga këta persona të vegjël që ndihen të mëdhenj e mendojnë se janë të fuqishëm vetëm pse mbajnë një pistoletë në xhep. Unë them mjaft e shpresoj që të gjithë barezët të zgjedhin të thonë mjaft bashkë me mua”.
Nuk kanë qenë pak personat e pranishëm në vendngjarje, por duket se “nuk shoh – nuk dëgjoj – nuk flas” është motoja që prej frikës i bën njerëzit të heshtin.
I ndëshkuar me vdekje për një shulpakë dhënë një 15 -vjeçari
Ndoshta apeli i qytetarit të parë po jep frutet e veta. Sot mësohet se hetuesit kanë disa ide më të qarta mbi shkaqet e dinamikën e vrasjes, por nuk japin asnjë emër për vrasësit. Duken të sigurt se vrasja ka qenë rezultati i një ndëshkimi për një shpullë që Mesuti i ka dhënë një 15vjeçari. Agresorët kanë qenë tre kushërinj të këtij djali, e sipas forcave të rendit, që të tre me precedentë penalë e rezidentë në lagjen ku u krye krimi. Të tre, të armatosur, i janë afruar Mesutit që ndodhej me një vajzë në një bar, jo shumë larg vendit ku sapo kish ndarë të miturit që ziheshin. Ky është përpjekur të largohet kur ka kuptuar se me këta tipa nuk arsyetohej, por e kanë ndjekur dhe i kanë qëlluar nga disa metra largësi. Të paktën tre herë me pistoletë e një prej plumbave e ka kapur Flori Mesutin në gjoks dhe e ka marrë jetën.
Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)