in

Skandali i BSh-së. Merret në pyetje Elisabeta Gjoni, jep dorëheqjen Ardian Civici

Sot thirret të dëshmojë në Prokurori Guvernatorja në detyrë e Bankës së Shqipërisë, Elisabeta Gjoni. Gjatë dy ditëve të fundit janë pyetur dhe anëtarët e tjerë të Këshillit Mbikëqyrës, Dhori Kule, Petraq Milo, Ermelinda Meksi, Ela Golemi dhe Ardian Civici. Ky i fundit sot ka dhënë dorëheqjen

Tiranë, 9 shtator 2014 – Guvernatorja në detyrë e Bankës së Shqipërisë, Elisabeta Gjoni, është paraqitur sot në mëngjes në zyrat e Prokurorisë së Tiranës për të dhënë dëshminë e saj, në lidhje me vjedhjen e 713 milion lekëve nga BSH.

Gjoni, takoi një ditë më parë Kryeministrin Edi Rama, Kreun e Kuvendit Ilir Meta dhe Presidentin e Republikës Bujar Nishani, për të marrë garancitë e nevojshme në vijimin e detyrës së saj, ndërsa sot në rreth orës 8:45 u paraqit në zyrat e Prokurorisë së Tiranës për t’u marrë në pyetje nga grupi hetimor i kryesuar nga Prokurori Ramadan Troci.

Gjatë kohës që Gjoni mbante detyrën e zv/Guvernatores ajo kishte për detyrë të nxirrte rregullore dhe urdhra të posaçme për të kontrolluar punën në departamentet e bankës, kjo referuar kapitullit nr 2, dhe më konkretisht nenit 5 të rregullores nr 13 të 22 shkurtit 2006, ku saktësohet se përgjegjësia e zëvendësguvernatores Gjoni është e njëjtë me atë të guvernatorit Fullani. Pikërisht në këtë nen thuhet se nismën propozuese për hartimin e akteve juridike e kanë: Këshilli Mbikëqyrës, Administratorët, që janë guvernatori dhe zëvendësguvernatori. Inspektori i Përgjithshëm dhe drejtuesit e departamenteve. Ky nen i cakton përgjegjësi jo vetëm guvernatorit për të nxjerrë akte juridike por dhe një sërë drejtuesish të tjerë, përfshirë këtu dhe Elisabeta Gjonin. Prandaj dëshmia e saj është bazë për të verifikuar veprimet dhe mosveprimet e saj që mund të kenë ndikuar në vjedhjen e thesarit.

Pasi votuan dy ditë më parë propozimin për shkarkimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës janë paraqitur në prokurori siç dhe ishin ftuar, për të dëshmuar në lidhje me hetimin për vjedhjen e thesarit, teksa për mediat kanë preferuar të përgjigjen me heshtje.

Sakaq, mëngjesin e të premtes, dëshmuan në organin e akuzës anëtaret Ermelinda Meksi dhe Ela Golemi. Pas dëshmive, pasdite erdhi dhe arrestimi i bujshëm i Guvernatorit Fullani. Ndërsa të hënën dëshmuan tre anëtarë të tjerë të Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë, Petraq Milo, Dhori Kule dhe Ardian Civici.

Mëngjesin e sotëm ky i fundit ka dhënë dorëheqjen. Përmes një letre dërguar Kuvendit të Shqipërisë, Ardian Civici shpjegon se arsyeja që e shtyn të japë dorëheqjen nga ky post është “t’i hapë rrugë ristrukturimit të Bankës së Shqipërisë”.

Garbiel Partos: Arrestimi i Fullanit, test kyç për drejtësinë shqiptare

Gianni De Biasi: “Shqipëria e mrekullueshme, shqiptarët njerëz punëtorë”