in

Arrestohet Guvernatori i BSh-së, Fullani. Prokuroria shpjegon arsyet

Në pranga edhe kryeinspektorja Elivar Golemi. Reagimet e para

Tiranë, 5 shtator 2014 – Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani dhe Inspektorja e Përgjithshme e BSH-së Elivar Golemi u arrestuan nga policia e Tiranës mbrëmjen e 5 shtatorit me akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Në një deklaratë për mediat nga Prokuroria e Përgjithshme, këshilltarja e Kryeprokurorit, Fjorida Ballauri duke  bëri me dije argumentet ligjore për ndalimin e dy zyrtarëve të lartë të BSH-së tha se Gjykata e Tiranës ka vendosur masën “arrest me burg ”, vendim i cili u ekzekutua nga uniformat blu të kryeqytetit.

Sipas Ballaurit, Ardian Fullani, Guvernator i Bankës së Shqipërisë, është arrestuar si i dyshuar për veprën penale të shpërdorimit të detyrës parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal.

“Në vijim të hetimeve për vjedhjen e një shume të konsiderueshme parash në BSH, të filluar në muajin korrik 2014 Prokuroria e Tiranës ka arritur në përfundimin se dy zyrtarët e BSH-së për shkak të mosveprimeve të tyre, kanë krijuar kushtet që të cënohet siguria e parave në administrim të BSH-së”, saktëson Prokuroria e Përgjithshme.

Ballauri tha se “në mënyrë të përmbledhur nga hetimet e deritanishme rezulton se shtetasi Ardian Fullani në cilësinë e Guvernatorit të BSH-së njëkohësisht kryetari i Këshillit Mbikqyrës dhe drejtori ekzekutiv i saj, ka shkelur ligjin.

Së pari, sipas Prokurorisë, nuk i ka propozuar Këshillit Mbikqyrës zv/guvernatorin e dytë të Bankës së Shqipërisë duke krijuar një boshllëk në përmbushjen e detyrimeve të këtij institucioni. Ky funksion i munguar duhet të trajtonte drejtpërdrejt administrimin, mbikqyrjen e zbatimin e akteve proceduriale për përdormin e mjeteve financiare.

Së dyti, në cilësinë e kryetarit të Këshillit Mbikqyrës nuk ka ushtruar kompetencat e tij për propozimin e nismave juridike për fuknksinomin e BSH-së si detyrim që buron nga vendimi i Këshillit Mbikqyrës nr.13 datë 22.2.2006. Prokuroria sqaron më tej se “me nisjen e funksionit të departamentit të Emisionit, ku ka ndodhur edhe vjedhja, Këshilli Mbikqyrës duhet të propozonte e miratonte rregulloret përkatëse për funksionimin e këtij departamenti. Nga hetimi ka rezultuar se këto rregullore nuk kanë ekzistuar për një kohë të gjatë, gjë e cila ka sjellë cënimin e parave.

Së treti, në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të BSH nuk ka marrë masat e nevojshme ligjore për zbatimin e vendimeve e rregulloreve të Këshillit Mbikqyrës. Ndër to mund të përmendim, zbatimin e politikave të miratuara nga Këshilli Mbikqyrës për mbarëvajtjen e veprimtarisë së përgjithshme për administrimin e procedurave ekzekutive si dhe për qeverisjen e punëve administrative të veprimtarisë së BSH.

Së katërti, Guvernatori është i ngarkuar me mbarëvajtjen e veprimtarisë së përditshme të BSH-së, përgjegjësi të cilën nga analiza e hetimit në kuadër të procedimit penal rezulton se nuk e ka ushtruar.

Së pesti, në kundërshtim me nenin 8 të rregullores mbi evidentimin, inventarizimin e vlerave materiale dhe monetare në BSH, Guvernatori me komisionet e ngritura për kryerjen e inventarizimit të detyrueshëm periodik të vlerave monetare, ka caktuar dy herë të njëjtin person. Ky person aktualisht është nën hetim për shpërdorim detyre në kuadër të këtij procedimi penal.

Po ashtu, në mënyrë të përmbledhur, nga hetimet e deritanishme, rezulton se shtetasja Elivar Golemi, me funksion Inspektor i Përgjithshëm i Bankës së Shqipërisë, ka shkelur ligjin si më poshtë:

Së pari: Nuk ka ushtruar auditim konform ligjit për Bankën e Shqipërisë dhe rregullores se departamentit të kontrollit, proces i cili është përgjegjësi e drejtëpërdrejtë e Inspektorit të Përgjithshëm.

Së dyti: Ka vepruar në kundërshtim me kuadrin ligjor përkatës, sa i takon ushtrimit kontroll kontabël të brendshëm, si edhe kontrolle të brendshme periodike për administrimin dhe operacionet e Bankës së Shqipërisë, me qëllim që të sigurojnë mbarëvajtjen e zbatimit të ligjeve dhe të akteve nënligjore në Bankën e Shqipërisë. Duke mos realizuar kontrolle periodike, nuk i ka dorëzuar Këshillit Mbikqyrës raporte e rekomandime për llogaritë dhe regjistrat, si dhe për procedurat buxhetore kontabël dhe kontrollet e Bankës së Shqipërisë.

Së treti: Është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Inspektorit të Përgjithshëm të Bankës së Shqipërisë që Departamenti i Kontrollit nuk ka ushtruar auditim finaciar periodik në Departamentin e Emisionit për vitet 2012, 2013 dhe 2014, pikërisht në vendin dhe gjatë periudhës kohore ku dyshohet se është kryer vjedhja.

Së katërti: Në bazë të komunikimit shkresor, në kuadër të këtij procedimi penal, rezulton se Inspektori i Përgjithshëm nuk i ka ushtruar funksionet e tij, pasi veç raportit të vitit 2011 dhe projekt-raportit të vitit 2014, nuk ka mbajtur asnjë raport apo audit në arkën për veprim dhe në arkën stok, pikërisht në arkat ku i dyshuari kryesor për vjedhjen ka deklaruar se ka marrë shumën e madhë të parave.

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë po vijon me hetimin e kësaj çështje, ku fokusi kryesor vijon të mbetet destinacioni i shumës së vjedhur.

Guvernatori Fullani akuzohet nga prokuroria e Tiranës për “shpërdorim detyre” pas vjedhjes së 713 milionë lekëve nga Thesari i Shtetit.

Sot paradite, në Prokurorinë e Tiranës dëshmuan për 6 orë me radhë dy anëtaret e Këshillit Mbikqyrës së Bankës së Shqipërisë, Ermelinda Meksi dhe Ela Golemi, së bashku me ish-inspektoren e Bankës Qëndrore Teuta Baleta dhe drejtorin juridik Altin Naçi.

Më vonë, Drejtuesi i prokurorisë së kryeqytetit, Petrit Fusha, sqaroi për mediat  se hetimet janë drejt fundit dhe të gjithë personat që kanë dijeni për vjedhjen do të thirren në Prokurori, duke përfshirë këtu dhe Guvernatorin e Bankës, Ardian Fullani. 

Reagimet

Pas arrestimit të Guvernatorit Fullani, reagoi Kryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Erion Braçe, në rrjetin social “Facebook”, i cili shkruan se “Duhej vetëm durim. Gjërat kanë ndryshuar njëherë e përgjithmonë në këtë vend. Përgjegjësia është e para”.

Reagimi i dytë ishte ai i avokatit Spartak Ngjela, i cili i cilësoi arrestimet e mbrëmjes së 5 shtatorit “një shenjë të qartë që tregon se Prokuroria, ndryshe nga Gjykatat, po shkëputet nga krimi shtetëror”.
“Gjithçka pritet të dalë përmes hetimit. Kam përshtypjen se përderisa kemi një arrestim të menjëhershëm atëherë duhet të ketë dyshime për më shumë nga ç’flitet. Mendimi im është se jemi përballë një vjedhjeje shumë më të madhe nga ajo që është ekspozuar” – u shpreh Ngjela në televizionin News 24.
Ai këshilloi gjithashtu guvernatorin të bashkëpunojë me drejtësinë: “Fullani të pendohet dhe të tregojë rrjetin. Nëse nuk ka gisht duhet të kishte dhënë dorëheqjen. Të bashkëpunojë me drejtësinë”.

Studentët e huaj dhe regjistrimi në Shërbimin Shëndetësor Kombëtar

Ministria e Arsimit mbyll 12 shkolla të mesme private